Ismail Kadare edhe këtë vit është në mesin e pretendentëve kryesor për çmimin Nobel. Shkrimtari i lindur në Gjirokastër nuk mungon në asnjë listë të agjencive të ndryshme që bëjnë parashikimet e tyre për kandidatët.
Media të tilla si ‘La Repubblica’, Affaritaliani.it, swissinfo.ch, ‘Wyborcza’, ‘Rai News’ dhe ‘Daily Mail’ kanë publikuar listat me kandidatët e mundshëm.
Prej më shumë se dyzet vjetësh, emri i Kadaresë ka qenë në listën e pretendentëve. Shpeshherë, edhe në listën e shkurtër. Vetë prania në këtë listë të përvitshme është një vlerësim i madh për çdo shkrimtar.
Përveç Kadaresë në këtë listë janë edhe shkrimtarja bjelloruse Svetlana Alexievich, autori kenian Ngugi wa Thiong’o, romancieri nga ShBA Joyce Carol, poeti koreano-jugor Ko Un, poeti sirian Adonis, romancieri japonez Haruki Murakami si dhe autori hungarez Peter Nadas. Këtë vit iu shtua listës së pretendentëve edhe Ursula Le Guin, shkrimtare e letërsisë shkencore nga SHBA. Sipas shumë kritikëve, ajo mund të jetë edhe laureate. Do të ishte e para nobeliste e këtij zhanri.
Shkrimtarët amerikanë kanë mbi 20 vjet që nuk e marrin Nobelin. Toni Morrison ishte shkrimtarja amerikane që e fitoi Nobelin më 1993.
Vitin e kaluar Nobelin e fitoi Patrick Modiano i Francës.
Laureatët e Nobelit të këtij viti do të marrin tetë milion korona suedeze (rreth $950000 ose 855,000 euro)/Onufri/