Mori goditjen më të fortë të ishemisë celebrale. U përball, sa hap e mbyll sytë, me rrezikun më të madh, vdekjen e menjëhershme. Vuajti shumë e vuajti gjatë, duke qëndruar pezull mes dy botëve. E ndjeu kur iku dhe kur u rikthyer përsëri. Dhe këtë se quan dot asgjë tjetër veçse vullnet hyjnor. Njerëzorja s’do mund ta bënte dot kurrë këtë mrekulli. Ndaj sot Shpëtim Saraçi ka besim absolut tek Zoti. E vlerëson ndryshe jetën deri dhe në gjërat më të vogla të saj. Rrëfehet në këtë bisedë për frikërat dhe gëzimet e tij. Për rrugëtimin e vështirë të rikthimit, që e bëri më të ndjeshëm e më të fortë. Një rrëfim që na bën të reflektojmë për atë që jemi dhe cfarë sjellim çdo ditë në jetë
Nga Fleura Shkëmbi, Revista Mapo
Jeta juaj u vu në rrezik prej një ishemie celebrale…
Ishemite janë të çuditshme. Janë goditje të cilat mund të vijnë një pas një por mund të të vijnë dhe përnjeherësh. Mua më ndodhi kjo e fundit, e fuqishme fare.
Si ishte gjendja emocionale para se të ndodhte kjo goditje?
Kam pasur emocione të jashtëzakonshme para se të më ndodhte ishemia celebrale. Ishte koha kur vajza do të nisej për studime në Amerikë. Si çdo baba, që ka me vajzat një lidhje fantastike, edhe unë po e përjetoja shumë emocionalisht ikjen e saj prej shtëpisë, ikjen aq larg. Shprehesha çdo ditë me miqtë ndërsa Mirës, bashkëshortes, nuk i thoja asgjë sepse s’doja ta ngarkoja atë më shumë. Kam pyetur më mbrapa mos kjo ngarkesë ndikoi për atë goditje që mora, por më thanë që gjithçka mund të jetë dhe krejt rastësi. Ajo që don të ndodhë ndodh dhe kaq.
Kujtoni diçka nga ai moment?
Isha duke pirë birrë me dy shoket të mi kur ndjeva që më erdhi një zhurmë e llahtarshme pas veshit të djathtë. Nuk e ekzagjeroj aspak kur them e llahtarshme, sikur të ishin hapur me zë të lartë 200 radio përnjeherësh. Nuk e kuptoja dot fare se çfarë ishte. Pastaj nuk po dëgjoja më dot veten fare kur flisja. Mbaj mend që pas kësaj jam rrëzuar. Më kanë dërguar direkt në spital. Kur ndodh një gjë e tillë, personi që merr goditjen nuk duhet të lëvizet nga vendi, pasi përbën një rrezik fatal. Ndërsa mua më lëvizën me taksi, as me ambulancë jo dhe më çuan të më bëjnë rezonancë magnetike. U bë dhe gabimi tjetër në spital që më kthyen me kokë poshtë për të më bërë provën e veshit të mesëm. Me të gjitha këto unë kam kaluar fare pranë rrezikut të madh, por jo, qëllova me fat. Më çuan më pas në Gjermani me barrelë e u ktheva prej andej me këmbët e mia e për mua kjo ishte tepër.
Pse mendoni se ishte e tepër?
Them e tepërt sepse kjo mrekulli nuk mund të bëhej kurrsesi me vullnet njerëzor përveç se me vullnetin hyjnor që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër, unë të paktën nuk e krahasoj dot me asgjë tjetër. E gjithë kjo që më ndodhi më krijoi një lidhje me Zotin që nuk e kam pasur në këtë nivel më parë. Tani besoj në mënyrë të verber, besoj tek ajo që të tjerët nuk e shohin dot e që unë për vete mendoj se e kam parë.
Si e percepton atë që sheh?
Perceptimi është i thjeshtë fare: më mori e me ktheu në jetë. Kaq!
A keni besuar më parë?
Po kam besuar edhe më parë por tani jo vetëm kam besim por edhe bindje absolute. Një dorë më ka mbajtur sepse nuk ndodh të shpëtosh kaq herë. Vullneti hyjnor është i pakrahasueshëm me asgjë.
Beson vetëm në Zot?
Absolutisht po. Besoj tek hyjnorja që është jashtë nesh, që është shumë më e madhe se ne.
A mendoni se çdonjëri prej nesh mund ta ketë këtë hyjnore?
Unë uroj që njerëzit ta ndjejnë dhe mendoj se duhet të besojnë të gjithë që forca hyjnore ekziston. Se duhet t’i afrohen dhe vetë kësaj ndjenje e këtij besimi. Nëse njerëzit do të besonin e do të afroheshin tek kjo gjë, mendoj se të gjithë do të ishim më të mirë, e se kjo shoqëri s’do të ishe kaq e egër sa është bërë tani.
