Banka e Shqipërisë paralajmëron rreziqe për ekonominë nga tensionet në Lindjen e Mesme. Rritja e çmimeve dhe frenimi i ekonomisë mund të rikthejnë presionet inflacioniste në vend. Nëse situata përkeqësohet, priten edhe norma më të larta interesi për kreditë.
Krizë në horizont! Jemi përballë një realiteti të ri vlerëson Banka e Shqipërisë teksa paralajmëron “implikime serioze” në ekonomi në rast se tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të zgjasin.
“Kuptohet që këto ndikimi do të jenë në kahun negativ Pra jemi përballë potencialisht një goditje të ofertës e cila është e ngjashme me atë që pasoi konfliktin ushtarak në Ukrainë. Goditje e cila nëse vijon do të ushtrojë presion në drejtim të rritjes së çmimeve por edhe do të ndikojë në frenim të rritjes ekonomike për vitin 2026 e ndoshta në vazhdim”, deklaroi Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikës Monetare, BSH.
Rikthimi i mundshëm i valës së inflacionit rrjedhimisht do të detyrojë Bankën Qendrore të shtrëngojë politikën monetare. Rritja e normës bazë të interesit për lekun do të thotë këste më të larta për kreditë.
“Në fillim të muajit maj, Këshilli Mbikwqyrës i Bankës së Shqipërisë do të rimarrë edhe një herë në shqyrtim qëndrimin e politikës monetare pasi të vërejë të gjitha zhvillimet që do të ndodhin në muajin prill”, theksoi Erald Themeli.
Banka e Shqipërisë sheh me shqetësim veçanërisht shtrenjtimin e karburanteve. Nafta në veçanti po krijon një reaksion zinxhir duke goditur më të varfit.
“Ekonomia shqiptare do të goditet. Pesha e naftës në shportën e konsumit familjet përllogaritet në rreth 3.5 për qind”, shtoi ai.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5 për qind.











