Nga Owen Jones, the Guardian/
Mediat britanike po përndiqen nga një spektër i ri, një spektër me qëndrime negative ndaj kapitalizmit. Qëkur shkrimtarja dhe akademikja Ash Sarkar tha në një TV kombëtar: “Jam komuniste, o idiot”, e djathta u shtrembërua me tmerr. Zelli me të cilin iu qepën opinionistët komentit të papërgatitur të Sarkarit, për të rihapur diskutimet mbi luftën e ftohtë, tregon shumë.
Mos më keqkuptoni, regjimet që morën emrin “komuniste”, që nga Stalini e deri te Pol Poti, kanë kryer krime të tmerrshme. Por për të djathtën, rikthimi i interesit te komunizmi para-stalinist i Marksit, është shembulli më ngjethës i rënies së supremacisë ideologjike. Për ata, komunizmi është sinonim i krimeve që lanë me dhjetëra miliona të vdekur dhe asgjë tjetër. Kapitalizmi, në anën tjetër, paraqitet si një motor zhvillimi njerëzor, pa gjakderdhje e pa faje.
Historia e kapitalizmit është më e ndërlikuar se aq. Nëse do të lexosh lavde të shfrenuara për kapitalizmin, do t’i gjesh pikërisht te Manifestoja Komuniste e Marksit dhe Engelsit: “Dinamizmi revolucionar i kapitalistit,” shkruajnë ata, “ka krijuar mrekulli që ua kalojnë piramidave egjiptiane, ujësjellësve romakë dhe katedraleve gotike.” Por kapitalizmi është një sistem ekonomik i zhytur në gjakun e milionave.
Sigurisht, kjo nuk i shfajëson tmerret e stalinizmit: modeli totalitar që zhvilloi dhe eksportoi regjimi i Stalinit, u hoqi lirinë miliona njerëzve dhe shkaktoi vdekjen e shumë të tjerëve. Po ashtu, milionat që vdiqën nga zia e bukës në Kinën e Maos nuk mund të harrohet kurrë. Megjithatë, numri i lartë i këtyre viktimave nuk i ndihmon mbrojtësit e kapitalizmit aq sa do të dëshironin. Sipas Librit të Zi të Komunizmit, një pikë referimi për të djathtën, rreth 100 milionë njerëz janë zhdukur nga regjimet që vetëquheshin “komuniste”, shumica prej tyre nga Mao Ce Duni, në Kinë. Ekonomisti nobelist, Amartya Sen, shkruan se në vitet 1950-1960, politika katastrofike e Maos, e quajtur “Hapi i Madh Përpara”, ka sjellë vdekjen e 23 deri në 30 milionë njerëzve.
Por ai vëren gjithashtu në një shkrim të vitit 2006, se në mesin e shekullit të 20-të, si Kina, ashtu dhe India, kishin të njëjtën mesatare jetëgjatësie të popullatës, rreth 40 vjeç. Pas revolucionit kinez u bë një ndryshim i madh. Në vitin 1979, mesatarja e jetëgjatësisë në Kinën e Maos ishte 68 vjeç, 14 vite më shumë se në Indinë kapitaliste. Mesatarja e ulët e jetëgjatësisë në Indi shkaktonte vdekjen e 4 milionë banorëve në vit. Pse nuk shihet kjo si vrasje e shkaktuar nga kapitalizmi?
Kapitalizmi është ndërtuar që në fillim me gjakun e miliona njerëzve. Që nga shekulli i 17-të e më mbrapa, tregtia trans-atlantike e skllevërve u bë një nga shtyllat kryesore të kapitalizmit. Shumica e pasurisë që ka vënë Londra, Bristoli dhe Liverpuli, që ishin portet kryesore për tregtinë e skllevërve në Europë, vinte nga puna e afrikanëve të skllavëruar. Kapitali i mbledhur nga skllavëria, që nga duhani, pambuku dhe sheqeri, solli revolucionin industrial në Mançester dhe Lankashër. Shumë prej bankave të sotme, madje, e kanë pikënisjen nga kapitali që vunë nëpërmjet skllavërisë.
Edhe kur tregtia ndërkombëtare e skllevërve nisi të binte, kapitalizmin perëndimor po e pasuronin paratë e përgjakura të kolonizatorëve. India kishte kohë që sundohej nga Britania, fuqia kryesore e kapitalizmit në botë: siç shpjegon “Holokausti Viktorian” i Mike Davis, në Indi kanë vdekur rreth 35 milionë njerëz nga disa zi buke që ishin krijuar në mënyrë të panevojshme, në një kohë kur India eksportonte me miliona tonë grurë në Britani. Kjo ishte një lopë e majme për paratë e kapitalizmin dhe në shekullin e 19-të u bë burimi kryesor i të ardhurave të vendit. Perëndimi është ndërtuar mbi pasuri të vjedhura e të marra nëpërmjet nënshtrimit të popujve, me një çmim shumë të lartë njerëzor.
Europa kapitaliste nisi t’i importojë vetë tmerret që u kishte shkaktuar të tjerëve, por vetëm në shekullin e 20-të. Depresioni i Madh është kriza më e rëndë e kapitalizmit, e cila krijoi pakënaqësitë popullore që çuan drejt fuqizimit të nazistëve. Në vitet e para të regjimit të Hitlerit, bizneset e mëdha gjermane, të cilat i druheshin fuqisë të së majtës, bënë kompromise të ndyra me Nacional-Socialistët dhe i panë nazistët si një armë me të cilën do të godisnin komunistët dhe sindikalistët njëherazi. Bizneset gjermane u kishin dhuruar fonde nazistëve, si para se të vinin në pushtet, ashtu edhe më pas, që nga korporatat industriale si IG Farben dhe Krupp. Shumë biznese kanë përfituar nga puna skllavëruese e nazizmit dhe nga holokausti, si IBM, BMW, Deutsche Bank dhe Grupi Schaeffler.
Është e mundur të kesh besim me pasion te kapitalizmi e t’i drejtohesh si i vetmi sistem që funksionon, por jo pa pranuar hijet e errëta që ka, si dhe rolin në episodet më vrastare të historisë së njerëzimit. Por ta shkelësh me këmbë idenë se ka dhe alternative të tjera veç kapitalizmit, ide që bazohen mbi të tjera vlera e parime, kjo i shërben vetëm funksioneve politike.
E majta radikale demokratike ka kohë që e ka pranuar makthin e sistemeve totalitare si dhe ka reflektuar shumë për mënyrën se si ndodhi. Por mbrojtësit e pa-penduar të kapitalizmit nuk e kanë shqyrtuar fare të shkuarën e vet. Ka politikanë dhe historianë të respektuar që vazhdojnë të mbrojnë kolonializmin, pavarësisht tmerreve groteske. Nuk është e drejtë që socialistët demokratë të shekullit të 21-të të kundërshtohen duke u sjellë si shembull ditët e errëta të sistemeve totalitare të shekullin të 20-të.
Të shpresosh në krijimin e një bote ku mund të ketë mjaftueshmëri materiale, të çliruar nga shteti e që bazohet në bashkëpunim, nuk e bën dikë vrasës totalitar. Edhe nëse nuk besoni se kjo mund të ndodhë ndonjëherë, kjo s’do të thotë që duhet t’i dorëzohemi fondamentalizmit të tregut, si për shembull ndryshimet klimatike (të shkaktuara nga një rend ekonomik që nuk e ruan mjedisin) gjë që do të sjellë shkatërrim në planetin tonë. Një shoqëri e drejtë e demokratike po pret që të lindë, një shoqëri që do të ndahet nga të gjitha sistemet e dështuara të së shkuarës.