Attila Biro është një prej emrave më të njohur të gazetarisë investigative në Rumani. Prej vitit 2004, ai punon në shtyp, duke investiguar politikanë të korruptuar dhe jo vetëm.
Në një intervistë për #DritaremeRudinën, Biro flet për reformën në drejtësi dhe peshqit e mëdhenj, kapur prej saj në Rumani. Për bashkimin e qytetarëve dhe protestat e tyre të vazhdueshme, deri sa të kenë drejtësinë që kërkojnë. Por, mbi të gjitha, çfarë dhe si mund edhe shqiptarët të kenë besim te forca e tyre.
Anxhela Ferra- Çfarë po ndodh tani në Rumani, duket sikur protestat nuk mbarojnë kurrë aty. Përse po protestohet këtë radhë?
Attila Biro –Parlamenti po bën reforma në sistemin tonë gjyqësor. Po bëhen ndryshime për sa i përket mënyrës sesi do të jenë gjykata dhe prokurorët në dekadën e ardhshme. Këto ndryshime ose ligje të parlamentit nuk po bëhen duke ndjekur procedurat e duhura. Një komision i veçantë në parlament po e ndryshon këtë ligj, por në mënyrë diskrete.
Ata po modifikojnë mënyrën sesi një gjykatës hyn në sistemin e drejtësisë dhe si pezullohet nga detyra, nëse zbulohet që është korruptuar. Por nuk ka asnjë studim apo argument të vërtetë për këto ndryshime.
Nëse i merr si një e tërë, shikon se ideja kryesore është që të paktën të ulet niveli i korrupsionit. Jemi në një fazë propozimi ligjesh, ato nuk janë ende në Fletoren Zyrtare. Në një plan afatgjatë mendohet që prokurorët dhe gjykatësit të kontrollohen më lehtë ose që një person i përfshirë në politikë të kontrollojë gjyqësorin.
Pra, prandaj po proteston populli rumun.
A.F -Sa është numri i njerëzve që po protestojnë?
A.B –Gjatë javës ka më pak protestues: disa qindra në Bukuresht dhe disa mijëra në të gjithë Rumaninë. Protestat më të mëdha janë të dielën. Ajo më e madhja ka arritur 60 deri në 80 mijë protestues.
A.F -Kur kanë filluar protestat?
Protestat kanë filluar në shkurt të këtij viti. Filloi me kërkesën për të ndalur korrupsionin dhe ende vazhdon.
A.F -Dhe ata nuk janë të lodhur?! Doja të fokusohesha te besimi, shqiptarët nuk duket se besojnë te forca që kanë. Si u bënë rumunët të vetëdijshëm për forcën e tyre?
Protestat më të mëdha u zhvilluan në pranverë dhe politikanët dhe qeveria u tërhoqën disi. Pra, ajo betejë u fitua nga shoqëria civile rumune. Pikërisht këtë po analizojmë ne, faktin që përderisa u arrit një fitore, mund të arrihen edhe të tjera. Nuk ka zgjidhje tjetër.
Zgjidhja është: ose politikanët do të bëjnë si duhet punën e tyre, ose do t’i detyrojë populli që ta bëjnë punën mirë. Protestat qytetare janë zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo krizë.
A.F -Flasim pak për politikanët e burgosur rumunë.
Ata janë burgosur. Natyrisht, tani po lirohen me një propozim të Ministrit të Drejtësisë. Propozimi u miratua nga parlamenti dhe bashkë me shumë të burgosur, u liruan edhe disa politikanë të dënuar për korrupsion, por Prokuroria jonë vazhdon të hetojë politikanë, ata dalin në gjyq, gjykatësit marrin vendime dhe politikanët shkojnë në burg, kështu që deri tani ky sistem ka funksionuar. Nuk është i pametë, por funksionon.
A.F -Sipas përvojës suaj në Rumani, sa e lehtë mund të jetë që burgjet të mbushen me politikanë?
Nuk është e mundur që burgjet të mbushen me politikanë. Mendoj se burgosja e politikanëve nuk është mënyra e duhur për të siguruar një shoqëri të shëndoshë, sepse politikanët e kanë vendin në parlament.
