Nga Dr. Bledar Kurti/
Duke qenë se jemi në ditët e festës së Pashkës, duke lënë mënjanë shkrimet dhe leximet e përditshme mbi çudirat e politikës shqiptare apo të dokrrave të brezit të sotëm të makiatos, është me vend ti kushtojmë vëmendje atij për të cilin festohet Pashka, Jezusit Krishtit.
Gjatë kohëve të vundit, si në çdo fushë tjetër që preket nga liberalizmi, janë hedhur spekullime të ndryshme mbi figurën apo vetë egzistencën e Jezus Krishtit. Janë hedhur ide të ndryshme mbi natyrën dhe fytyrën e tij. Shumë e kanë konsideruar si një ide e jo njeri, një frymëzim e jo personazh historik, një moral e jo hyjni, një legjendë e jo faktik, një mit dhe jo Krisht. Ndaj, edhe sot ka opinione se Jezus Krishtin duhet ta shohim si një moralist, si një guru të dashurisë, i cili tha shumë gjëra të bukura mbi dashurinë e harmoninë me njëri tjetrin: kur të godasin në njërën faqje ktheji tjetrën, duaje armikun tënd, e të tjera si këto, të cilat na shërbejnë për të jetuar një jetë më të paqtë, për të ngrënë gjel deti për Krishtlindje e vezë të kuqe për Pashkë. Por, e vërteta është se Jezusi i Nazaretit është personazh historik, ka egzistuar që çke me të.
Në pothuajse dy mijë vite pas epokës së tij, nuk është debatuar nëse ka egzistuar apo jo, pasi ka shumë dorëshkrime historike, judaike, romake, dhe të krishtera të cilat flasin për Jezusin e Nazaresë, përshkruajnë momentet historike të detajuara tej ungjijtë, etj. Përveç ungjijve dhe letrave të apostujve, ka edhe dorëshkrime nga autorë judaikë apo romakë mbi figurën e krishtit si historiani judeo-romak i shekullit të parë Flavius Josephus, dy politikanët romakë të shekullit të parë Pliny dhe Tacitus, si edhe Luciani dhe Celsus të cilët e sulmuan, por kurrë nuk e vunë në dyshim egzistencën e tij. Të gjithë personazhet historike, si romakë ashtu edhe judaikë, qytetet, festat, traditat dhe eventet e përfshira në historinë e Jezus Krishtit janë historiksht të sakta, dhe mbetjet arkeologjike mbështesin në mënyrë të padiskutueshme rrëfimin biblik.
Në shekujt e parë të epokës sonë, vendi që Jezusi i Nazaresë kishte në histori ishte i padiskutueshëm. Në shekullin e katërt pati vetëm debate teologjike mbi natyrën e tij hyjnore si bir i Perëndisë dhe marrëdhënia e tij me Perëndinë, cila është natyra e Trinisë (Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë), e tematika teologjike mbi Kristologjinë të cilat u diskutuan dhe konkluduan në Këshillin e Nikesë të mbledhur nga Perandori romak Konstatin, në vitin 325 të erës sonë.
Për dy mijë vite Krishtërimi ka qenë baza e shoqërisë dhe botëkuptimit evropian, perëndimor e më gjerë. Sot, një në tre njerëz të botës është i krishterë. Por, cila ishte pamja e Jezus Krishtit? Jemi të rrethuar nga imazhe të ndryshme të tij: ikona, murale, filma, piktura, skulptura. Çfarë pamje kishte ai në të vërtetë?
Para disa vitesh, sipas mediave ndërkombëtare, Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Richard Neave, nga Universiteti i Manchester-it në Britaninë e Madhe, mundi të rindërtojë e të përftojë një imazh të fytyrës së Jezus Krishtit.
Ajo që të bie në sy menjëherë, është fakti se imazhi i ndërtuar prej tij duket plotësisht i ndryshëm nga imazhet apo ilustrimet grafike që gjenden në çdo kishë apo shtëpi besimtarësh të krishterë në mbarë botën. Sipas Neave, Krishti nuk na qenka bjond e me sy bojëqielli siç e kemi parë në filmat e hollivudit, piktura e kartolina! Por me lëkurë të errët, me asnjë karakteristikë të spikatur, dhe pamje tërërisht të zakonshme.
