Janë dashur tri ditë insistime të vazhdueshme për ta bindur shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadarenë që të japë një intervistë për ngjarjen e madhe që do të ndodhë sot, pavarësinë e Kosovës. “Shumë e bukur për të qenë e vërtetë”, do të thoshte dikush. Ai insistonte që të mos fliste rreth kësaj teme, pa ndodhur vërtet.
Por, në fund, ai duket se u bind se pavarësia e Kosovës tashmë është punë e kryer.
Të shtunën pasdite, shkrimtari shqiptar me nam botëror, perms telefonit, dha një intervistë të gjatë për Express.
Nga Parisi, Ismail Kadare shfaqi ndjenja ngazëllimi për ngjarjen që do të ndodhë sot pasdite. “Çdo gjë që të themi neve është e zbehtë. Gjuha nganjëherë nuk është e përgatitur për ngjarje kaq të rralla”, u shpreh ai. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është diçka e jashtëzakonshme për nga përmasat e saj.
Express: Para 100 vjetësh, shqiptarët ishin të shkapërderdhur në katër Vilajete të Perandorisë Osmane. Kishte një populate të varfër,të pa-arsimuar, elita e saj ndërkaq jetonte në mërgim. Shumica e fushave të këtyre trevave shqiptare ishin në fakt moçalishte.Si ndjeheni ju, tash, në prag të formimit të shtetit të dytë shqiptar,Kosovës?
Kadare: Zakonisht thuhet se shqiptarët kanë qenë një popull pa fat në histori. Unë do ta vija në dyshim këtë shprehje. Ne, aq sa kemi pasur probleme të rënda, dramatike, në historinë tonë, aq edhe kemi pasur fat disa herë. Për shkak se ajo që thatë ju është gati
e pabesueshme sot, kur e mendon se si në vitin 1912, gati 100 vjet më përpara, kur ishte një Shqipëri, do të thosha, karikaturale, një hije e zbehtë e një shteti të pocaqisur në Perandorinë Osmane, se si arriti kjo Shqipëri pa shkolla, pa jetë kulturore, pa jetë institucionale, me një diasporë të shpërndarë në katër anët e botës, se si arriti në një çast aq të vështirë të historisë europiane të krijonte shtetin shqiptar, mua ende edhe sot më vjen habi e madhe. Prandaj, mendoj se ne shqiptarët nuk jemi kaq të pafat sa kujtojmë.
E njëjta gjë është edhe me shtetin e dytë shqiptar që po krijohet në Ballkan. Ta thoshe këtë gjë në ’99, ’98, dhjetë vjet më përpara, do dukej ëndrra më utopike, më absurde, në botë. Jo vetëm që do të marrë fund sundimi serb në Kosovë, por do të marrë fund pas një bombardimi, pas një ndëshkimi që i bën Europa, pra Europa e ndëshkon Jugosllavinë për shkak të shqiptarëve, do të ishte e pabesueshme.
Do të ishte e pabesueshme që Serbia do të dëbohej nga Kosova. Dhe, pabesueshmëria e fundit do të ishte që do të ketë dy shtete shqiptare në Ballkan. Prandaj, për të gjithë ne, duke ditur të gjitha problemet dhe vështirësitë që dalin përpara, të gjitha sfidat që ka Kosova – për të cilat duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se i ka – prapëseprapë mendimi ynë duhet të jetë me një ngazëllim të plotë nga kjo anë, se është kryer diçka e cila nuk merrej me mend se do të kryhej. Dhe, është kryer relativisht shpejt, po të merrej parasysh ’98, kur u acarua konflikti në Ballkan, kurse sundimi serb ishte i gjatë, tepër i gjatë. Kjo tregon se kombi shqiptar, pavarësisht nga këto telashe të mëdha që ka kaluar, shekulli i fundit ka qenë përgjithësisht – në disa pika themelore – shumë rezultativ, me disa përfundime të papritura, të forta, sikurse ka pasur edhe drama të mëdha. Një ndër to është edhe incidenti komunist, incidenti i stalinizmit shqiptar në Shqipërinë historike. Drama tjetër ka qenë persekutimi për një kohë të gjatë i Kosovës nga komunizmi serb.
