Radha e automjeteve është shtuar në pikën e furnizimit me karburant në Tuz, pranë pikës kufitare të Murriqanit që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Banorët e zonave përreth po e kalojnë gjithnjë e më shpesh kufirin për t’u furnizuar me naftë, pasi çmimi atje është dukshëm më i ulët.
Së fundmi, një litër naftë në Mal të Zi tregtohej rreth 1.57 euro, ndërsa në Shqipëri rreth 214 lekë, ose afërsisht 2.2 euro. Me të njëjtën shumë parash, diferenca në sasinë e karburantit të blerë është e konsiderueshme, duke e bërë të leverdishme edhe kohën dhe shpenzimet shtesë për udhëtim.
Ky trend nuk kufizohet vetëm te banorët e zonave kufitare.
Edhe qytetarë nga Shkodra dhe zona të tjera udhëtojnë drejt Malit të Zi, shpesh duke e kombinuar furnizimin me karburant me blerje ushqimore. Produkte si qumështi, kosi, mielli, vaji dhe ushqimet e konservuara raportohen të jenë më të lira, ndërsa perceptohen edhe si më cilësore.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë afër mesatares europiane, ndërsa në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mbeten ndjeshëm më të ulëta. Në veçanti, produkte si qumështi, djathi dhe vezët rezultojnë më të shtrenjta krahasuar me mesataren e BE-së.
Diferencat në çmime po ndikojnë në zhvendosjen e konsumit drejt vendeve fqinje, si për karburantin ashtu edhe për produkte të tjera. Ky fenomen shoqërohet me një reduktim të konsumit të brendshëm dhe me një transferim të shpenzimeve jashtë vendit.
Të dhënat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e konsumit të karburanteve po realizohet jashtë Shqipërisë, veçanërisht në zonat kufitare.
Në total, konsumi vjetor i karburanteve në vend është rreth 740 mijë ton, ndërsa një pjesë e këtij konsumi po zhvendoset drejt tregjeve të rajonit për shkak të diferencave në çmime.
Në aspektin e strukturës së çmimit, një pjesë e madhe e kostos së karburantit në Shqipëri lidhet me taksat për litër, të cilat janë më të larta krahasuar me vendet fqinje. Kjo ndikon drejtpërdrejt në çmimin final për konsumatorin.
Ekspertët vlerësojnë se nëse çmimet do të ishin më të afërta me ato të rajonit, konsumi mund të përqendrohej më shumë brenda vendit dhe të rritej ndjeshëm. Një rritje e tillë e konsumit mund të ndikojë në stabilizimin e të ardhurave dhe në zhvillimin e tregut të brendshëm.
Në përgjithësi, diferencat e çmimeve në rajon po ndikojnë në sjelljen e konsumatorëve, duke orientuar një pjesë të shpenzimeve drejt tregjeve fqinje, si për karburantin ashtu edhe për produkte ushqimore./Marrë nga Monitor










