Gjatë vitit që lamë pas Kalaja e Gjirokastrës u vizitua nga një numër më i lartë turistësh krahasuar me 2022.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër në periudhën 1 Janar-31 Dhjetor 2023 ky monument kulture nga më të veçantët për vendin tonë por edhe më gjerë u vizitua nga 217.906 turistë vendas dhe të huaj, duke regjistruar 78.970 vizitorë më shumë krahasuar me vitin 2022.
Vazhdimisht Ministria e Kulturës e ka cilësuar kalanë e Gjirokastrës si një ndër monumentet më të vizituar në rang vendi. Përgjatë vitit të kaluar kalaja e gurtë u kthye në qendër të organizimit të aktiviteteve të shumta kulturore mes të cilëve mikpriti edhe Festivalin Folklorik Kombëtar.
Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme.
Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e kalasë pret me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare, në kuadër të organizimit të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. Kalaja e gurtë është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e UNESCO-s.
/f.s