Vendet kandidate për në BE kanë frikë se periudha e provës 15-vjeçare mund të krijojnë anëtarësim të klasit të dytë dhe të përdoren për të ushtruar presion politik.
Shqetësimet vijnë pas masave të propozuara të zbuluara nga Komisioni Europian të martën, duke përfshirë një periudhë prove 15-vjeçare gjatë së cilës anëtarët e rinj mund të humbasin të drejtën e votës nëse kryejnë një shkelje serioze të vlerave dhe rregullave të BE-së.
“Ne mbështetemi te Bashkimi Evropian për të siguruar që procesi i pranimit të mbetet ambicioz, i besueshëm dhe i parashikueshëm, dhe të pasqyrojë progresin që Ukraina vazhdon të bëjë”, tha për Euronews zëvendëskryeministër i Ukrainës për integrimin evropian, Vsevolod Chentsov.
“Pika jonë fillestare mbetet integrimi i plotë në tregun e vetëm dhe çdo marrëveshje kalimtare duhet të jetë e justifikuar, proporcionale dhe e kufizuar në kohë”, shtoi ai.
Një nga shqetësimet më të mëdha midis vendeve kandidate është se masat mbrojtëse mund të krijojnë një nivel të dytë të anëtarësimit në BE.
Vende, përfshirë Holandën dhe Francën, kërkuan masa mbrojtëse më të ashpra, duke përmendur përvojën e Hungarisë nën drejtimin e Viktor Orbanit dhe vështirësinë e përballimit të prapambetjes demokratike pasi një vend i është bashkuar.
“Ne nuk duam një anëtarësim me dy nivele për t’u bashkuar me unionin tonë. Vendet duhet të përmbushin standarde shumë të larta për sundimin e ligjit. Duhet të sigurohemi që pas anëtarësimit, ato të mos bien kurrë më poshtë këtyre standardeve. Dhe kjo është ajo që kemi mësuar nga përvojat në të kaluarën”, tha Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos ndërsa prezantonte masën.
Publikisht, kandidatët kanë qenë të kujdesshëm në reagimin e tyre. Përveç Ukrainës, tre kandidatët e tjerë kryesorë – Mali i Zi, Shqipëria dhe Moldavia – janë vende të vogla të investuara thellësisht në anëtarësimin në bllok.
Megjithatë, pas dyerve të mbyllura, kandidatët nuk e fshehin shqetësimin e tyre, veçanërisht gjatë periudhës 15-vjeçare të provës. Gjatë kësaj kohe, vendeve mund t’u hiqet e drejta e votës për shkelje të rënda të vlerave dhe rregullave të BE-së. Disa prej tyre kishin shpresuar që periudha të ishte më e shkurtër.
Komisioni thotë se kjo “klauzolë mbrojtëse institucionale” nuk është diskriminuese sepse është e përkohshme. Por, ndërsa propozimi nuk përfshin asnjë mekanizëm rinovimi, kandidatët kanë frikë se shtetet anëtare mund të shtyjnë përpara shtimin e një të tille.
“Komisioni thekson se kjo masë është e përkohshme, por ekziston një rrezik i konsiderueshëm që ajo të shndërrohet në një status të përhershëm. Çfarë ndodh nëse periudha e provës zgjatet vazhdimisht ose skadimi i saj bllokohet?” tha për Euronews Obrad Kesic, kreu i misionit të Bosnjës dhe Hercegovinës në BE.
Ekziston gjithashtu shqetësim midis vendeve kandidate se masat mbrojtëse mund të përdoren për qëllime politike, veçanërisht në mosmarrëveshjet dypalëshe me shtetet anëtare ekzistuese.