Express: Shteti i ri i Kosovës do ta ketë flamurin, stemën, himnin e madje ka njerëz që besojnë se duhet ta ketë edhe një standard tjetër të gjuhës. Në këtë kontekst, a mendoni se kështu Kosova do ta krijojë një identitet të saj,shtetëror,por edhe nacional, pas një periudhe kohore?
Kadare: E para, një herë, nuk e kuptoj pse duhet shtruar një problem i tillë. Do të thotë, me çfarë synimi shtrohet; si një gjë që kinse i duhet Kosovës për të njëmendësuar edhe më mirë atë që, si të thuash, pavarësinë e saj, që nuk mendoj se është fare kështu. Apo, ka edhe ndonjë arsye tjetër? Mendoj se që të krijohet një shtet i ri shqiptar – nuk ka lidhje fare që të shoqërohet me një dyzim të identitetit shqiptar, sepse ky është një gjymtim i ri i kombit. Ka qenë një gjymtim gjeografik, politik, shtetëror, tash ky gjymtim bie dhe krijohet artificialisht një gjymtim i ri, një ndarje të re.
Ju përmendet gjuhën, disa përmendin identitetin, nesër do të përmendin historinë, kujtimet kombëtare, psikologjinë etj, etj. Për të ardhur tek një tezë e mbrapshtë që nuk ka një komb shqiptar, por paska dy kombe. Se si do të quhet ky komb tjetër, unë ende nuk e kam të qartë. Prandaj, mendoj se ky është një diskutim shumë i ngutshëm, i pamenduar, i paqartë, i turbullt. Të vijmë tek një nga shembujt, gjuha. Gjuha është një nga elementet bazë të një kombi. Artificialisht duan të krijojnë një gjuhë tjetër, gjithashtu e thashë se si do të quhet kombi tjetër njëjtë them edhe si do të quhej gjuha tjetër. Duhet të dimë se shtete të ndryshme me gjuhë të njëjtë: Gjermania, Austria, Anglia, Amerika, Franca, Belgjika… Do të thotë, nuk është ndonjë kërkesë, domosdoshmëri, ose një ndihmë për shtetin e ri që befas të kërkojë që të ndryshojë gjuhën. Dhe, bashkë me gjuhën, pastaj, aq më tepër të ndryshojë kujtimet kombëtare, atë që quhet identitet.
Mendoj se ky është një reflektim i përçudur i asaj që quhet Shqipëri e Madhe. Është hapur një legjendë e madhe prej vitesh për të penguar Kosovën që të marrë lirinë. Dhe, një ndër argumentet ishte – nëse Kosova merr pavarësinë, do t’i hapim rrugë rrezikut të tmerrit, të gogolit, fantazmës së Shqipërisë së Madhe.
Vite me radhë u shfrytëzua kjo frikë artificiale, e krijuar me qëllim të keq për të penguar pavarësimin e Kosovës. Kur kjo frikë u duk se ishte ngritur në mënyrë artificiale, që nuk qëndronte. Kam frikë se ky kërkim i një identitetit të ri i shqiptarëve të Kosovës, natyrisht prej disave, për shkak se mendoj që ky është një mendim në disa grupe të caktuara, ky kërkim i një identiteti të ri është një kërkim i një lloj projektimi i një rreziku të paqenë. Kjo do të thotë se ne, dakord nuk po e bëjmë Shqipërinë e Madhe, por, ama, do të bëjmë çmos që ky kombi shqiptar mos të duket i madh, ose të mos krijojmë një Shqipëri të Madhe të ndryshme shpirtërore, kulturore, gjuhësore, historike, etj. Pra, është e njëjta frikë, që ndoshta tash transferohenga sfera politike, gjeografike, në diçka të brendshme. Si e tillë, mendoj unë, është po aq qëllimkeqe.
