Nga Kaon Serjani
Gjatë seancës dëgjimore të datës 29 tetor në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, ku mora pjesë si përfaqësues i Institute for Faith and Cultural Engagement, u kundërshtua ideja se përkufizimi aktual i termit “gjini” — sipas të cilit “gjini… ka kuptim gjithëpërfshirës” — hap rrugën për interpretime që shkojnë përtej konceptit binar burrë–grua, dhe se, sipas shumicës së anëtarëve të pranishëm të Komisionit, ‘nuk ka vend për alarm.’
Përkundër këtij pretendimi, ka të paktën katër arsye të forta pse ky përkufizim aktual në projektligj krijon shqetësim serioz dhe për këtë arsye duhet ndryshuar.
Arsyeja e parë lidhet me mënyrën se si është ardhur në këtë përkufizim — diçka që zbulohet qartë nga gjurma e procesit zyrtar gjatë periudhës së konsultimit publik.
Drafti i parë i projektligjit, i publikuar për konsultim më 10 mars 2025, nuk përmbante asnjë përkufizim për “gjininë” dhe mjaftohej me një sqarim të thjeshtë në nenin 4, pika 1, gërma ë):
“Gratë dhe burrat, në kuptim të këtij ligji, nënkuptojnë gjithashtu vajzat dhe djemtë.”
Gjatë procesit të konsultimit publik, Aleanca LGBTI i paraqiti grupit hartues të projektligjit këtë kërkesë:
“Të zgjerohet përkufizimi i ‘gjinisë’, duke u parë në lenten e gjithëpërfshirjes, përtej konceptit binar burrë-grua.”
Siç shihet në tabelën zyrtare të raportit të konsultimit (pamja më poshtë), shpjegohet se kërkesa e Aleancës LGBTI-së:
“u reflektua në nenin 4, pika 1, gërma ë) me një përkufizim gjithëpërfshirës të konceptit ‘gjini’.”
Për të kuptuar se çfarë nënkuptohet me termin “gjithëpërfshirës” në përkufizimin aktual të projektligjit, duhet lexuar me kujdes kërkesa e Aleancës LGBTI, pas fjalës “gjithëpërfshirjes”, ku thuhet qartë:
“përtej konceptit binar burrë-grua.”
Edhe pse kjo fjali nuk është përfshirë drejtpërdrejt në tekstin përfundimtar të ligjit, termi “gjithëpërfshirës” në draftin aktual të projektligjit duhet interpretuar në dritën e këtij shpjegimi.
Ai është futur në tekst pikërisht për të nënkuptuar një koncept jo-binar të gjinisë, në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Aleanca LGBTI.
Në versionin final të projektligjit, përkufizimi për “gjininë” formulohet kështu:
“Gjini, sipas këtij ligji, ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.”
Siç duket qartë, gjurmët që ka lënë në sistem ardhja e përkufizimit se “gjinia … ka kuptim gjithëpërfshirës” tregojnë një zgjerim të qëllimshëm, i cili i jep status juridik kategorive të reja gjinore që dalin përtej binaritetit burrë–grua.
Arsyeja e dytë pse përkufizimi aktual është problematik ka të bëjë me përdorimin e terminologjisë që vjen nga ideologjia transgjinore.
Përveç fjalës “gjithëpërfshirës”, në përkufizim është shtuar edhe shprehja “identitet gjinor”, e cila e forcon më tej idenë se gjinia nuk lidhet më me ndarjen binare burrë–grua, por shtrihet përtej saj, duke e zhvendosur kuptimin nga biologjia drejt perceptimit subjektiv të individit.
Në mungesë të një përkufizimi të termit përbërës “identiteti gjinor” në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, po i referohem Fjalorit Enciklopedik Britannica, i cili e përkufizon si vijon:
“mënyra se si një individ e koncepton veten si burrë apo grua, si djalë apo vajzë, ose si një kombinim i burrit/djalit dhe gruas/vajzës, ose si dikush që lëviz mes këtyre kategorive, ose si dikush që nuk bën pjesë në asnjërën prej tyre.”
Edhe vetë Aleanca LGBTI, në faqen e saj zyrtare, ofron një shpjegim të ngjashëm për termin “identitet gjinor”, duke e përkufizuar atë si ndjenjën e brendshme të individit për gjininë me të cilën ai identifikohet dhe mënyrën se si e shpreh këtë në jetën e përditshme:
“Identiteti yt gjinor është sesi ndihesh ti përbrenda dhe si i shpreh ti këto ndjenja . E folura, gjestikulacioni, veshja, sjellja të gjitha këto mund të shprehin identitetin tënd gjinor. Shumica e njerëzve ndihen femra ose meshkuj por kemi dhe meshkuj qe ndihen femra si dhe femra qe ndihen meshkuj, ashtu si ka dhe njerëz qe ndihen të dyja ose asnjëra dhe etiketojnë veten si queer gjini variabël ose gjini fluide”
Pra, siç duket, përkufizimi i “gjinisë” me kuptimin “gjithëpërfshirës” — i përforcuar nga përfshirja e shprehjes “identitet gjinor” — e shkëput këtë nocion nga baza e tij biologjike dhe e lidh me vetëperceptimin subjektiv të individit.
Të marra së bashku, këto terma në përkufizimin aktual për “gjininë” tregojnë qartë se kuptimi i saj po zhvendoset përtej binaritetit burrë–grua, duke i dhënë fjalës një përmbajtje thellësisht ideologjike, e cila nuk qëndron më mbi bazën biologjike të natyrës njerëzore, por mbi ndjenjën personale dhe vetëdeklarimin subjektiv të individit.