Si ishte t’i riktheheshe jetës?
U deshën shum kohë. Po të tregoj një moment që ta kuptosh se çfarë ishte për mua rikthimi në jetë. Kur u rehabilitova duhej të shkoja në Amerikë për të bërë një operacion zemre. Vendosa të mos e bëja publike, sepse të them të drejtën isha bezdisur paksa nga mediatizimi i ngjarjes sime. Ndodhi që disa prej familjarëve të mi u dëmtuan emocionalisht nga trajtimi mediatik i gjendjes sime. E di që në fund të fundit media atë punë ka, të raportojë mbi gjithcka, por them se duhet të jenë paksa më të kujdeshëm, për çdo rast. Por s’dua të ndaloj tek kjo çështje. Ajo që dua të tregoj është takimi që pata, para se të ikja në Amerikë, me njerin nga drejtuesit e Top Channel. I tregova se duhej të ikja e më pyeti se ç’plane kisha pasi të kthehesha. I thashë- E ç’plane mund të kem unë tani!? Kur ai më bëri pyetjen- A do vish të punosh me ne?- nuk e merrni dot me mend se çfarë kam ndjerë në ato momente. Sepse për mua, në një moment të atillë, ajo s’ishte thjesht një ftesë për punë por shumë më shumë se kaq, ishte një ftesë për t’u rikthyer në jetë. I thashë vetëm kaq- A po pyet të verbrin a don sy!? Pranova të punoja por me një kusht të cilin ai nuk e pranoi.
Dëshironi ta ndani me ne kushtin?
Po, do të vij i thashë të punojmë së bashku por pa pagesë, gjë që ai nuk e pranoi.
Cili ishte qëllimi i këtij kushti?
Pa pagesë sepse shpirtërorja nuk paguhet, sepse gjërat e mëdha nuk paguhen dhe nuk kanë çmim.
Rrëfimi ndërpritet për pak, sepse ai përlotet… Përlotet nga dashuria që i ka dhënë ai njeri, duke gjetur mënyrën më të thjeshtë: e ka siguruar që do të jetë përsëri, këtu, në këtë dimension. Janë lotë të vërtetë që i shikon të rrjedhin nga dikush që e ka sfiduar ikjen me forcën e jetës.
Rikthehet përsëri me dëshirë në bisede….
Mendoni se jeni bërë shumë më i ndjeshëm tani? A ka ndryshuar përjetimi emocional tek ju?
Emocionet tani janë shumë më të forta tek unë, janë shumë më afër. Them se as mund të krahasohet më gjendja emocionale e tanishme më atë çfarë ka qenë më parë. Ja të të them një rast. Nëse atë videon e asaj edukatores që rrihte fëmijën në kopësht do ta kisha parë në ato kohët kur akoma s’më kishte ndodhur asgjë, do të isha mërzitur shumë si çdo njeri, ndërsa tani e keqja më hyri thellë në shpirt. Jam bërë më i ndjeshëm jo vetëm ndaj njerëzve por edhe ndaj kafshëve e ndaj gjithçkaje që më rrethon.
Si është jeta për ty tani?
Jeta është normale, siç ka qenë edhe më parë. Me gëzimet, mërzitë, me surpriza positive, negative…Di të vlerësoj më shumë jetën dhe çdo gjë që më rrethon.
A ka marrë tjetër vlerë? Çfarë vlerëson pas kësaj eksperience?
Unë s’mund të them se u bëra më i mirë apo më i aftë pas asaj që më ndodhi por di të them se tani di ta shijoj më shumë jetën. Çdo gjë që më rrethon tani di ta vlerësoj më shumë. Ajo që për mua është tepër positive është vlerësimi më i vërtetë i gjërave. Tani çdo gjë, sado e vogël të jetë, e vlerësoj më shumë. Më parë kam qenë tip më sportiv, tani jo dhe aq shumë. I marr shumë më seriozisht gjërat. Kam kuptuar se çdo gjë që të ndodh në jetë, sado e keqe që të jetë duhet ta kthejmë në favor, se jo çdo e keqe vjen për të keq, ashtu si dhe jo çdo e mirë vjen për të mirë.
Çfarë do t’i thoshit dikujt që ndodhet para një sfide të vështirë?
Unë do t’i them çdo njeriu beso! Po nuk besove nuk ndodh ajo çfarë dëshiron. Mendoj se duhet jo vetëm të besosh por dhe të guxosh pafund. Dua t’i them kujtdo se që të vdesësh ishte kollaj fare, s’kemi hiç pse frikësohemi, është si puna e gjumit, mbyll sytë dhe mund të ikësh… Ndaj duhet të shijojmë çfarë kemi, për aq sa jemi.
Revista Mapo/d.i.