Zëvendës kryeministrja Senida Mesi ka folur lidhur me situatën e sigurisë në vend dhe konkretisht në qytetin e Shkodrës ku ajo është mandatuar.
Në një intervistë për gazetën “TemA” ajo tregon shqetësimin mbi gjendjen e krijuar dhe hapat e ndërmarrë për rehabilitimin e situatës.
E pyetur mbi zërat që e kanë cilësuar si një kandidaturë të mundshme për Bashkinë Shkodër në zgjedhjet vendore, Mesi thotë se momentalisht është e angazhuar në postin që mban, pa dhënë një qëndrim konkret.
Më poshtë po përcjellim intervistën e plotë të zëvendës kryeministres:
Znj. Mesi! Sapo kemi hyrë në një sesion të ri parlamentar ku indikacionet e para paralajmërojnë një gjendje politike jo fort bashkëpunuese dhe të frytshme mes palëve. Si e mendoni rrugëzgjidhjen?
Ky është një sesion i ri parlamentar i rëndësishëm për Shqipërinë duke pasur parasysh edhe procesin përgatitor për hapjen e negociatave në qershor 2019, thellimin e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe zgjedhjeve vendore. Prandaj, mendoj që të gjithë ne si mazhorancë dhe opozitë si përfaqësues të vullnetit të qytetarëve e mbrojtës të interesave të tyre duhet të jemi në krye të detyrës brenda sistemit. E ftoj opozitën të jetë bashkëpunuese në këto procese më rëndësi jetike për vendin dhe të ushtrojë funksionet e saj opozitare brenda sistemit.
Opozita akuzon mazhorancën për banda të lidhura me qeverinë duke renditur disa prej aktorëve të Partisë Socialiste që sipas tyre janë të implikuar. Keni ndonjë përgjigje për kampin opozitar?
Qëllimi i vetëm i PD-së është të dëmtojë imazhin e vendit dhe të zbojë turistët dhe për këtë, në mënyrë të papërgjegjshme, po krijon një realitet të rremë në mediat ndërkombëtare, duke portretizuar Shqipërinë si një vend ku krimi është ulur këmbëkryq. Ndërkohë që realiteti është tjetër. Pa dyshim, mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim, por operacioni “Forca e Ligjit” është duke vepruar prej kohësh dhe ka dhënë rezultate konkrete ku disa grupe kriminale janë goditur. Janë skeduar mbi 41 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë objekt i punës së Task Forcës Speciale Qendrore dhe 12 Task Forcave Rajonale, janë zhvilluar mbi dhjetë operacione dhe janë arrestuar mbi 100 persona, mes tyre drejtues dhe anëtarë të këtyre grupeve. Hetimet vazhdojnë dhe patjetër që do të ketë arrestime të tjera dhe goditje të bandave kriminale. Ne jemi të vendosur në një luftë pa kompromis me të gjitha grupet kriminale të çfarë do lloj qofshin dhe kudo qofshin.
Në tre muajt e fundit janë shënuar 6 vrasje në qytetin e Shkodrës. Si deputete e kësaj zone, nën optikën tuaj si qëndron kjo situatë?
Si qytetare e Shkodrës jam e shqetësuar për situatën e krijuar, si Deputete e Qarkut jam e interesuar dhe plotësisht e vetëdijshme dhe e përgjegjshme për masat që duhen marrë e që po merren. I gjithë aparati ligjzbatues është vënë në lëvizje nga Qeveria për të adresuar situatën në Shkodër. Qarku i Shkodrës, i cili momentalisht është vendosur në qendër të fushatës së baltosjes së opozitës, ka parë numrin e vrasjeve të përpjesëtuar me tre, nga 18 në 2012-n, në 6 vitin e kaluar dhe 7 sivjet. Më e rëndësishmja, zbulueshmëria e vrasjeve në Shkodrës është rritur nga 64%. Gjatë dy viteve të fundit, çdo autor vrasjeje në Shkodër është zbuluar dhe hedhur pas hekurave. Grupet kriminale në Shkodër nuk u krijuan dje, por i kemi gjetur të ngritura dhe strukturuara që nga 2009, por ne me vendosmëri po veprojmë në Shkodër për të shkatërruar çdo veprimtari kriminale. Tashmë janë arrestuar katër persona dhe ndërkohë hetimet vazhdojnë dhe do të ketë edhe arrestime të tjera. Garantoj qytetarët shkodranë se operacioni “Forca e Ligjit” dhe lufta pa kompromis ndaj bandave është në veprim.
