Kuvendi ka nisur pak minuta më parë seancën dëgjimore me 7 kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në këtë seancë mungojnë anëtarët e komisionit parlamentar të ligjeve. Që në fillim të seancës kryetari i këtij komisioni Ulsi Manja ka bërë publike kandidatët, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Kuvendit për postin vakant të prokurorit të përgjithshëm.
Pas këtij prezantimi anëtari i këtij komisioni Bashkim Fino, i cili i ka kërkuar kreut të komisionit Manja që të shtyhet për pak minuta mbledhja e këtij komisioni, për të marrë një konfirmim nëse deputetët e opozitës kanë vendosur të bojkotojnë apo do të jenë prezent në mbledhjen e këtij komisioni ku do të dëgjohen edhe 7 kandidatët. Pas këtij poropozimi Manja ka shtyrë për rreth 20 minuta mbledhjen dhe i ka kërkuar sekretarisë së Kuvendit që të kontaktojë me deputetët e opozitës nëse duan apo jo të jenë prezent.
Kandidatët
Arta Marku – Prokurore në Shkodër
Ferdinand Elezi – Prokuror në Durrës
Arqile Koçi – Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Besnik Muçi – Prokuror i Krimeve të Rënda
Granit Shahu – Prokuroria e Tiranës
Ermira Tafani-Prokurore në Elbasan
Artur Selmani-Prokuroria e përgjithshme
Pas seancës dëgjimore, komisioni i ligjeve do t’i drejtohet me një raport të detajuar Kuvendit për kandidatët në këtë garë, ndërsa do të jetë vota e Kuvendit që do të zgjedhë Kryeprokurorin e ri, i cili do qëndrojë në detyrë me një mandat të përkohshëm, deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas ndryshimeve të parashikuara nga Reforma në Drejtësi. Nga ana tjetër, opozita nuk pajtohet me ndërprerjen e mandatit të Adriatik Llallës dhe emërimin e një Kryeprokurori të Përkohshëm. Si PD ashtu edhe LSI kërkojnë që Llalla të qëndrojë në detyrë deri në ngritjen e KLP.
PROKURORI FERDINAND ELEZI: SISTEMI I DREJTËSISË DHE NDJEKJA PENALE KA PROBLEME SERIOZE
Kandidati për kryeprokuror, Ferdinand Elezi, prokuror në Durrës, ka shpalosur platformën e tij për këtë post, ku ka evidentuar dhe problematikat kryesore në sistemin e drejtësisë. Kandidati Elezi tha se është fakt që sistemi i drejtësisë ka problematika të theksuara në luftën kundër kriminalitetit, korrupsionit, veprave penale që lidhen me trafiqet. Më tej, ai vuri theksin te shkrirja e disa institucioneve, duke e cilësuar këtë një vendimmarrje të gabuar, ndërsa shtoi se duhen marrë menjëherë masa për rritjen e efikasitetit.
“Është fakt që sistemi i drejtësisë ka problematika të theksuara në realizimin e ndjekjes penale, në luftë kundër kriminalitetit, korrupsionit, veprave penale që lidhen me trafiqet. Problematika konstatohen në tërësi edhe në vendimmarrjen e gjykatave, në të gjitha shkallët. Duhen promovuar prokurorët më të ndershëm, më të përkushtuar dhe që kanë rezultate në punën e tyre, ata që nuk e shohin detyrën e prokurorit të përgjithshëm, si funksion nga i cili mund të përfitohet. Duhen marrë menjëherë masa për rritjen e efikasitetit, në veçanti ndaj krimit të organizuar, i cili mund të bëhet nga ngritja e institucioneve të caktuara, Task-Forcës. Nxitja e hetimeve proaktive nga këto struktura në parandalimin e aktivitetit kriminal. Shkrirja e këtyre strukturave ka qenë e gabuar. Duhet ngritur Drejtoria e Përgjithshme e Inspektimit, që verifikonte ligjshmërinë e veprimtarisë së përditshme të prokurorëve, kjo deri në krijimin e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Qëndrimet e gabuara kanë ardhur duke u shtuar. Është goxha e vështirë të bësh punën e prokurorit në këtë kohë“, tha Elezi.
PROKURORI BESNIK MUÇI SHPALOS PLATFORMËN: KAM HETUAR DOSJE TE RENDESISHME
Prokurori Besnik Muçi ka shpalosur kandidaturën dhe platformën e tij për postin për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në dëgjesën para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, prokurori Muçi tha se gjatë punës së tij ka hetuar dosje të rëndësishme.
“Kam hetuar çështje të rëndësishme dhe sensitive. Kam hetuar çështjen e vrasësve me pagesë, dhe “bandën e babagjyshëve”. Po kështu kam hetuar çështjen e bandës së Lushnjës. Kemi patur sukses në hetimin e këtyre çështjeve. Kam kontribuar për ligjin e konfiskimeve. Jam në proces doktorature, dhe trajnues për gjyqtarët. Jam i angazhuar në aktivitete specifike”, u shpreh prokurori Muçi.
Muçi, aktualisht është pjesë e prokurorisë së Krimeve të Rënda. Karriera e tij fillon në Prokurorinë e Tiranës, dhe pikërisht në këtë prokurori ai ka hetuar dosje si mbikalimin e “Zogut të Zi”. Pas përplasjeve me kryeprokurorin e kohës Theodhori Sollaku, Muçi ka vendosur të japë dorëheqjen nga prokuroria dhe më pas të fillojë punë pranë Policisë së Shtetit. Pas largimit të Sollaku, Muçi rikthehet sërish prokuror pas një vendimi të marrë nga Ina Rama, e cila e caktoi tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.
