Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për pezullimin e dënimit të Adriatik Llallës me 2 vite burg. Ish-kryeprokurori bëri këtë kërkesë me arsyetimin se vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe se izolimi do i sillte pasoja të rënda për shëndetin.
Avokat i tij Sokol Hazizaj u shpreh se “Italia e njeh gjendjen shëndetësore të rënduar dhe ka pezulluar ekstradimin. Çuditërisht gjykata shqiptare se njeh.”
Ndërsa kreu i SPAK, Arben Kraja tha: “Gjendja shëndetësore e Llallës është e njohur, por nuk është shkak për pezullim. Kjo gjendje ka qenë prej kohësh. Ka kryer funksione të larta dhe nuk është bërë pengesë sëmundja.”
Ish-kryeprokurori iu drejtua përpara disa ditësh me një kërkesë Gjykatës së Lartë, ku i kërkoi pezullimin e dënimit të tij me argumentin se vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe se izolimi i tij do i sillte pasoja për shëndetin.
Trupa gjkykuese e Gjykatës së Lartë e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simonit vendosi këtë të premte të rrëzojë kërkesën e ish-zyrtarit të lartë.
Ish-kryeprokurori Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Më konkretisht ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7000 dollarë për lindjen e djalit të tij, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë te banesës si dhe shkollimin e vajzës së tij në gjermani.
Gjithashtu ndaj ish-kryeprokurorit gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurisë. Më konkretisht bëhet fjale për një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës. Në vendimin e saj Apeli i GJKKO-së, thotë se ish kryeprokurori për 5 vite nuk duhet te ushtrojë asnjë funksion publik.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i arratisur nga vendi para vendimit të formës së prerë që e dënoi me dy vjet burg për “fshehje të pasurisë”, u arrestua në Itali ne dhjetor te vitit te kaluar.
Llalla ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane në pritje të vendimit që do të marrë gjykata pas kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.
g.kosovari