Ishte fillimi i vitit 1991, kur Kryepeshkopi Anastas i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, u caktua Eksark Patriarkal në Shqipëri. Në një intervistë eskluzive me Albanian Daily News, Anastas zbulon detaje të përpjekjes së tij për të ringjallur Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, plotësisht të shkatërruar prej vitit 1967 nga regjimi komunist, në këtë vend të Ballkanit.
“Më së shumti ne mblidheshin në gërmadhat e kishave, nën pemë ose përjashta në mbarë vendin dhe konstatova dëshpërim dhe shpresë” – thotë kryepeshkopi Anastas, në lidhje me përpjekjen sfiduese për zhvillimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, për të cilën, siç ai pohon, u bë një lypës ndërkombëtar.
Fortlumturia Juaj, si u zgjodhët Primat i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, dhe cili ishte reagimi juaj kur feja rilindi në Shqipëri, pas rënies së regjimit komunist?
Reagimi i parë ishte befasimi. Ishte fillimi i vitit 1991, kur mora një telefonatë nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës, që kishte përgjegjësinë për t’u kujdesur dhe mbështetur Kishat Orthodhokse në vështirësi, e cila më kërkoi të isha Ekzark Patriarkal në Shqipëri. Në atë kohë, isha profesor i Historisë së Fesë në Universitetin Kombëtar të Athinës, Kryepiskop në detyrë në Afrikën Lindore për organizimin e Hierapostullimit Orthodhoks dhe moderator (kryetar) i Komisionit dhe Konferencës për Misionin Botëror dhe Ungjillëzmin” të Këshillit Botëror të Kishave (studimet e mia pasuniversitare në Gjermani dhe shkrimet që vijuan u fokusuan mbi Fetë e botës dhe dëshminë e krishterë).
Mbërrita në Tiranë në korrik të vitit 1991. Pas kontakteve të para me udhëheqjen politike, vizitova qytetet kryesore dhe një numër të madh fshatrash ku tradicionalisht jetonin komunitetet orthodhokse. Në shumicën e rasteve, mblidheshim në gërmadhat e kishave, në vende të hapura poshtë pemëve dhe kudo, në mbarë vendin, vura re dëshpërim dhe shpresë. Mesazhi im i parë ishte: “Guxojmë të shpresojmë. Perëndia i dashurisë nuk ka për të na braktisur!”. Fjalët e para që mësova në shqip- atëherë isha 62 vjeç -ishin përshëndetja paskale: “Krishti u Ngjall”. Pozita e kryepiskopit, veçanërisht në rastin e Shqipërisë, ku Kisha ishte krejtësisht e shkatërruar, nuk ishte një fron rehatie, pushteti dhe lavdie, por një fron shërbimi me frymën e Kryqit. Jisu Krishti e përshkroi mjaft qartë këtë detyrë: “Ai që do të jetë i pari, duhet të jetë i fundit, dhe shërbëtori i të gjithëve”.
Cilët ishin hapat e parë për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në atë kohë dhe ku e gjetët forcën për të kryer misionin tuaj? Cilët ishin mbështetësit tuaj moralë dhe financiarë?
Ne nisëm të meshonim, të predikonim dhe të qarkullonim Shkrimin e Shenjtë dhe Literaturën e krishterë në gjuhën shqipe. Organizuam një komitet, ku merrte pjesë një prift i moshuar dhe një laik nga çdo rreth për të përfaqësuar Kishën Orthodhokse në marrëdhëniet publike. Krijuam një seminar për përgatitjen e klerit vendas. Meqenëse nuk kishim godinat e nevojshme dhe mjetet për këtë gjë, morëm me qira një hotel në Durrës dhe e hapëm me shumë vështirësi Seminarin tonë atje. Pranuam studentë, me kusht, që të kishin përfunduar të paktën arsimin e mesëm. Me hirin e Perëndisë, gjatë shërbimit tim këtu, kemi shkolluar, dorëzuar priftërinj dhe kemi mbështetur në veprën e tyre më tepër se 160 nënshtetas shqiptarë.