PROKURORI ARTUR SELMANI: PROKURORËT KANË ENDE REFLEKSE TË KOHËS SË VJETËR
Prokurori i Tiranës Artur Selmani ka prezantuar kandidaturën dhe platformën e tij për garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm. Para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, Prokurori Selmani u ndal tek kualifikimet e tij, dhe fusha e studimeve ku është fokusuar.
“Reforma në drejtësi do të ndryshojë mëndësinë e vjetër. Prokurorët kanë ende reflekse të kohës së vjetër”, u shpreh prokurori Selmani.
Artur Selmani ka hetuar për disa muaj me radhë sherret në Kuvendin e Shqipërisë, fillimisht kallëzimin e PD-së për deputetin Amarildo Prenga, dhe më vonë deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve në Komisionin e Ligjeve, Selami foli për karrierën e tij të gjatë në sistemin e drejtësisë, si dhe për avantazhet që ka për t’u zgjedhur në postin e kryeprokurorit të përkohshëm.
Ndër të tjera, ai ka thumbuar dhe deputetët e pranishëm në Komisionin e Ligjeve, teksa tha se politikanët shpesh bëjnë presion ndaj prokurorëve.
“Ju politikanët bëni shpesh presion ndaj prokurorëve”, tha Selami.
PROKURORJA ARTA MARKU: Do përfaqësoj me dinjitet e integritet institucion, marrëdhënie korrekte me të gjithë aktorët në vend dhe ndërkombëtarët
Kandidatja e dytë që ka prezantuar platformën përpara anëtarëve të Komisionit të Ligjeve është prokurorja e Shkodrës, Arta Marku. 41-vjeçearja nga Puka, ka përfunduar në vitin 1999 shkollën e lartë në Shkodër, ndërsa Magjistraturën në 2001. Ajo ka një eksperiencë prej 15 vitesh si zëvendësprokurore e këtij rrethi. Gjithashtu, Marku garon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Mësohet se bashkëshorti i saj punon si Oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ) për qarkun Lezhë, Shkodër dhe Kukës. Teksa ka paraqitur arsyet e pjesëmarrjes në këtë garë, Marku tha se beson tek transparenca e këtij procesi. Ajo tha se e sheh me rëndësi reformimin e sistemit të prokurorisë. Sipas Markut në sistem ka prokurorë me integritet dhe moral, të cilët mund t’i japin shumë vendit.
“Ka shpërndarje të pabarabartë të ngarkesës në prokurori. Vlerësimi nuk bëhet sipas meritës. Në sistem ka prokurorë me integritet dhe moral, të cilët mund t’i japin shumë vendit. Do bëj të mundur që përmes urdhrave dhe udhëzimeve të zbatohen drejt dispozitat e reformës në drejtësi dhe ligjeve të vendit. Nuk do ketë më komandime të prokurorëve pa kriter, pasi kjo e ka çrregulluar sistemin. Do të mundësohet ruajtja e sekretit hetimor. Do përfaqësoj me dinjitet e integritet, institucion, dhe o mbaj marrëdhënie korrekte me të gjithë aktorët në vend dhe me ndërkombëtarët”, u shpreh prokurorja Arta Marku.
PROKURORI ARQILE KOCA PARAQET PLATFORMEN: PRIORITET VIJIMI I RREFORMES NË DREJTËSI
I pari që ka paraqitur kandidaturën dhe platformën e tij para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, është prokurori Arqile Koça.
“Jam kujdesur për integritetin profesional dhe moral. Kam marrë pjesë në çështje të rëndësishme penale. Kam marrë pjesë në çështjen e Gerdecit, në atë të vrasjes së Azem Hajdarit. Sa i takon pozicionit për të cilin garoj, do të thoja se është me rëndësi që të ecet përpara me zbatimin e reformës në drejtësi. Prokurori i Përgjithshëm duhet të marrë kompetencat sa i takon zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ajo që ka rëndësi është një përmirësim i bashkëpunimit mes organit të prokurorisë, policisë, dhe gjykatave”, u shpreh Koça.
Deputeti Çuçi: A kemi miqësi me ndonjë politikan? Ku ka qenë hera e fundit që keni ngrenë ndonjë drektë ose darkë me ndonjë politikan? A keni patur ndërhyrje nga ndonjë politikan për të mbyllur ndonjë çështje të caktuar?
Prokurori Koça: Për mua është me rëndësi integriteti moral dhe profesional. Principet kryesore që duhet të shoqërojnë një punonjës drejtësia është paanësia, dhe unë them që nuk kam ndonjë raport të tillë. Nuk kam ngrënë drekë me ndonjë politikan, në mënyrën sesi ju e shtroni pyetjen. Sa i takon ndonjë rasti ndërhyrje, është e vështirë, pasi ndërhyrja bëhet në forma dhe lloje të ndryshme. Në karrierën time kam patur çështje me sensitivitet të madh. Do konsideroja ndërhyrje çdo lloj publikimi, shprehje, qëndrimi publik, etj. Çdo prokuror e ndjen këtë, por nuk mund ta pranoj që ndonjë politikan më ka kapur për xhakete dhe më ka thënë bëj këtë apo atë. Ndërhyrje të drejtpërdrejtë nuk kam patur.
ma.me/javanews.al