Express: Statusi i Kosovës do të jetë një pavarësi e mbikëqyrur, e definuar sipas Pakos së Martti Ahtisaarit. A mendoni se kjo Pako mund ta komplikojë organizimin e brendshëm shtetëror, duke ditur diskriminimin ekstra pozitiv që u bën vendbanimeve serbe në Kosovë?
Kadare: Ky është një nga problemet më serioze në këtë dalje. Natyrisht, nuk duhet tepruar si problem, sepse nuk mendoj që bashkësia europiane dhe eksper- tët që njohin Kosovën, e që do të jenë atje për të ndihmuar njëmendësimin e pavarësisë së Kosovës, do të jenë kaq naivë saqë mos ta kuptojnë se në një shtet të ri, që është shteti i ri shqiptar, mund të lejohet që gjërat të shkojnë deri në absurditet. Pra, të abuzohet, të spekulohet me disa parime që janë të drejta, por që duke u keqinterpretuar, duke spekuluar me to, mund të kthehen në parime bllokuese, të padrejta. Është krejtësisht e drejtë që pakicat në Kosovë të respektohen në maksimumin e standardeve europiane, e në radhë të pare sigurisht pakica serbe.
Por, unë prapë i kthehem asaj se nuk besoj që europianët do të jenë kaq naivë sa të lejojnë bllokadë, ose me një gjuhë më të thjeshtë që quhet sabotim i gjithçkaje në Kosovës. Sepse, nganjëherë, respektimi i të drejtës dhe kalimi i asaj si një mjet bllokues – nuk janë shumë larg. Ky rrezik do të jetë në Kosovë. Mendoj se kjo nuk është fatale, ka zgjidhje. Kjo kërkon vetëm që pala shqiptare të jetë korrekte në angazhimet e saj dhe me përpjekje do të zgjidhet, do të sqarohet gradualisht.
Ndryshe, Kosova nuk funksionon dot, pasi që nëse do të ketë pengesa të tilla, të krijuar me qëllim për të penguar dhe jo me qëllim për ta çuar përpara këtë shtet të ri.
Express: Thatë se shqiptarët nuk kanë qenë popull aq i pafat. Në fakt,tashmë në Kosovë është bërë klishe të thuhet se meritor për pavarësinë e Kosovës është populli i Kosovës dhe miqtë e shumtë perëndimorë. Por,çfarë realisht ndodhi që Perëndimi u rreshtua kaq fuqishëm përkrah popullit shqiptar, në këtë rast përkrah Kosovës?
Kadare: E para, një herë, për pyetjen që diskutohet shpesh – cili ishte faktori kryesor për çlirimin e Kosovës? Kjo është e qartë për të gjithë, ose duhet të jetë e qartë për të gjithë, se këtu janë dy faktorë, të cilët pa njëri-tjetrin do të ishin të mangët. Në radhë të parë, ishte rebelimi i drejtë shqiptar, kryengritja shqiptare, lëvizja shqiptare, lufta shqiptare, kam parasysh lufta për çlirim që udhëhoqi UÇK.
Pa të, problemet e Kosovës do të zgjasin ende. Një ditë do të merrej vesh e vërteta. Por, e vërteta që ndonjëherë përmes një veprimi, që është edhe heroik dhe dëshpërues, e edhe imediat – ritmi i kësaj të vërtete që shpërthen në këtë mënyrë, është shumë efikas. Dhe, kjo ndodhi. Pa një përpjekje të tillë, ndoshta përgjumja ndërkombëtare, dremitja do të vazhdonte shumë gjatë. Pra, ishte ky faktor i domosdoshëm. Për një fat të shqiptarëve, ky faktor gjeti mirëkuptim nga bashkësia europiane.