Ne duam që ata ta bëjnë mirë punën e tyre. Por mendoj se dosjet që po hetohen nga sektori i anti-korrupsionit, të bëhen shembuj që politika të ndryshojë. Që ata të mos pranojnë bakshish dhe të mos merren me trafiqe. Nga 30 mijë të burgosur në gjithë Rumaninë, disa qindra prej tyre janë politikanë.
A.F -Në Shqipëri flasin për ditën, kur drejtësia do të fusë brenda ata që quhen peshq të mëdhenj. Si erdhi ajo ditë tek ju?
Peshku më i madh që kemi kapur ne ka qenë ish-kryeministri Nastase. Nuk ishte një arritje e lehtë. U deshën pesë ose gjashtë vjet për ta çuar atë para drejtësisë. Kjo tregoi që duhej të ndryshonim legjislaturën se më parë kishim sektorin e anti-korrupsionit, i cili në pamje të pare dukej në rregull: kishte prokurorë që pretendohej të kryenin hetime për korrupsionin, por që në të vërtetë nuk e kryenin fare punën e tyre. Një arsye ishte që shefi i atij sektori nuk ishte shumë i aftë, nga ana tjetër, ligjet nuk i lejonin prokurorët të bënin hetime të plota mbi korrupsionin. Pra, ishte institucion pa vlerë.
Prandaj duhej të ndryshonim ligjin. U morën masa për kodin kriminal dhe një legjislaturë e veçantë u ndryshua që prokurorët të kryenin hetime të sakta. Jo vetëm z.Nastase, por dhe anëtarë të tjerë të qeverisë apo deputetë, u gjykuan nga drejtësia. Ata shkuan në gjykatë, por në fakt, çështjet e tyre u zgjatën për vite me radhë.
Pra, ligji duhej të ndryshohej sërish. Në fund, sistemi funksionoi. Kështu ia dolëm mbanë ne, me pak fjalë. Një faktor domethënës ishte edhe futja në sistemin gjyqësor e shumë prokurorëve dhe gjykatësve të rinj. Ata nuk kishin lidhje me qeverinë dhe as ishin mësuar me veset e këqija korruptive të paraardhësve të tyre.
Gjithashtu, ata ishin rritur në një Rumani demokratike dhe besoj se këto ndihmuan në dënimin e shumë politikanëve.
A.F -Pra, brezi i ri pati një ndikim të rëndësishëm?
Brezi i ri në sistemin gjyqësor rumun vazhdon të jetë i rëndësishëm. Ky është një fenomen i shkëlqyer, sepse kur parlamenti nisi ndryshimet në legjislaturën e sistemit gjyqësor, më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve rumunë u bashkuan dhe njëzëri i kërkuan parlamentit t’i jepte fund kësaj.
Kjo është hera e parë dhe e vetme që unë pashë prokurorë e gjyqtarë të bëheshin bashkë dhe në një numër aq të madh. Nuk di që kjo të ketë ndodhur ndonjëherë në ndonjë vend tjetër të botës. Është mire kur sheh që sistemi gjyqësor reagon ndaj sistemit politik dhe përpiqet të ruajë vendin e tij në një sistem demokratik.
A.F -A mendoni se ka pasur politikanë që u përpoqën të ndalojnë arritjen e reformës në sistemin gjyqësor?
Pa dyshim që po, kjo ka ndodhur që kur nisi demokracia dhe deri tani. Ka qenë një luftë e vazhdueshme. Kemi politikanë që kanë dashur ta kenë në kontroll sistemin gjyqësor, ta bëjnë atë të pavlerë, ose që t’ju shërbejë vetëm interesave të tyre, sikundër duhet ta pranojmë që ka pasur edhe politikanë që donin reformë në sistemin gjyqësor dhe prokurori e gjykatës të fortë.
A.F -A mendoni se Rumania e ka arritur reformën në sistemin gjyqësor dhe sa kohë mendoni se do të zgjasë, nëse nuk është arritur ende?
