Kjara Adhami është një prej vajzave të reja, profesioniste dhe të spikatura për kapacitetin e tyre, që i janë bashkuar Partisë Socialiste si kandidate për zgjedhjet e 25 Prillit.
Por pse ajo zgjodhi Partinë Socialiste dhe pse kjo e fundit mbetet një alternativë për vendin e saj?
“Shihni ofertën politike të opozitës, që ende pas 8 vitesh, nuk arriti dot të reformohej dhe të ripërtërihej. Po iu paraqitet shqiptarëve sërish me të njëjtët personazhe si ato të viteve 1990. Por përveç kësaj, Partia Socialiste në Gjirokastër gjatë këtyre viteve të qeverisjes ka dëshmuar një qasje komplet tjetër në raport me problemet e qytetarëve dhe adresimin e çështjeve të mprehta si papunësia, zhvillimi ekonomik, turizmi, arsimi, etj”, thotë Adhami.
Ajo tregon gjithashtu mbi vendimin për të kaluar nga eksperienca e saj profesionale në Kryeministri, ku u punësua si studente e ekselencës, në angazhimin publik si kandidate për deputete e Partisë Socialiste.
INTERVISTA: -Kjara, ju keni një përvojë pune në Kryeministri që e fituat menjëherë pas studimeve si student ekselente e Fakultetit të Ekonomisë. Si ka qenë për ju kjo eksperiencë dhe çfarë ju ka mësuar ajo në raport me mënyrën se si funksionon vendimmarrja, administrata, fusha e shërbimit publik?
Përpara se të filloja punë në Kryeministri kisha një mendim komplet ndryshe për punën në shtet. Ndoshta fakti që kam pasur një pozicion pune që nuk kishte lidhje të mirëfilltë me punën “tradicionale” në shtet. Unë kam qenë pjesë e ekipit që është angazhuar për realizimin e prioriteteve të qeverisë, një strukturë që u ngrit në bashkëpunim me ekipin e Tony Blair në 2014. Kjo mendoj që më ka ndihmuar shumë të marr një eksperiencë, ku arrija të shihja që punë të vogla konkrete ndodhnin çdo ditë, të cilat në fund përktheheshin në një ndryshim real për cilësinë e jetesës së qytetarëve. Isha me fat që u bëra pjesë e një skuadre që punonte me pasion, besonte te ajo punë që bënte dhe kishte një objektiv për të cilin punonte me dhe pa orar për ta arritur. Nga jashtë ndoshta nuk perceptohet kjo gjë, pasi puna në shtet mund të mendohet që është ai orari standard 8:00-16:00 dhe ajo burokracia e shkresave pafund, por brenda t’i arrije të shihje që vendimet që merreshin, rekomandimet që i jepeshin vendimmarrësve përktheheshin në pune konkrete. Mbaj mend se në intervistën e parë që kam realizuar me drejtoreshën e departamentit asokohe, duke qenë se unë isha një e re e sapo futur në tregun e punës dhe me një pasion për të punuar në arritjen e rezultateve konkrete, më ka thënë: Kjara mendoje mirë, nëse i futesh kësaj pune, të siguroj që do mbetesh këtu. Dhe ashtu ndodhi deri më tani.
– Përse zgjodhët që të mos ndiqnit më tej këtë rrugë, por të angazhoheshit në politikë dhe pse partia socialiste?
Pse Partia Socialiste? Thjesht sepse është Partia Socialiste, e vetmja e mirë që ka sot politika shqiptare dhe forca që ka dëshmuar në çdo kohë se ka qenë në anën e duhur të historisë, forca që ka udhëhequr vendin në shumë procese të rëndësishme dhe që besoj se përmes qeverisje së saj do ta integrojë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Nuk është se unë kam hequr dorë nga profesioni im apo angazhimi profesional që kam pasur deri më tani. Por duke patur një vokacion që përmes politikës të kontribuojë në çështje përtej një funksioni të caktuar si ai që kam pasur deri më tani, vendosa të kandidoja. PS më hapi dyert përmes platformës “Deputeti që Duam”. Jam shumë e vlerësuar që jam pjesë e kësaj skuadre ëndrrash do të thoja, për Shqipërinë e sotme dhe sidomos për atë të gjeneratës tjetër.
– Përmeti është zona juaj e origjinës. Përveç kësaj, çfarë përfaqëson për ju kjo zonë dhe me çfarë oferte politike vini ju për njerëzit e tij?
Edhe unë mendoj se Përmeti ka gjithçka përveç detit, fiks si ai slogani i para disa viteve që promovonte qytetin si destinacion turistik. Realisht Përmeti është një zonë e bekuar nga natyra dhe me njerëz të mrekullueshëm, që ka shumë potenciale të pashfrytëzuara ende sa duhet në funksion të zhvillimit ekonomik. Natyrisht që unë kam lidhje të veçantë shpirtërore me këtë qytet sepse si të thuash jam rritur me Përmetin në shtëpi, në të gjitha dimensionet, përmes rrëfimeve dhe dashurisë së gjyshërve të mi. Oferta politike e Partisë Socialiste është e qartë dhe që i shkon përshtat vizionit tonë për këtë qytet si një destinacion turistik i rëndësishëm në jug të vendit. Përmes investimeve që janë bërë, atyre që janë në proces dhe projekteve të tjera që do të zbatohen gjatë mandatit të tretë, besoj se do ta shndërrojnë Përmetin në një pol të zhvillimit turistik. Kjo do të thotë ekonomi lokale më e fortë, vende pune më shumë dhe të ardhura më të mira për banorët. Duke qenë se jam e re në moshë, patjetër që synoj që të punoj më së shumti me të rinjtë jo vetëm në Përmet, por në të gjithë qarkun Gjirokastër pasi besoj se ata mund t’i shfrytëzojnë më mirë këto potenciale, kjo falë edhe prej politikave që qeveria e Partisë Socialiste ka ndërmarrë për ta, siç janë mbështetja me fonde për bujqësi, turizëm dhe startup-e.
– Jeni pjesë e një skuadre të konsoliduar siç është ajo e kandidatëve të PS për Gjirokastrën. Pse kjo skuadër mbetet një alternativë për banorët e këtij qarku?
Po e trajtoj si pyetje retorike këtë që thoni ju pasi përgjigjen e ka brenda. Nëse nuk jemi ne alternativa më e mirë jo vetëm në qarkun Gjirokastër, por për të gjithë Shqipërinë, kush vallë është tjetër? Shihni ofertën politike të opozitës, që ende pas 8 vitesh, nuk arriti dot të reformohej dhe të ripërtërihej. Po iu paraqitet shqiptarëve sërish me të njëjtët personazhe si ato të viteve 1990. Por përveç kësaj, Partia Socialiste në Gjirokastër gjatë këtyre viteve të qeverisjes ka dëshmuar një qasje komplet tjetër në raport me problemet e qytetarëve dhe adresimin e çështjeve të mprehta si papunësia, zhvillimi ekonomik, turizmi, arsimi, etj. Gjirokastra sot as nuk ka të krahasuar me Gjirokastrën e 8 viteve më parë. Natyrisht që nevojat janë ende shumë të mëdha, por të mendojmë pak se ku ishim 8 viteve më parë. Në raport me çfarë gjetëm, jemi vite drite larg sot. Në raport me ku duam të shkojmë dhe cili është vizioni jonë, kemi ende shumë punë për të bërë prandaj na duhet një mandat i tretë.
/lexo.al