Kur fillova punën këtu, nuk kisha asnjë premtim si për mbështetje financiare, ashtu dhe për njerëz që do të më ndihmonin. E pranova këtë sfidë me besim spontan te Perëndia dhe duke iu bindur në mënyrë të pakushtëzuar Kishës. E vetmja gjë e sigurt nga ana financiare për mua ishte pensioni nga Universiteti i Athinës. Për realizimin e projekteve të nevojshme, duhej të shkoja në drejtime të ndryshme: të shpjegoja, të bindja dhe të lypja. Trokita tek të gjithë miqtë e mi në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Australi, duke kërkuar mbështetje nga fondacione dhe individë të ndryshëm. Lavdi Perëndisë, ndihma më erdhi nga drejtime që nuk i kisha shpresuar. Për hir të zhvillimit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, unë u bëra një “lypës ndërkombëtar”, por gjatë kësaj rruge, e dija fare mirë se gjithmonë lypja për diçka shumë esenciale dhe aspak për veten time.
Sa i takon pyetjes, “Ku e gjetët forcën për të kryer misionin tuaj?”, më duhet t’ju kujtoj se e gjithë jeta ime është bazuar në sigurinë se Realiteti Suprem në univers është Perëndia i Dashurisë. Gjithmonë sjell në mendje vargun e mrekullueshëm të shën Joan Ungjillorit: “Perëndia është dashuri dhe kush qëndron në dashuri, rri në Perëndinë dhe Perëndia në atë”. Dhe jam i bindur se ky përkufizim rreth Realitetit Suprem është më i rëndësishmi, gjithmonë aktual dhe burim frymëzimi. Sigurisht, unë e di se ka shumë njerëz që nuk besojnë në Perëndi, ca më pak në Perëndinë e Dashurisë dhe ndoshta këta njerëz janë dyshues për keq, kur na dëgjojnë të flasim rreth bindjeve tona. Respektoj lirinë e tyre për të pasur secili idetë e tij, por unë nuk resht së frymëzuari prej besimit tim të krishterë, prej sigurisë së pranisë së Krishtit në çdo hap të përpjekjeve tona. Besoj me gjithë zemër se gjëja më e rëndësishme që ne mund të ofrojmë dhe të provojmë në këtë jetë është dashuria. Se përpjekja më esenciale e Kishës është të jetë një punishte e dashurisë që rrezaton dashurinë e Perëndisë.
Gjatë gjithë këtyre viteve, jemi përballur shumë herë me dyshime (veçanërisht për shkak të origjinës sime greke), me sprova, keqkuptime, akuza dhe shpifje. Në të gjitha situatat e vështira dhe sfiduese streha dhe ngushëllimi ynë ka qenë dhe është siguria se “Nëse Perëndia është me ne, kush është kundër nesh?” dhe në mënyrë të veçantë eksperienca e apostull Pavlit, sipas të cilit: “Mund t’i bëj të gjitha me anë të Krishtit që më fal fuqi”. Unë e kuptoj se kjo gjuhë për njerëz që kanë bindje të ndryshme fetare është e huaj. I përmend këto për të dëshmuar se ka një fushë të besimit dhe të përvojës, e cila na fal fuqinë shpirtërore për të kapërcyer pengesa dhe sprova. Besimi dhe lutja mbeten fuqia e fshehtë e çdo njeriu që përpiqet të ketë një marrëdhënie me Perëndinë dhe të shërbejë. Në këto përpjekje, nuk isha i vetëm; gjatë 25 viteve kam pasur bashkëpunëtorë të mrekullueshëm, pjesa më e madhe e tyre vendas, por edhe nga 4-5 klerikë të huaj dhe 5-8 laikë të ardhur nga vende të tjera, njerëz me frymë dashurie dhe sakrifice.
