Deputetja, Jorida Tabaku i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se sa herë që bëhet fjalë për aferë korruptive sulmon dhe përdor gjuhë ofenduese për t’u mbrojtur.
“Së pari sa herë shthuret gjuha po bëhet një aferë. Ju kujtohen mushkonjat e Divjakës e se si u mbrojtën ato me rekorde kriminale. Kjo gjuhë tregon edhe mënyrën e vjetër të politikës që e ka kapur për fyti parlamentin. Tregon llumin se ku është sot politika shqiptare. Se po luftojmë për transparencë ky sulm i paprecendent nuk justifikohet. Edhe inceneratori i Elbasanit u mbrojt me këtë gjuhë. Kjo gjuhë shpjegohet vetëm me atë se çfarë po ndodh pas dyerve të SPAK. U nis me retorikën e parave ruse, a u dëgjua se si do rriten pagat, bedelë, u dëgjua se do rritet ekonomia, jo por gjel deti.”, tha Tabaku.
Pjesë nga fjala e Jorida Tabakut
Për fatin e keq teoria e qeverisë mbetet po njësoj;
kur vjen puna për t’u marrë para qytetarëve, për t’u ofruar atyre më shumë shtrëngesa dhe pagesa ekstra mazhoranca vjen në parlament dhe i fton qytetarët të sakrifikojnë për “Nënën Shqipëri”. Kur vjen puna për t’u ofruar shqiptarëve rritje reale pagash, rritje reale pensionesh, një fond decent të Kujdesit Social kjo mazhorancë vjen në këtë kuvend dhe i flet shqiptarëve për “Njerkën Shqipëri” që nuk ka mundësi t’u japë atyre.
Në vitin 2021 kjo mazhorancë nuk i fitoi zgjedhjet elektorale me një program elektoral. Nuk kishte nevojë për program duke qenë se kishte mjete të tjera që i ushtroi në përpikmëri, nga patronazhistët që ndiqnin dhe spiunonin jetët e çdo shqiptari deri tek procesi i rindërtimit të cilin e përdori për të mikluar, paguar dhe detyruar njerëzit të votonin.
Gjithsesi, për të larë gojën në verën e vitit 2021 shkruajtën disa fjalë në një program qeverisës ku ndër të tjera premtuan rritje pagash, rritje pensionesh, ulje të borxhit publik (edhe kësaj radhe).
Tani, siç edhe FMN e parashikon norma e inflacionit për këtë vit do jetë mbi 6% nëse do jemi me fat. Për vitin e ardhshëm norma do të jetë 4.3% prandaj rritja e pagave dhe pensioneve do të duhet të shihet nën këtë prizëm të ri, pra duke pasur parasysh normën e inflacionit dhe mbi të gjitha kohën kur do të ndodhë.
Në programin e qeverisë 2021 angazhimi ishte që pagat e arsimtarëve dhe mjekëve do t’i rriste me 40% gradualisht gjatë mandatit. Pra, duhej që qeveria t’i rrisë pagat me 10% në vit duke qenë kjo vlerë e çliruar nga norma e inflacionit. Deri më tani ky premtim është tërësisht i pambajtur
Pjesa tjetër e administratës ishte parashikuar që të merrte një rritje page rreth 30% brenda mandatit, mirëpo vitin e shkuar kjo mazhorancë nuk i ofroi asgjë kësaj administrate ndërsa këtë vit i ofroi një rritje page që nëse e vendosim në peshore me normën e inflacionit në të vërtetë nuk është as indeksim. Praktikisht administrata është më e varfër se sa një vit më parë ndërsa qeveria më gënjeshtare se sa një vit më parë.
Jo vetëm kaq por sivjet ka premtuar një rritje qesharake pensione të cilin në fakt nuk e përcakton se kur do të nisë. Këtë vit qeveria premtoi rritjen e pensionit me 1.2 mld lekë ndërkohë që një vit më parë po kjo mazhorancë premtoi rritjen e pensionit me 3.3 mld lekë.
Nëse vjet rritjen e kishte 5% në të cilin përfshihej indeksim plus bonus pensioni, pra qartësisht mungonte rritja e premtuar prej 5% në vit si një rritje reale. Tani kryeministri deklaron se do kenë dyfishim të buxhetit të 2013, pyetja është sa do jetë rritja në vitin 2013? A do t’i rrisë qeveria realisht pensionet me 5% siç ka premtuar dhe kjo do të thotë që ajo duhet t’i rrisë në më shumë se 9% duke qenë se inflacioni i pritshëm do jetë 4.3%?!
Nëse të gjithë sot kanë vëmendjen nga qeveria dhe nga projektbuxheti që prezanton kjo ka një arsye të thjeshtë. Çdo shqiptar që ulet sot në tavolinën e ngrënies e ka të qartë që po paguan gjithnjë e më shtrenjtë për çdo produkt ushqimor që merr për shtëpinë ndërkohë që blen gjithnjë e më pak apo po njësoj.
Kjo krizë e thellë çmimesh që është transmetuar në vend në një pjesë të konsiderueshme edhe nga inflacioni në Bashkimin Europian, le ta njohim e ta pranojmë fatkeqësisht kemi një ekonomi të ekspozuar por që ndryshe nga vendet e tjera nuk është subvencionuar apo mbështetur përmes lehtësirave fiskale apo formave të tjera të mbështetjes buxhetore.
Kur te votoni buxhetin beni llogari me laps ne tryezen e bukes.
Prandaj përpara se të votoni për këtë buxhet dhe paketë fiskale. Uluni përpara tavolinës së bukës si çdo shqiptar, merrni një laps dhe një letër dhe nisni të bëni llogaritë e shpenzimeve.
Llogarisni se çfarë keni blerë këto ditë, sa kanë ndryshuar dhe se si ky buxhet që premton si çdo vit rritje bombastike ka ndonjë zgjidhje për hallin e 95% të shqiptarëve? Ka ndonjë zgjidhje për këstet e kredive? Për inflacionin 4.3%? Për fuqinë blerëse më të ulët në rajon ende pa ardhur kriza?
Mos i hapni rrugë një buxheti të mangët.
Ka ardhur koha që të miratojmë së bashku një kod fiskal me rregulla të qarta për të eleminuar përjashtimet e padobishme nga taksat. Një Kod Fiskal që të mos ua ngecë barrën e taksës që hiqet nga një palë, grupin më të dobët që nuk i hapet dera e ministrisë.
Ka ardhur koha të jemi më të mençur që mos përfundojmë të shpenzojmë për këstet e Eurobondit po aq sa investojmë në arsim.
Inovacioni nuk ndërtohet nga hiçi vetë. As teknologjia dhe arsimi nuk prodhojnë rritje ekonomike vetiu por ata kanë nevojë për një treg të lirë. Mungesa e tregut prodhon hemoragjinë që ne po vuajmë sot, emigracionin.
Ndaj gjithë këto minuta të shpenzuara këtu për demagogji mund të ishin shpenzuar ndryshe, nëse do kishte vullnet për një buxhet për qytetarët.
Keni 10 vite që flisni për ekonominë më të mirë dhe jemi ende në vendnumëro. Pa zgjidhje, pa ofertë por vetëm me një batutë në xhep.
/a.r