Meqënëse temë kryesore e punës suaj këtë kohë ka qenë miratimi i kartës së të drejtave të qytetarit, përfitoj nga rasti t’ju pyes mbi disa detaje që qytetarët ende nuk i njohin sa duhet. Si pritet të funksionojë?
Ne jemi në procesin e konsultimit publik dhe të miratimit të projekt vendimit për Kartën e të drejtave të Qytetarit në kuadër të reformës në shërbimet publike dhe shumë shpejt do të kemi një dokument themelor që informon dhe edukon qytetarët për të drejtat e tyre në marrjen e shërbimeve publike. Kjo njëkohësisht edhe për të rritur përgjegjshmërinë e punonjësve të administratës publike që ofrojnë shërbime. Pas miratimit, do të bëjmë një fushatë të gjerë komunikimi dhe ndërgjegjësimi me mbështetje të të gjithë aktorëve të përfshirë si edhe donatorëve për kartën e të drejtave të qytetarëve në përfitimin e shërbimeve publike. Jemi të vendosur për të transformuar njëherë e përgjithmonë mënyrën si ofron shërbimet dhe fokus jonë janë aksesi më i mirë, më shumë cilësi dhe transparencë. Këto, edhe si masa për luftën ndaj korrupsionit të vogël në zyrat e shtetit.
Çfarë pritet të zgjidhë ky projekt dhe a mendoni se implementimi i tij do të zgjidhë përgjithmonë ngërçin që krijohet shpesh herë në administratë për shkak të cilësisë së shërbimeve?
Karta nuk është një projekt i izoluar, por është pjesë e reformës së shërbimeve publike, një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në këtë mandat të dytë. Nga njëra anë kemi Kartën për informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe nga ana tjetër po punojmë me kodin e etikës për punonjësit e administratës që ofrojnë shërbime dhe me manualin e procedurave për standardizimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve. Tashmë qytetarët kanë më shumë akses përmes shërbimeve të ofruara online në E-Albania, shërbime që po shtohen në numër, por kanë edhe cilësi më të mirë në marrjen e shërbimeve përmes standardizimit të zyrave, qendrave të integruara ADISA, trajnimit të stafit dhe shtimit të kanaleve të ofrimit të shërbimeve. Është një sfidë e madhe sepse po ndryshojmë kulturën e punës në administratë dhe qasjen që qytetarët apo bizneset kanë ndaj shtetit, por jemi besimplotë që këto masa do të japin impaktin e pritur.
Një ndër prioritetet e punës suaj është “Reforma në Administratën Publike”, e cila është edhe në fokus të BE. Në çfarë faze jeni dhe kur mendoni se mund të kemi rezultate të kënaqshme?
Reforma në administratën publike është një ndër prioritetet e procesit të integrimit europian dhe jemi duke punuar për një rivitalizim të plotë e transformim të thellë të saj. Po punojmë ne disa drejtime sikurse janë shërbimet publike, procesi i derregullimit apo lehtësitë në barrën administrative në marrjen e shërbimeve nga shteti, zhvillimin e stafit, përmirësimin e sistemit të rekrutimit e promovimit etj. Ne po përpiqemi të transformojmë rrënjësisht kulturën e punës në administratën publike. Kjo bëhet vetëm me meritokraci, integritet, profesionalizëm e përkushtim – këto janë vlerat për të cilat ne po punojmë dhe që po promovojmë.
Dhe meqënëse po hyjmë në një sezon të ri zgjedhor, gjithnjë e më tepër emri juaj lakohet si një kandidaturë e mundshme e mazhorancës për Bashkinë Shkodër. Nëse do t’ju vinte një propozim i tillë, a do ishit e gatshme të kandidonit?
Jam e bindur që Partia Socialiste me kapitalin e saj të pasur njerëzor dhe me përgjegjshmëri ndaj qytetarëve, do të zgjedhë kandidaturën e duhur jo vetëm për Shkodrën, por për çdo qytet apo njësi administrative. E rëndësishme është të kemi një fushatë elektorale dhe një proces zgjedhor të denjë për një vend që aspiron të anëtarësohet në BE. Unë jam tashmë plotësisht e angazhuar në planin e punës si ZëvendësKryeministre dhe e përkushtuar që si pjesë e ekipit të punoj për një të ardhme më të mirë për vendin e shqiptarët./Tema