Është një fakt i rëndësishëm historik se në vitin 1912, me krijimin e shtetit shqiptar, nisi një fazë e re për Kishën Orthodhokse. Ardhja e pavarësisë politike solli kërkesa të përsëritura për pavarësinë e të gjitha komuniteteve fetare nga qendrat e tyre në vendet e tjera. Si e konsideroni atë periudhë?
Ky ishte një synim i natyrshëm (meqenëse shtetet e tjera ballkanike e kishin marrë Autoqefalinë prej Patriarkanës Ekumenike). Gjithashtu ishte e domosdoshme që autoqefalia të realizohej nëpërmjet Traditës dhe procedurës së duhur kishtare. Gjithashtu duhej të ruhej identiteti global kishtar si një gjymtyrë e Orthodhoksisë dhe shprehja vendore brenda Shtetit shqiptar. Zgjidhja u realizua më në fund pas një marrëveshjeje të ndërsjellë midis Patriarkanës Ekumenike dhe autoriteteve shqiptare me ofrimin kanonik të Autoqefalisë në prill të vitit 1937. Ashtu siç shkruhet qartazi në nenin e parë të Statutit të saj: “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që ka si themelues dhe Krye të saj Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht është institucion hyjnor si prania dhe shfaqja në vend e Një Kishe të Shenjtë Katholike dhe Apostolike, e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha Kishat simotra Autoqefale dhe ruan të paluajtshme burimet e besimit, d.m.th. Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Shenjtë, si dhe Kanonet e Shenjta apostolike e sinodike”.
Në Traditën Orthodhokse, ne kemi një sistem sinodial: asnjë Kishë “Autoqefale” nuk është e pavarur në kuptimin e një institucioni shekullar. Ekzistojnë shumë marrëdhënie të brendshme të vazhdueshme dhe ndërvarësi. Siç u theksua edhe në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksisë në Kretë, në 2016, “Kishat Orthodhokse Autoqefale nuk përbëjnë një federatë Kishash, por Një Kishë, të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Çdo Kishë lokale ndërsa ofron Eukaristinë e Shenjtë, është prania lokale dhe shfaqja e Një Kishe, të Shenjtë, Katholike, dhe Apostolike. “Uniteti i Kishës Orthodhokse bazohet në radhë të parë në Eukaristinë dhe në vijimësinë e pandërprerë apostolike të episkopëve të saj”.
Në këtë kornizë theologjike ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pas shkatërrimit të saj të plotë të kryer nga sistemi ateist, ishte e domosdoshme të bëhej sipas traditës orthodhokse. Patriarkana Ekumenike, që i dha Autoqefalinë Kishës së Shqipërisë, mori iniciativën e ringritjes së Kishës së shkatërruar. Çdo gjë është bërë sipas rregullit të saktë kishtar; ky fakt njihet jo vetëm në qarqet orthodhokse, por përgjithësisht në botën e krishterë.
Në nëntor të vitit 1967, Shqipëria u shpall shtet ateist- i vetmi i këtij lloji në botë dhe në histori. Në këtë shtet, të gjitha format e shprehjes fetare ishin të ndaluara me kushtetutë. Qindra kisha u shkatërruan dhe shumë prej tyre iu ndryshua destinacioni. Si e patë atë kohë të vështirë që kaloi populli shqiptar? Cilat janë disa nga përpjekjet dhe arritjet në punën tuaj për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë?
Para se të vija këtu, ndiqja me dhimbje dhe shqetësim të madh persekutimin e tmerrshëm ateist në Shqipëri. Shkatërrimi jo vetëm i ndërtesave fetare, por edhe i besimit në shpirtrat e njerëzve ishte padrejtësia më e tmerrshme. Çrrënjosja e besimit fetar nga ndërgjegjja e popullit ishte me të vërtetë një krim kundër njerëzimit. Por brenda meje ruaja sigurinë se Perëndia do të bënte mrekullinë e lirisë fetare, që do t’i dhurohej përsëri Shqipërisë.