Nuk di t’ju them se sa vite do të duhen për këtë, por që prej vitit 2011 ne kemi një Prokurori që funksionon si duhet, gjykatat dhe gjykatësit gjithashtu punojnë më mirë. Por ky nuk është sistemi i përsosmërisë. Ne duhet të kthejmë kokën pas e të kujtojmë kohën kur korrupsioni luftohej vërtet.
Sa i përket spastrimit të parave, ka ende shumë për të bërë. Mendoj se ndryshimet që po bëhen në parlament, do t’i zhbëjnë ato që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit. Nuk mund të pretendojmë që një sistem që ka pasur problem për afro pesëdhjetë vjet, të përsoset në pesë apo dhjetë vjet. Kjo është e pamundur, sepse Rumania ka qenë kështu për 50 vjet.
Sistemi gjyqësor kontrollohej nga politika dhe diktatoriati. Me hyrjen e demokracisë patëm një sistem gjyqësor që funksiononte njëfarësoj, pastaj një periudhë pesëvjeçare kur ai funksionoi pothuajse ashtu si duhet.
Pa dyshim që ka pasur gabime, por asnjë politikan apo institucion nuk ka thënë se këta pesë vitet e fundit ne bëmë këtë gjë, patëm këtë rezultat, por pati edhe gabime.
Pra, t’i ndihmojmë që të bëjnë një punë më të mirë. Kjo nuk ka ndodhur. Kemi parë vetëm politikanë që thonë se prokurorët e anti-korrupsionit veprojnë sipas bindjeve politike ose nxiten nga komplote të fshehta e gjëra të tilla. Janë përpjekur të minojnë gjithçka që është bërë deri tani.
A.F -Çfarë sjell reforma në sistemin e drejtësisë veç arrestimeve, çfarë sjell tjetër ajo në mirëfunksionimin e shtetit?
Përveç arrestimit të politikanëve, kemi dhe çështjet civile të sistemit gjyqësor. Kemi çështjet e divorcit, konfliktet e pronave, konfliktet me zyrtarët etj. Edhe kjo pjesë duhet të funksionojë si duhet dhe në interes të qytetarëve. Ka ende shumë punë për t’u bërë në Rumani, sepse pjesa e painkriminuar e sistemit gjyqësor është e indinjuar. Gjyqet zgjaten, procedurat nuk kryhen si duhet.
Nëse ke një çështje, edhe për një gjobë policie, gjyqi do të zgjasë. Kështu njerëzit dekurajohen për të kërkuar të drejtat e tyre. Demokracia duhet të jetë kështu: nëse mendoni se polici apo nëpunësi i taksave ju ka bërë një padrejtësi, duhet të shkoni ta zgjidhni këtë çështje në gjykatë. Por kur njerëzit e dinë që këto çështje zgjasin deri në 10 vjet, ata nuk shkojnë fare në gjykatë. Nuk i kërkojnë të drejtat e tyre. Kjo e dëmton demokracinë.
A.F -Çfarë duhet të bëjnë gazetarët, në situata të tilla, ndërsa kalon reforma?
Ne po përpiqemi ta informojmë saktë popullin. Kjo është gjëja më e rëndësishme për gazetarët. Duhet të dimë si ta japim informacionin, të dimë si t’i trajtojmë ngjarjet. Gjithashtu, duhet të jemi shumë objektivë. Në situata të tilla krize, duhet të jemi të vendosur, gjakftohtë, të dimë si t’i analizojmë situatat dhe nuk duhet të nxisim dhunë, sepse në disa pjesë të shoqërisë civile ekziston mendimi se qeveria nuk i përgjigjet shoqërisë civile prandaj duhet t’i zgjidhim gjërat me dhunë.
Por dhuna nuk është zgjidhje, asnjëherë. Shoqëria civile duhet të gjejë mënyrat e duhura për t’i bërë presion pjesës tjetër të sistemit, pra, politikanëve, që ta bëjnë si duhet punën e tyre. Media duhet të informojë me saktësi, të mos bëjë propagandë ose keqinformim, sepse ato e ndajnë vendin. Në Rumani dhe anembanë botës kemi parë se propaganda dhe lajmet e rreme, përveç keqinformimit të qytetarëve, e ndajnë shoqërinë./Dritare.net