Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar sërish për protestën që vijon prej disa ditësh, duke theksuar se protesta është e drejtë, ndërsa dhuna përbën krim.
Përmes një shënimi në rrjetet e tij sociale, Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë durim dhe të mos bien pre e asaj që ai i cilëson ‘manipulime mediatike’.
Më tej, Rama u shpreh gjithashtu se qeveria është e gatshme për dialog në çdo kohë dhe pa kushte, me përjashtim të dhunuesve dhe atyre partive politike, që nuk distancohen nga dhuna.
Postimi:
“Protestat janë një E DREJTË, ndërsa Dhuna është KRIM dhe kjo vijë e kuqe do të ndahet prerazi në këtë fazë kritike të zhvillimit tonë demokratik.
Qytetarët duhet të bëjnë durim, e të mos bien pre e presionit të manipulatorëve mediatikë dhe pasqyrave telefonike.
Protestuesit duhet të distancohen nga dhunuesit, përndryshe do të paguajnë financiarisht njësoj si ata.
Dhunuesit duhet dhe do të marrin faturën ligjore e financiare të verbërisë së tyre.
Unë dhe shumica qeverisëse jemi gati për dialog me këdo tjetër përveç dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga dhuna. Në çdo vend. Në çdo orë. Pa kushte”.












Cilën faturë do marrin dhunuesit z. Kryeministër?! Mbi çfarë baze ligjore? Jua bëj këtë pyetje sepse jo më larg se dje gjykata liroi pothuaj të gjithë protestuesit e arrestuar nga policia. Duhet të gjesh patjetër një klauzolë ligjore që dhunuesit ta marrin vërtetë faturën financiare se ndryshe kot sa del e na thua durim. Durim për çfarë?! Durim që fatura të na shpërndahet të gjithë neve?! Mos dil për demagogji por gjej mënyrat që dhunuesit të marrin faturën dhe të bëhen shembull për të tjerët në të ardhmen.