Ai përdori një tomografi kompjuterike duke përdorur shtresa rrezesh X të kafkave dhe duke analizuar trashësinë e tyre në disa zona arriti të rikrijojë lëkurën dhe muskujt e fytyrës. Ai përdori edhe vizatime antike nga vendet arekologjike të zonës së Izraelit për të përcaktuar ngjyrën e flokëve të Krishtit dhe studioi Biblën për t’u siguruar për gjatësinë e shtatit.
Neave përdori në imazhin e tij, mbetje kafkash izraelite, për të rindërtuar formën e kokës së Jezusit. Për sa i përket formës së flokëve dhe asaj të mjekrës, studiuesi britanik studioi raportet historike dhe e ndërtoi imazhin e Krishtit në atë mënyrë që ajo t’i përshtatej traditës izraelite të kohës.
Sipas tij, tiparet e fytyrës së Jezusit të vërtetë, janë ato të një hebreu nga Lindja e Mesme në rajonin e Galilesë në veri të Izraelit. Duke përdorur bustin mesatar të një semiti të kohës, ai pretendon se Jezusi mund të ketë qenë ndoshta jo më i gjatë se 1.52 metra dhe se për shkak se, sipas Biblës ai punoi si marangoz deri në moshën 30-vjeçare, ai duhet të ketë qenë më i fortë dhe më i rrahur nga dielli dhe kushtet atmosferike se ç’paraqitet zakonisht në pamjet e pikturave mesjetare dhe sidomos ato të Rilindjes.
Ky lajm, padyshim do ishte shumë interesant për lexuesit jo-përtacë e jo të brezit të makiatos, i cili nuk njeh figurat më të rëndësishme të kohës sot e jo më të së kaluarës, por vetëm kaq. E vërteta është se me imazhin e Krishtit është marë i gjithë njerëzimi në 2 000 vitet e fundit, dhe ka me qindra e qindra versione portretesh, relikash, legjendash, madje edhe sajimesh.
Pyetja se si dukej Jezusi, çfarë pamje kishte, dhe sa i gjatë apo i shkurtër ishte? është pyetja më e gabuar e një qytetërimi modern. Pyetja e duhur do ishte cila ishte natyra e vërtetë e Krishtit? Pra, çfarë përfaqëson ai?
Them, natyra e vërtetë e tij, pasi, së pari, pamja është tërësisht jashtë ekuacionit për nga rëndësia, por edhe sepse ka një “kleçkë hyjnore” (nëse mund ta quaj të tillë). Po e marrim të mirëqenë se profesori anglez Neave ka aplikuar të gjithë njohuritë dhe eksperiencën e tij bashkë me metodat më moderne për të ndërtuar fytyrën e Jezusit, por ai nuk ka marrë në
konsideratë atë “kleçkën hyjnore” e cila është një njësi matëse që e hedh poshtë imazhin e ndërtuar prej tij.
Por cila na qenka kjo kleçka? Ajo çfarë nuk merret në konsideratë nga të gjithë ata që kanë tentuar të ndërtojnë imazhin e Krishtit sipas përkatësisë së rracës, zonës, traditës, kohës, kulturës, etj, të shumicës së njerëzve të periudhës, është fakti se Jezusi nuk ishte aspak si ata, pasi ishte i veçantë nga të tjerët jo vetëm nga natyra por edhe nga pamja. Përshkrimi më i mirë që i bëhet Krishtit gjendet tek Isaia 52: 14: “Shumë veta u çuditën, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut.” Përse fytyra e tij ishte ndryshe nga të tjerët? Sepse kishte AND tjetër. Sepse i ati nuk vinte as nga Izraeli, Lindja e Mesme, Azia, e as nga ndonjë vend tjetër i botës, por ishte vetë krijuesi i botës.
Për shkak se Krishti na tregohet se ishte ndryshe nga pamja, artistët mjekësor mund të jenë të besueshëm për këdo individ tjetër të historisë por jo për Krishtim, pasi për të krjuar një imazh të Jezusit duhen përfshirë edhe Teologjia, Historia, Filozofia, Letërsia, Antropologjia, dhe Arti Figurativ, dhe të krijojnë një imazh të bazuar më shumë mbi natyrën e Krishtit sesa krahasimi me bashkëkohësit e tij.
Por, cila është natyra e Krishtit e cila na ndihmoka të krijojmë një perceptim të saktë mbi imazhin dhe pamjen e tij? Pasi përshkruan pamjen e Krishtit, Isaia vazhdon dhe përshkruan natyrën e tij tek Isaia 53: 2-10: “Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak.
Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.
Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën. U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim?
Dhe përshkrimi vazhdon:
Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij. Por i
pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.
Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.”
Gjatë dy mijë viteve të epokës së pas Krishtit, të krishterët, por edhe artistët e mesjetës dhe Rilindjes, e kanë përshkruar, imagjinuar dhe pikturuar imazhin e Krishtit bazuar mbi natyrën e tij: si shpëtimtarin e vetëm të gjithë njerëzimit; si dera e vetme drejtë Perëndisë; si rruga, drita, shpresa dhe jeta; si sakrifica e vetme për shpëtimin e kujtdo që beson në të; si Birin e Perëndisë që la lavdinë e përjetshme për t’u bërë njeri i përulur dhe për të marrë mbi supet talljen, torturën dhe kryqëzimin; etj.
Për dy mijë vite, kjo histori e natyrës së tij të përuljes dhe sakrificës, nisi me një nazareas dhe dymbëdhjetë dishepuj, të cilët pa armë, pa forcë, pa pasuri, pa një fron, pa kështjellë, pa ushtri, etj, por vetëm ai dhe dymbëdhjetë të tjerët që ai delegoi, shpërndarë në mbarë botën mesazhin e shpëtimit, shpresës dhe bashkimin me Perëndinë përmes vetëm një emri të vetëm: Jezus. Dhe, si vazhdon ajo histori? Dy mijë vite më pas, 33.3% e botës janë të krishterë, dhe mesazhi i një nazareasi të kryqëzuar ndërtoi besimi e parë të botës i cili ka parë me dhjetra e dhjetra perandori të rrëzohen por vetë rritet gjithnjë e më shumë.
Nëse fokusohemi tek natyra e Krishtit do mund të perceptojmë edhe imazhin e tij. Kur mendojmë për një njeri të thjeshtë, të përulur, me natyrë hyjnore por me trup njerëzor, me misionin për të hapur nje derë nga e cila vjen shpëtimi dhe rruga drejtë Perëndisë, atëherë më shumë na vijnë në mendje pikturat e Rilindjes se sa fytyra e Profesor Neave; më shumë imagjinojmë Jezusin në filmin e regjizorit të shquar Franco Zeffirelli-t sesa kafkat kompjuterike; meditojmë më shumë për torturat shnjerëzore të gozhdimit të duarve dhe këmbëve, të kurorës me gjemba, të thuprave me tela, të kryqëzimit që përjetoi Jezusi i Mel Gibson sesa çdo tentativë, sado e sinqertë, për ta denigruar thelbin e natyrës së Krishtit.
Thuhet se kur piktori Jacque Louis David nisi të pikturonte për herë të parë portretin e Napoleon Bonapartit ai i kërkoi Perandorit të pozonte për të për një kohë të gjatë. Napoleoni duke u larguar i tha: “I dashur mik, brezat e ardhshëm nuk do pyesin se çfarë pamje kishte Napoleoni, por çfarë ka bërë Napoleoni? Ndaj më pikturo jo se di dukem por se çfarë kam bërë.” Ndaj, edhe Krishti, ka shumë fytyra të varura në kisha apo faltore anë e mbanë botës, si rezlutat i imagjinatës njerëzore dhe perceptimin e tyre mbi të, por natyra e Krishtit, misioni dhe mesazhi i tij, janë thelbi i çfarë ky emër përfaqëson. Qëllimi i lindjes, jetës, vdekjes dhe ringjalljes së
Krishtit, ishte të ofronte një rrugë dhe të hapte një derë për të gjithë ata që Perëndia i ka thirrur të shkojnë tek ai.
Perëndia që bragtis lavdinë e përjetshme për t’u bërë njeri i vogël dhe i vdekshëm që mban fajet e njerëzimit mbi kryqin në të cilin i kanë gozhduar duart edhe këmbët. E kush mund t’a pikturojë siç duhet një histori të tillë dashurie, midis krijuesit dhe krijesës? Dhe, a ka dashuri më të madhe se sa kjo?
Kjo është edhe domethënia e Pashkës që festohet sot. Krishti vdiq, me dëshirë, me mision, dhe me qëllim, që të jetë sakrifica e vetme për Perëndinë, për këdo që beson në të. Dhe cilido që të mos humbasë në terrin e vdekjes, por të ketë jetë të përjetshme.