Nëse do pyesësh autoritetet e policisë shqiptare, përgjigjja është e njëjtë. Nuk ka treg ilegal të armëve, paçka se faktet dhe vetë kapjet e policisë kanë treguar të kundërtën. Ato vijnë nga Kosova, Maqedonia dhe Turqia, por edhe vende të tjera dhe sot kërkohen nga kategori të ndryshme njerëzish
Nga Ben Andoni
Vrasjet e fundit kanë treguar se armët në qarkullim jo thjesht janë të shumta, por edhe janë të llojeve të ndryshme. Paçka pretendimeve të zvogëlimit të tyre, duket se shteti e ka të pamundur të ndërhyjë në tregun e armëve, por edhe se në Shqipëri ka një strukturë të tërë që e bën këtë punë.
Një strategji armësh që u inincua nga ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri shpalli publikisht se Shqipëria po futej në udhë të mbarë dhe se kishte një predispozitë kombëtare për dorëzimin e armëve. Në fakt, duket se armët jo vetm nuk janë pakëuar por duken më të sofistikuara. Aksioni i fundit i mbledhjes se armëve vijonte disa fushata, ku më e njohura syresh do të ishte ajo pas vitit ’97, prej autoritetit të lartë të policisë, Xhavit Shala. Shqiptarët të habisin me arsenalet e armëve por edhe për trafikun ilegal të armëve, që në përgjithësi, mundohen ta tregojnë me sa më pak pasoja. Ky fakt, sot, nuk mund të injorohet më.
Shqiptari është kaq i lidhur me armën saqë në strategjinë e mbledhjes së armëve, në fillim të viteve 2000, autoriteti i lartë i policisë, Xhavit Shala do të habitej, teksa ndër armët e vetëdorëzuara- figuronin dhe shumë prej atyre që ishin armë të Luftës së parë Botërore. Për hir të së vërtetës, tek fotot e Marubit, mund të habitesh me maninë deri në budallallëk të shqiptarëve për armën, filluar nga shumë dekada më parë, ku individë të ndryshëm janë të mbathur me të gjitha armët e gjithë ushtrive të kohërave, që kanë kaluar në vend. Por, kjo s’ishte e panjohur. Shqiptari, për arsye kanuni, burrnie, ekzistence duhej që në shtëpinë e tij të kishte patjetër një armë. Pak rëndësi kishte se çfarë ishte ajo. Një shtëpi pa armë ishte si një shtëpi e shkretë. Kjo tregti, filloi që të lulëzonte pas vitit ’90. – Në fillim më e zbehtë, por me hapjen e kufijve shumë më e sofistikuar.
“Në mënyrë ilegale në atë kohë në Shqipëri qarkullonin armë nga më të ndryshmet. Qarkullonin ato që ishin prodhim shqiptar apo ish në pronësi të ushtrisë shqiptare. Qarkullonin armë më të sofistikuara, të cilat kishin ardhur “tranzit” në Shqipëri, për të shkuar në Kosovë, por që çlirimi i Kosovës ua ndërpreu udhëtimin. Ndoshta mund të duket çudi, por shumë prej tyre ishin të prodhimit rus e serb dhe kishin ardhur nga Mali i Zi. Më pas, nevojat e tregut vendas ishin për armë të vogla brezi. Këto nevoja plotësoheshin nga rrjetet kriminale rajonale, të cilat janë vënë në vazhdimësi në shënjestrën e agjencive ligjzbatuese shqiptare”, citojmë pak kohë më parë studiuesin e Sigurisë Kombëtare, Xhavit Shala. Kuptohet se në vitet e para të shekullit të XXI, dëshira për armë, nuk është më një arsye burrnie. Ajo është mirëfilli mjet pune.
Kush i merr ato
Ky mjet pune është i dobishëm për një sërë njerëzish që janë të angazhuar në çështje të ndryshme. Të shumtë janë kategoritë e individëve. Më së pari duken njerëzit që janë të kërcënuar direkt, apo indirekt. Flitet për personat që kanë lidhje me gjakmarrjen, individët e përfshirë në trafikun e drogës, killerat, biznesmenët, por edhe shumë kategori të tjera. Një burim i prokurorisë, që nuk ka dashur të identifikohet, ka bërë me dije se këto armë blihen natyrshëm në tregun ilegal. Më së shumti besohet që të jenë ato që njihen me emrin “Mini Blow” dhe janë të kalibrit 6.35 mm. Sipas burimeve të prokurorisë, që u jemi referuar kohë më parë, e që kanë marrë pjesë në grupet hetimore që kanë lidhje me trafikun në Kosovë, një armë e blerë në më pak se 60-80 mijë lekë (shifër e përafërt) shitet në Shqipëri deri më 160 euro apo 200 euro. Harta e njerëzve, që i duan ato tashmë, përfshin jo vetëm ata që janë të rrezikuar, por edhe një grup, që i kanë nevojë për hobi ato. Kuptohet sipas rëndësisë dhe armës, çmimet shkojnë deri më 500 Euro. Një nga pikat më interesante mbetet Kosova, kjo për shkak të lirshmërisë së kalimit të kufirit dhe lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në një rast të tillë, pak vite më parë, aksioni i koduar “Stuhia” bllokoi 100 pistoleta “Mini Blow”, të cilat vinin në Shqipëri nga Kosova. Ajo vuri në pranga disa qytetarë nga veriu i vendit me një “Ford Transit”. Ndalimi, që iu bë atyre nga agjentët e sektorit të Antitrafiqeve në Policinë e Shtetit, ishte nisur prej shumë javësh më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Sa janë çmimet
Kuptohet se kategoria më e lehtë për t’u gjetur në Shqipëri janë pushkët automatike dhe jo-automatike. Në disa raste ato janë shumë më të lira se pistoletat. Pas vitit ’97 ende në duart e popullsisë (me gjithë një punë të madhe për kthimin) është ende një kontingjent i pakthyer. Një kallashnikov, prodhim vendas, mund të gjendej deri vonë nga 200-300 euro ashtu si armë të tjera (kallashnikov lindor) për deri 400 euro. Vetëm se pistoleta, me të cilën kryhen shumë krime, është më shumë e manovrueshme. Nga burime, që nuk duan të identifikohen nga policia dhe që kanë bërë prezent këtë fenomen për median, besohet se armët vijnë nga Kosova, Maqedonia dhe Turqia, që janë respektivisht tre kanalet- ku shqiptarët operojnë më shumë për shkak të lehtësive doganore dhe marrëdhënieve të shumta. Një ‘Mini Blow’ mund të gjendet deri më 200 Euro, ndërsa thuhet se TT-të, apo beretat italiane mund të kushtojnë nga 300-400 Euro. Sa për armët e tjera, që duken pak si jo të zakonshme, ato mund ti gjesh për 450-500 euro.
Në fakt, policia është duke luftuar shumë për të prerë këtë lloj tregtie, e cila u shtua shumë sidomos pas Luftës së Kosovës dhe që kishte lidhje dhe me hapjen e depove të shumta pas vitit ’97. Por, duket se sa më shumë lufton policia aq edhe më shumë sofistikohet edhe bota e errët e këtij trafiku. (javanews)