Një situatë e pazakontë është ajo që po kalojnë dhjetëra fshatra të Kukësit, të izoluar nga dëbora prej disa ditësh, si rezultat i bllokimit të rrugëve. Mësohet se njësitë administrative s’kanë marrë asnjë masë për zhbllokimin e rrugëve nga dëbora. Kjo ka bërë që kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu, të thërrasë në një mbledhje urgjente administratorët në Shtabin e Emergjencave dhe tu drejtohet me tone të ashpra atyre, duke i paralajmëruar deri në shkarkimin nga detyra raporton Shqiptarja.com.
“Që jeni me firmë dhe me vulë kur ju merr sekretari i përgjithshëm do dilni në telefon dhe do të raportoni me e-maile dhe me gjithçka. Nuk jeni zotër ju të asaj Njësie Administrative. Do të thotë që do të raportoni për çdo problem. Nuk e di ku jeni mësuar ju të flini gjumë?! Të merr kryetari i bashkisë në telefon dhe ju flini gjumë. Është hera e parë dhe e fundit. Nesër do të dal me vendime dhe 3-4 nga shefat e njësive do të shkarkohen, që ta dini që sot. Nuk më ka bërë vaki njerëz kaq të paaftë”, u shpreh kryebashkiaku Shehu.
Gjatë ditëve të fundit, reshjet e dendura të dëborës të shoqëruara edhe me stuhi kanë bllokuara shumë fshatra të Njësive Administrative Grykë-Çaje, Kalis, Arren, Zapod dhe Topojan të menaxhuara nga bashkia e re e Kukësit e cila ka 13 Njësi Administrative në përgjegjësinë e saj. Sa i takon emergjencave shendetesore në Orgjost të Zapodit, ka pasur një rast urgjence lindjeje, ku nëna është transportuar me ambulancë drejt maternitetit të Kukësit.