Sa i takon përpjekjes sime, dua të shtoj në lidhje me ato që përmenda më lart rreth përgatitjes së qytetarëve të Shqipërisë për shërbimin ndaj Kishës, se në vitet pasardhëse ne ngritëm Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës dhe dy shkolla të mesme kishtare me emrin “Kryqi i Nderuar”, si edhe një shkollë të muzikës bizantine, të gjitha me konvikt. Një prioritet kryesor, sipas standardeve të Orthodhoksisë, ishte krijimi dhe zhvillimi i Sinodit të Shenjtë. Sot Sinodi përbëhet nga kryepiskopi, gjashtë mitropolitë dhe një episkop. Dy hapa të tjerë të rëndësishëm ishin hartimi i Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Marrëveshja me Qeverinë e Shqipërisë, që u bë ligji nr. 10057 dt. 22. 2. 2009, të cilat përbëjnë dokumentet legale bazë të Kishës sonë.
Gjatë kësaj periudhe, ne arritëm të ndërtojmë më shumë se 150 kisha të reja, të mëdha e të vogla, restauruam mbi 60 kisha e manastire-monumente kulture dhe mbi 160 kisha ekzistuese. Gjithashtu janë ngritur, blerë dhe rikonstruktuar më shumë se 70 godina për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli metropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfrit etj. E gjithë vepra ndërtuese arrin në mbi 450 objekte. Janë botuar me dhjetëra libra teologjikë dhe shpirtërorë së bashku me periodikë të ndryshëm; Kisha Orthodhokse ka shtypshkronjën e saj. Janë formuar lidhjet rinore, lidhjet e grave dhe të intelektualëve; si edhe një stacion radiofonik, për të zhvilluar më tej jetën dhe dëshminë e krishterë.
Gjatë këtyre viteve një çështje primare ishte sigurimi i vazhdimësisë financiare për të gjitha përpjekjet në të ardhmen. Kjo ëndërr ishte më e vështirë për t’u realizuar. Me fuqinë e Perëndisë, në vitin 2016 arritëm të ndërtojmë një hidrocentral afër Librazhdit. Ky projekt pati katër parametra kryesorë: plotëson të gjitha standardet mjedisore, përdor vetëm burime energjie të rinovueshme, ndihmon në zhvillimin e infrastrukturës së Shqipërisë, duke kontribuuar në shtimin e energjisë që disponon vendi dhe ka një perspektivë të qartë sociale: të ardhurat e përftuara nga kjo vepër do të mundësojnë vazhdimin e veprës sonë shpirtërore, filantropike, edukuese dhe sociale.
Përveç fesë, a u përfshitë në projekte të tjera për të mbështetur njerëzit e zakonshëm, gjendja e të cilëve ishte e vështirë në atë kohë?
Gjatë periudhave të vështira që kaloi vendi (1992, 1994, 1997, etj.), ne u përpoqëm të lehtësonim gjendjen e popullit që vuante. Ofruam një ndihmë të gjerë humanitare, duke siguruar e shpërndarë mijëra tonë ushqime, rroba e medikamente. Një rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edukimit të përgjithshëm, që evidentohet me ngritjen e rreth 30 shkollave në të gjitha nivelet” kopshte, shkolla fillore e të mesme, Institute të Formimit Teknik dhe një Kolegj universitar (Kolegji universitar “Logos”). Gjatë këtyre viteve kemi ofruar mbi 30.000 bursa dhe kemi ndihmuar mbi 11.000 fëmijë e studentë në shkollimin e tyre.
Në fushën e shëndetësisë, Qendra jonë Mjekësore Diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë, ofron shërbime të kujdesit shëndetësor me kontributin e mjekëve të njohur dhe të pajisjeve mjekësore moderne. Gjatë 17 viteve të funksionimit të saj janë kryer më tepër se 2 milionë vizita dhe miliona analiza. Në disa qytete dhe në fshatra janë organizuar programe të tjera mjekësore në shërbim të banorëve. Gjithashtu kemi zhvilluar dhe mbështetur një numër të madh programesh sociale, ku përfshihen edhe projekte zhvillimi në zona malore.