Sepse, një kohë ai edhe mund të mos gjente mirëkuptim. Ju e dini se për një kohë të gjatë, UÇK, lufta e saj u quajt terroriste dhe propaganda jugosllave ishte kaq e zellshme në këtë gjë sa që kishte arritur të çorodiste një pjesë të opinionit ndërkombëtar, sidomos europian. Fati jonë e deshi që në këtë opinion europian pjesa më përparimtare e tij, e ndihmuar nga faktori i një pjese intelektuale tepër të guximshme të Europës, i një lëvizje të një opinion tepër progresiv europian, zbardhi të vërtetën, se propaganda jugosllave po mashtron. Kështu që ndodhi një ndërthurje e lumtur, do të thosha unë, që faktori i brendshëm të ketë një mirëkuptim nga faktori ndërkombëtar. Dhe, ndodhi ajo që ndodhi. Ndodhi ajo që ishte e pabesueshme. Që Jugosllavia, e cila ishte kanakarja e Europës Perëndimore dhe asaj Lindore një kohë të gjatë, u bombardua nga Europa për hatër të shqiptarëve. Kështu që, mendoj se të dy këta faktorë – nuk mund të kuptohenpa njëri-tjetrin.
Express:Mendoni se shqiptarët janë me fat që në këto 20 vjetët fundit paten elitë intelektuale dhe lider politikë, të cilët bën zgjedhjen e duhur – rreshtuan masat në bllokun e shteteve perëndimore?
Kadare: Nuk është e thënë që një kauzë e drejtë e një populli të vogël të gjejë mirëkuptim ndërkombëtar. Historia na jep të dyja rastet. Nga një anë, duket se e drejta fiton gjithmonë, i cili është një mentalitet popullor që disa here naiv, në fakt e drejta nuk fiton gjithmonë. Ne e dimë se ka popuj të tjerë, që njësoj sikur neve, ju është shkelur më këmbë e drejta e tyre. Prandaj, këtu është e drejtë të përdoret fjala FAT.
Ne shqiptarët e Shqipërisë historike ishim të rreshtuar në një kamp fatalist të gabuar, kemi qenë në një gjendje staliniste, të pandreqshme. Ne kishim shpallur armiq, miqtë tanë. Gjë më të mbrapsht në botë nuk mund të ndodhte.
Me qëndrimin tonë të keq, ndikonim për keq edhe për qëndrimin ndaj Kosovës. Si të thuash, ne mbronim Stalinin, ne nga kjo anë ishim turpi i botës dhe sigurisht se ne ishim të braktisur nga vëmendja ndërkombëtare, e një pjesë e kësaj braktisje i kalonte dashur pa dashur edhe Kosovës.
Pa rrëzimin e komunizmit, Kosova nuk kishte gjasa ende të çlirohej. Do të thotë, faktori i pare që ishte, nuk ishte as i brendshëm i shqiptarëve të Kosovës dhe as factor i diplomacisë perëndimore. Ishte një para-faktor, pra rrëzimi i komunizmit, diçka që erdhi i papritur, i paparashikueshëm nga asnjë agjenci botërore. Rënia e komunizmit i hoqi bazat sundimit serb në Kosovë. Nuk është e rastit që lëvizja për çlirim në Kosovë mori hov pas rënies së komunizmit. Kjo ishte një rrjedh natyrale e historisë.
Express: Kushtetuta e Re e Kosovës parasheh mosbashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër. Por, çfarë mendoni ju, a mund të ndodh që në 100 vjetorin e shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, pra pas katër vjetësh, Kosova dhe Shqipëria të bashkohen?
Kadare: Këtë çështje unë nuk e kam parë të shtrohet diku. Nuk mendoj se është një problem për t’u shtruar. Është një problem që mendoj si i përket distancave të mëdha kohore. Populli shqiptar ka gjëra tjera përpara. Kosova ka shumë gjëra që duhet t’i zgjidhë, nga të cilat nuk duhet të trembet aspak, sepse një nga karakteristikat e lirisë është dinamizmi i jetës, i problemeve, të cilat kërkojnë zgjidhje.
