Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, komentoi shtyrjen edhe një herë tjetër të datës së mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Tiranën dhe Shkupin.
Sipas tij, “nëse kryeministri do t’i kishte bërë reformat deri në fund, nuk kishte Maqedoni Veriu që do të na ndalonte. Ata e dinë që edhe kryeministri shqiptar nuk ka qenë me vullnet të plotë për Reformën në Drejtësi dhe Reformën Antikorrupsion. Kam përshtypjen që kryeministrit i kanë thënë që të eliminojë korrupsionin nga qeveria. Ambasadorja amerikane sot tha se “këta bëjnë sikur”. Unë e dija se, pa nisur goditjen penale për korrupsionin, nuk kishim shpresë për hapje negociatash. Por, këta e bënë fakt të kryer nisjen e negociatave”.
Ngjela thekson se duhen kapur peshqit e mëdhenj dhe se Shqipëria është e “pushtuar” nga korrupsioni.
“Ka nisur procesi, por nuk ka shkuar ende te peshkaqenët. Ambasadorja sot goditi KLGJ-në dhe KLD-në, domethënë që këta ka kapur korrupsioni, këtyre i tha “bëni sikur”. Pushtuesi nuk bën ndonjë gjë më të madhe sesa bëjnë të korruptuarit. Pushtuesi merr paratë e popullit dhe i çon në vendin e vet. Shqiptarët janë të pushtuar nga korrupsioni. Këta po tremben pasi antikorrupsioni po u merr drejtësinë dhe kur i merret drejtësia, të korruptuarit janë të pambrojtur”, u shpreh Ngjela.
/a.r