Mbi 11 kg kokainë e destinuar për tregun e drogës në rajonin e Kampanjas, është sekuestruar nga oficerët e njësisë së goditjes së krimeve Ekonomiko-Financiare të Napolit.
Droga është gjetur e fshehur brenda makinës së një shtetasi shqiptar, i akuzuar si korrier, i cili ka përfunduar në pranga.
Shqiptari u ndalu në autostradë pranë pikës së pagesës Santa Maria Capua Vetere dhe oficerëve ju lindën dyshime për atë çka ai mund të transportonte për shkak të qëndrimit të tij.
Pasi “çmontuan” mjetin, ata gjetën kokainën e fshehur në një xhep të krijuar posaçërisht në makinë për të fshehur drogën.
Llogaritë tregojnë se nëse kokaina do të dilte në treg, do t’u kishte sjellë organizatave kriminale të Kampanjas një fitim të paligjshëm prej mbi 1 milion euro.
Sekuestrimi i kësaj sasie të madhe droge përbën një goditje të rëndë për arkën e Camorrës, duke e privuar atë nga një burim i rëndësishëm financimi.
Për më tepër, arrestimi i korrierit shqiptar ka hapur shtigje të reja hetimore që mund të çojnë në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e kokainës.
/a.r