Me thirrjet “Hajdut”, “Poshtë qeveria”, “jemi luanët e Sali Berishës”, hedhje molotovi e djegie gomazh, nis protesta e sotme e opozitës kundër qeverisë së Edi Ramës.
Mbështetës të Rithemelimit të pozicionuar para Parlamentit, kanë kërkuar nga qytetarët shqiptarë të ngrihen të gjithë bashkë për të rrëzuar regjimin, ndërsa kanë hedhur shishe, mollë e vezë në drejtim të efektivëve.
Protestuesit janë përplasur me efektivët pasi kanë tentuar të çajnë kordonin e sigurisë dhe të futen brenda në Parlament.
Një prej protestuesve ka bërë thirrje ndaj protestuesve të shtyjnë efektivët dhe të marrin nga Parlamenti atë që e cilësuan si “narko-trafikantin”, duke iu referuar Kryeministrit Edi Rama, për ta çuar para drejtësisë.
“Shtyni të çlirojmë parlamentin. Ata nuk janë më të fortë se ne, dhe as më të guximshëm se ne. Ne jemi bijtë e shqiponjave, jemi luanët e Sali Berishës. Shtyni përpara. Shtyni të merrni narko-trafikantin e ta çojmë para drejtësisë. Policia po fiton territor mbi ne, është e papranueshme, është e drejta jonë. Shqiptarët janë këtu. Nuk ka regjim policor të ndalë shqiptarët. Nuk kanë për t’ia dalë mbanë. Ky pushtet na mban në burg. Edi Rama ka shpopulluar 1 milionë banorë. Kriminelët në Shqipëri janë investitorë strategjik dhe po marrin çdo pëllëmbë të tokës së shqiptarëve. Jemi këtu deri në shporrjen e këtij regjimi.
Drejtësia në Shqipëri drejtohet nga Kryeministri. Krimi i lidhur me pushtetin.
Shqiptarët nuk kanë luksin të rrinë më këtu. Familjet shqiptare po ikin dita-ditës. Fermerët sot janë drejt falimentimit. Qumështi në Shqipëri është më i shtrenjti në Europë”, tha një nga protestuesit.
Mbështetësit e Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë me thirrjen “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, kërkon rrëzimin e qeverisë Rama dhe “shporrjen e narko-shtetit”.
“Duhet të bëheni bashkë për të gjitha kauzat për të shporrur narko-shtetin.
Do rrimë këtu deri sa të arrijmë fitoren. “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”. Poshtë diktatura”, tha një tjetër protestues.
/a.r