Tre anëtare të tjera të delegacionit të futbollit të femrave të Iranit – të cilat kishin marrë viza humanitare për të qëndruar në Australi kanë ndryshuar mendje dhe do të kthehen në vendin e tyre.
Aktivistët për të drejtat e njeriut në diasporën iraniane i kanë identifikuar këto tri anëtare si Zahra Soltan Meshkehkar, Mona Hamoudi dhe Zahra Sarbali. Shqetësimet rritën për ekipin Iranian, pasi ato nuk kënduan gjatë himnit kombëtar të vendit të tyre në ndeshjen e hapjes së Kupës së Azisë kundër Koresë së Jugut më 2 mars, gjë që çoi në etiketimin e tyre si “tradhtare lufte” në Iran.
Duke konfirmuar vendimet e tyre, ministri australian për çështjet e brendshme deklaroi se qeveria e tij kishte bërë gjithçka që mundej për t’u siguruar grave mundësinë për një të ardhme të sigurt në Australi.
“Australianët duhet të jenë krenarë që në vendin tonë këto gra përjetuan një komb që u ofroi mundësi reale dhe bashkëpunoi me autoritetet që kërkonin t’i ndihmonin,” tha Tony Burke në një deklaratë.
“Ndërsa qeveria australiane mund të sigurojë që mundësitë të ofrohen, ne nuk mund të heqim kontekstin në të cilin lojtarët po marrin këto vendime jashtëzakonisht të vështira.”
Ministria e Sporteve e Iranit gjithashtu konfirmoi më herët lajmin, i cili u raportua për herë të parë nga Agjencia e Lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike.
“Shpirti kombëtar dhe patriotizmi i ekipit kombëtar të futbollit të femrave të Iranit mundi planet e armikut kundër këtij ekipi” ,thuhet në deklaratën iraniane.
Sipas Tasnim, tre anëtaret ishin në rrugë për në Kuala Lumpur të Malajzisë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të ekipit dhe po “ktheheshin në përqafimin e ngrohtë të familjeve dhe atdheut të tyre, pas tërheqjes së kërkesës për azil në Australi”. Agjencia raportoi se ato I kishin rezistuar “luftës psikologjike, propagandës së gjerë dhe ofertave joshëse”.
Kjo do të thotë se nga shtatë anëtaret që fillimisht thanë se donin të qëndronin në Australi, tani vetëm tre mbeten si dezertore. Një nga lojtaret kishte marrë të njëjtën vendim për t’u kthyer në Iran të mërkurën.
Në Australi kishte shqetësime se anëtaret e ekipit dhe familjet e tyre mund të përballeshin me pasoja në Iran pasi lojtarët refuzuan të këndonin himnin kombëtar. Një komentues konservator në mediat shtetërore iraniane i akuzoi ato si “tradhtare lufte” dhe kërkoi një dënim të ashpër. Nuk dihet sesi ata do trajtohen në vendlindje.











