Nëse Presidenti i Republikës, Ilir Meta i shkon deri në fund fjalës së tij dhe vendos të dorëzojë mandatin e presidentit, diçka e tillë nuk do ta zgjidhte krizën politike. Një interpretim të tillë e japin juristët. Sipas tyre, si fillim Kushtetuta nuk e parashikon fare që një president të dorëhiqet. Por edhe nëse Meta e bën diçka të tillë, kjo nuk do të garantonte zgjidhje të krizës sepse zëvendësimi i tij nuk përbën asnjë problem. Konstitucionalisti Sokol Hazizaj deklaroi se presidenti mund të dorëhiqet vetëm kur është i pamundur ushtrimi i detyrës.
Duke theksuar se pas deklaratës së kreut të shtetit fshihet diçka tjetër dhe jo kriza politike, Hazizaj shtoi se Meta duhet të garantojë zgjidhjen e krizës dhe jo të ndërmarrë akte të tilla. “Akti i dorëheqjes nuk parashikohet për këto motive, por parashikohet vetëm në pamundësi të ushtrimit të detyrave dhe funksioneve të tij. Që do të thotë se nuk lidhet me krizën, madje Presidenti është ai që me staturën që ka dhe me detyrat që ka, në Kushtetutë shërben si organizator i zgjidhjes së krizave. Duhet të ketë ndonjë motiv tjetër që e detyron presidentin të kërcënojë duke u dorëhequr nga detyra. Nuk e uroj që të ndodhë”, deklaroi ai.
Sokol Hazizaj nënvizoi se në këtë rast e vetmja zgjidhje është respektimi i Kushtetutës dhe jo deklaratat e tilla politike. “Është edhe rasti i shkarkimit, por kjo e dyta është pak e pamundur sepse Kushtetuta e parashikon që 2/3 e Kuvendit, ku konstatohet pamundësia e ushtrimit të detyrave funksionale të presidentit, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi në rastin flagrant ku nuk ekziston Gjykata Kushtetuese. Konsensusi i vetëm është vetëm ardhja në shtratin ligjor”, tha Sokol Hazizaj.
Reagimi i Gjokutajt
Edhe për avokatin Genc Gjokutaj dorëheqja e Metës nuk i jep zgjidhje situatës politike. Madje ai deklaroi për gazetën “SOT” se nëse ndodh diçka e tillë, nuk krijohet asnjë problem sepse vendi i tij zihet nga një emër tjetër. Duke iu referuar Kushtetutës, Gjokutaj u shpreh se në këtë rast, mandati i presidentit i kalon kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi për 45 ditë dhe vijohen procedurat nga klasa politike për të gjetur një emër tjetër konsensual dhe për ta votuar brenda kësaj periudhe.
“Nuk krijohet asnjë ngërç. N.q.s presidenti zgjedh të largohet, atëherë thjesht nisin procedurat për të gjetur një emër të ri. Nëse shohim kapitullin e presidentit e kuptojmë fare qartë që nuk ka asnjë problem. Çdo zyrtar jep dorëheqjen, mund të jetë ministri, mund të jetë kryeministri, kushdo mund të japë dorëheqjen. Në momentin që jepet dorëheqja, sigurisht që përdoret një shkak dhe kompetencat për ca kohë i kalojnë kryetarit të Kuvendit. Më pas nisin procedurat nga forcat politike për zëvendëimin e tij, ndiqet e njëjta rrugë si në rastin kur kreut të shtetit i mbaron mandati. Kompetencat i kalojnë kryetarit të Kuvendit për 45 ditë derisa të zgjidhet emri i ri dhe të votohet dhe më pas mund të kemi një president të ri”, tha Genc Gjokutaj.
Në këtë mënyrë, deklarata e çuditshme e Ilir Metës dy ditë më parë për dorëheqje dhe vetëvrasje për hir të të mirës së vendit, duket se ka rezultuar vetëm një flluskë sapuni. Në një kohë kur përflitej edhe se Meta do të shpërndajë Parlamentin, juristët e tregojnë qartë se lënia e mandatit nga ana e tij nuk e zgjidh aspak situatën e tensionuar politike, ashtu sikurse pretendon ai. Por nga ana tjetër, nuk krijon as ndonjë problem të madh sepse zgjidhja është e gjetur: Parlamenti vijon me procedurat për ta zëvendësuar normalisht, njësoj sikur t’i ketë mbaruar mandati. Kësisoj, duket se e vetmja arsye pse Meta mund të japë dorëheqjen është që të dalë me opozitën në rrugë për të protestuar kundër qeverisë.
/a.rada