Një arsye e tretë pse përkufizimi aktual ngjall shqetësim serioz është fakti se ai bie ndesh me përkufizimin gjuhësor dhe akademik të termit “gjini” që jep Fjalori i Shqipes së Sotme i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2002), i cili e përcakton kështu:
“Gjini – Tërësia e tipareve natyrore që dallojnë mashkullin nga femra dhe që i përcaktojnë secilit rolin e veçantë në riprodhimin e llojit; seks. Gjinia mashkull (femër). Pa dallim gjinie. Për të dyja gjinitë.”
Edhe botimi më i ri i vitit 2020 nga i njëjti institucion e përkufizon në mënyrë të ngjashme:
“Gjini – Tiparet natyrore që dallojnë mashkullin nga femra; seks. Gjinia mashkull (femër).”
Është e pashpjegueshme pse grupi hartues i projektligjit nuk i është referuar Fjalorëve të Akademisë së Shkencave për të përkufizuar termin “gjini”.
Përcaktimi i gjinisë me “kuptim gjithëpërfshirës” dhe i lidhur me “identitetin” apo “shprehjen gjinore”, duke qenë se nuk vjen nga asnjë autoritet akademik dhe as nuk është konsensual, tregon qartë se ai përfaqëson një qasje ideologjike që reflekton interesat e ngushta të disa grupeve aktiviste.
Një arsye e katërt që ngjall shqetësim lidhur me përkufizimin e fjalës “gjini” gjendet në pikën 2 të nenit 4 të projektligjit, ku thuhet:
“Termat e tjerë të përdorur në këtë ligj, të papërkufizuar në pikën 1 të këtij neni dhe që përkufizohen në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi, kanë të njëjtin kuptim si në atë legjislacion.”
Çfarë saktësohet këtu?
Ky formulim nënkupton se të gjithë termat që nuk kanë një përkufizim të ri brenda këtij ligji do të marrin kuptimin që kanë tashmë në legjislacionin ekzistues.
Por nëse një term — si në rastin tonë “gjini” — merr një përkufizim të ri, atëherë ky përkufizim fiton përparësi ligjore dhe do të përdoret në zbatimin e të gjitha dispozitave të këtij ligji.
Implikimi është i qartë:
Përkufizimi i fjalës “gjini” në këtë projektligj nuk është një detaj gjuhësor i parëndësishëm, por një element me efekt juridik detyrues, që do të mbizotërojë ndaj çdo kuptimi tjetër të mundshëm.
Në fakt, fjala “gjini” nuk është e përkufizuar askund tjetër në legjislacionin shqiptar — as në ligjin “Për gjendjen civile.”
Neni 2 i Ligjit nr. 10 129, datë 11 maj 2009, “Për gjendjen civile”, i cili përmban përkufizimet themelore, nuk jep asnjë përkufizim për gjininë.
Kjo ndodh sepse, deri më sot, nuk ka pasur nevojë për një përkufizim të tillë: është marrë si e mirëqenë që gjinitë janë dy — mashkull dhe femër.
Rrjedhimisht, nëse miratohet në këtë formë, projekligji do të krijojë për herë të parë në historinë ligjore të Shqipërisë një përkufizim zyrtar të fjalës “gjini.”
Prandaj, rëndësia e këtij përkufizimi është e dyfishtë:
(1) Sepse përcakton mënyrën se si kuptohet “gjinia” në këtë ligj;
(2) Sepse do të ndikojë në mënyrën se si do të interpretohen në të ardhmen të gjitha ligjet e tjera që përdorin termin “gjini.”
Është e qartë, pra, pse grupe të caktuara interesi po kërkojnë ta zgjerojnë kuptimin e këtij termi për të përfshirë kategori të reja gjinore: nëse ky përkufizim miratohet, ai do të bëhet pikë referimi për gjithë sistemin juridik shqiptar.
Për këto katër arsye të sipërpërmendura, përkufizimi aktual i fjalës “gjini” në projektligjin “Për barazinë gjinore” mund të konsiderohet “Kali i Trojës” i ideologjisë transgjinore në legjislacionin shqiptar.
Ashtu si në mitin e lashtë trojan, ku qyteti i Trojës ra pasi pranoi brenda mureve një dhuratë që fshehte ushtarë armikë, edhe ky përkufizim vjen nën petkun e barazisë gjinore, por në fakt fsheh një ndryshim themelor, që hap portat për hyrjen e ideologjisë gjinore në mënyrë të heshtur në sistemin juridik, arsimor dhe institucional të vendit.
Për këtë arsye, në vend që projektligji në formën e tij aktuale të përbëjë një hap përpara drejt barazisë, ai rrezikon të rrënojë themelet biologjike, gjuhësore dhe juridike mbi të cilat qëndron vetë nocioni i “barazisë gjinore.”
Ndaj, ndryshimi i këtij përkufizimi nuk është çështje teknike, por thelbësore — për të ruajtur koherencën e ligjit, për të mbrojtur qartësinë juridike dhe për të garantuar që barazia gjinore në Shqipëri të mbështetet mbi realitetin biologjik, e jo mbi konstruksione ideologjike.
Nëse duam barazi të vërtetë, ajo duhet të ndërtohet mbi të vërtetën e natyrës njerëzore, jo mbi mohimin e saj.











