Vijon të jetë kaotike situata e krijuar në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, pas grevës së kontrollorëve të trafikut ajror, që nisi një ditë më parë.
Dhjetëra pasagjerë, që vijojnë të qëndrojnë në ambientet e aeroportit, janë në pritje të fluturimit të tyre dhe bëjnë me dije se nuk kanë asnjë informacion nga autoritetet përgjegjëse se kur do të nisen për në destinacionin e tyre.
Shumë prej pasagjerëve shprehin shqetësimin për kostot shtesë që mund të kenë dhe kërkesën për të përsëritur testin anti-Covid.
Aktualisht, kanë marrë njoftimin për të kryer procedurat pasagjerët e linjës së Bergamos të cilëve iu është kërkuar të bëjnë check-in dhe të kalojnë pasaportat, por ende nuk është saktësuar ora se kur avioni do të niset.
Nga sa mësohet, gjatë ditës së sotme janë anuluar 4 fluturime nga Rinasi dhe mbërritja e dy linjave të huaja./ b.h