Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së kokainës, ndërsa në pranga ka rënë poseduesi si dhe janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në kuadër të Operacionit Policor të koduar “The Weekend Surprise”, arrestoi shtetasin Fatjon Veseli, 44 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë ishin në ndjekje të shtetasit të lartpërmendur pasi dispononin informacion se ai në bashkëpunim me shtetas të tjerë shpërndante lëndë narkotike të llojit “Kokainë” në formë dozash në bazë klientele, në zonën e “Ish- Bllokut”, “Komunës së Parisit” dhe “Tiranës së Re”. Ky shtetas është konstatuar nga Shërbimet e Policisë në zonën e Liqenit Artificial dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar, brenda çantës së tij të krahut i është gjetur një qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi është gjetur një motorr pa targa, i cili pas verifikimeve të kryera rezultoi i vjedhur.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 201 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”
– motorr
– aparat celular
Janë shpallur në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e shtetasit të arrestuar, ku për arsye hetimore nuk bëjmë të ditur të dhëna të tjera.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”./a.m.