Një përpjekje shumë e rëndësishme u bë në vitin 1999, kur mijëra refugjatë nga Kosova mbërritën në Shqipëri. Kisha jonë, në bashkëpunim me Kishat e tjera Evropiane, ndihmoi dhe strehoi mbi 33.000 refugjatë. Këto janë një pjesë e vogël e përpjekjeve konkrete që kemi realizuar, por në këtë intervistë nuk është e mundur të hyjmë në më shumë detaje (informacion shtesë mund të gjendet në faqen tonë të internetit www.orthodoxalbania.org, si dhe në botime të tjera të rëndësishme të Kishës).
Mbi 800 persona janë punësuar nëpër departamente të ndryshme, fondacione dhe institucione të krijuara nga Kisha, dhe kanë punuar gjatë gjithë këtyre viteve; duke i shtuar kësaj shifre edhe numrin e madh të punonjësve të kompanive të ndërtimit të cilat kanë punuar në shumë projekte të ndryshme të Kishës gjatë 25 viteve. Këto shifra flasin sado pak rreth kontributit social dhe financiar të Kishës për zhvillimin e vendit. Përmbledhtazi, Kisha jonë ka kontribuuar në mënyrë substanciale për rindërtimin dhe zhvillimin social e shpirtëror të Shqipërisë.
Cilat janë lidhjet dhe bashkëpunimi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në nivelin ndërkombëtar?
Ne marrim pjesë me të drejta të plota në të gjitha aktivitetet e Kishave Orthodhokse. Vitet e fundit, Kontributi i Kishës sonë ka qenë shumë i rëndësishëm në “Sinakset”- Mbledhjet e Primatëve të Kishave Orthodhokse dhe veçanërisht në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksisë në Kretë, qershor 2016. Kisha jonë është gjithashtu anëtare e Konferencës së Kishave Evropiane (Gjenevë), e Këshillit Botëror të Kishave (Gjenevë), si edhe e Konferencës Botërore Ndërfetare Fetë për Paqen (Nju-Jork). Është fakt i njohur se në të gjitha këto organizata ndërkombëtare, ne patëm një pjesëmarrje aktive (në Konferencën e Kishave Evropiane kam qenë zëvendës-president, në Këshillin Botëror të Kishave president dhe në Fetë për Paqe president nderi i kësaj organizate ndërfetare).
Shqipëria është vlerësuar për harmoninë fetare në vend. Si e konsideroni këtë fakt dhe cili është roli juaj në këtë përpjekje?
Edhe para se të vija në Shqipëri, isha anëtar i “Grupit Theologjik të Punës për Dialog me Njerëz të Feve dhe Ideologjive të Tjera”, të Këshillit Botëror të Kishave. Këtu në Shqipëri, ne jemi në një “dialog jete” të vazhdueshëm, me respekt të thellë për çdo person njerëzor pavarësisht bindjeve të tij fetare apo se çfarë idesh filozofike ose bindje ka. Që në vitin e parë, ne punuam për marrëdhënie të përzemërta midis kryetarëve të Komuniteteve të ndryshme fetare. Morëm iniciativën për krijimin e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale. Gjithashtu kemi krijuar Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe jemi bërë anëtarë të Konferencës Botërore të Feve për Paqen. Në përgjithësi, jemi përpjekur për promovimin jo vetëm të tolerancës, por edhe të bashkëpunimit vëllazëror dhe të bashkëjetesës harmonike. Ky fakt është njohur publikisht prej autoriteteve shtetërore. Harmonia fetare në Shqipëri, është një fryt konkret i përpjekjeve të ndërgjegjshme dhe të zellshme nga të gjitha komunitetet fetare gjatë gjithë këtyre viteve dhe duhet të vazhdojë të jetë një aset i vyer shpirtëror i shoqërisë shqiptare./a.m.