Shqiptarët kanë dhënë të kuptohet, përmes disa formave, se ata kanë bërë një sakrificë, kanë hequr dorë nga një ide që qarkullonte në mënyrë jo të organizuar. Pasi që çdo popull e ka në subkoshiencën e tij, një ide të natyrshme, të jetë familja bashkë. Por, këtu nuk ka pasur programe, zyra, organizimi nuk ka pasur as të hapura as të fshehta për një gjë të tillë. Prandaj, aq më pak kjo çështje mund të shtrohet kur shqiptarët sapo morën Kosovën në duar. Unë nuk e di të jetë shtruar kjo çështje edhe në Kosovë.
Express: Në fakt kjo çështje shtrohet prej qarqeve ende margjinale,
por që nuk dihet se si do të rrjedhin ngjarjet më tej. Por,a mendoni se bashkimi i shqiptarëve në fakt do të ndodh në Bashkimin Europian?
Kadare: Hyrja e Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, që është një çështje që mund diskutohet në mënyrë konkrete, praktikisht hyn hapësira shqiptare, e cila edhe në këto dyja – nuk është e plotë, po të shikohet nga ana gjeografike ose politike.
Bota shqiptare, hapësira shqiptare, universi shqiptar, në një Europë, e bashkuar vetvetiu, i dedramatizon kufijtë, i kthen ata në një faktor të dorës së dytë, të tretë. Kryesorja është që populli shqiptar t’i zgjidhë problemet e tij vitale, të shëndoshet, të forcohet, të përparojë, të emancipohet, të qytetërohet, të krijojë standarde të larta dhe të gjitha problemet tjera vetvetiu shkojnë drejtë zgjidhjes.
Kosova, për shembull, ka problemin e jashtëzakonshëm të papunësisë, problemin e jashtëzakonshëm të funksionimit të degëve të përgjithshme të ekonomisë, etj. Të njëjtat probleme i ka edhe Shqipëria. Madje, disa herë më të mbrehtë. Kështu që, mendoj se energjitë tona kanë ku derdhen një kohë të gjatë, pastaj duke hyrë në Europë gjithçka ndryshon, vizionet, realitetet ndryshojnë, zgjidhen probleme që dukeshin të pazgjidhshme dhe dalin njëkohësisht probleme që kanë qenë të paparashikueshme.
Kjo është jeta e kontinentit europian. Fatmirësia më e madhe e kombit shqiptar sot është se ideja shqiptare me idenë europiane – përkon. Nuk ndeshen. Shqipëria po përfiton nga kjo bashkë-udhëtim me Europën, nga kjo bashkëpërputhje strategjish, mendimesh, për gjërat themelore. Falë kësaj, u krijua shteti i dytë shqiptar.
Prandaj, ky është një fat i madh. Ka vende që gjykojnë se ju pengon hyrja në Europë, ju pengon aspirata europiane. Kurse, aderimi ynë në aleancën Euro-Atlantike dhe në Bashkimin Europian është tepër i sinqertë, i vërtetë, sepse lidhet me ekzistencën tonë, me sigurinë tonë për të ardhmen, me zhvillimin tonë ekonomik, kulturor me gjithçka.
Express:Ka njerëz që mendojnë se Kosovës duhet t’i ndërrohet emri. Cili është mendimi juaj, zotëri Kadare, a duhet t’i hyhet kësaj aventure apo jo?
Kadare: Mendoj se është një gjë që ndoshta është e parakohshme që të shtrohet tashti. Është një problem jo fort i rëndësishëm, është një problem “luksi”. Është e vërtetë se fjala Kosovë është një fjalë serbe, sllave, e vërtetë. Por, unë zakonisht e kam një parim se nuk dua të hyj në gjëra që i përkasin shqiptarëve të Kosovës, pasi që është mendimi i tyre zotërues në këtë rast që duhet të merret parasysh. Nuk mendoj se është një gjë që nuk pret. Sigurisht se mund të shtrohet, mund t’i vijë radha. Shumë shtete në botë, këto 30-40 e fundit, kanë ndërruar emrat. Nuk është kjo
ndonjë skandal, nuk është ndonjë gjë e paparë në botë. Por, se sa është për t’u shtruar tashti, nuk jam i sigurt. /Intervista është realizuar nga kryeredaktori i Gazetes Express, Leonard Kerquki.