Demokratët vazhdojnë të refuzojnë votimin dhe numërimin elektronik.
Në mbledhjen konsultative të thirrur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, forca më e madhe e opozitës ka qenë kundër idesë së Ilirjan Celibashit për ta shtrirë përdorimin e kësaj teknologjie.
“Nga diskutimet përkatëse të këtyre përfaqësuesve, duket se partia kryesore e opozitës parlamentare nuk e mbështet zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027. Rekomandimi i përfaqësuesve të tjerë politikë ishte për zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik në disa bashki apo edhe në të gjithë territorin e vendit”, tha KQZ.
Celibashi propozoi shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në 3-4 bashki të mëdha, por Sali Berisha publikisht e bëri të qartë arsyet e refuzimit të tij të prerë:
“Asnjë bashki nuk pranojmë ne numërim elektronik, në mënyrë të prerë. Partia Demokratike nuk pranon! Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme. Në numërimin elektronik është implikuar direkt dhe shërbimi informativ kombëtar, narko-shërbimi informativ tani. Janë krijuar servera paralelë, ka pasur probleme të mëdha, ne nuk pranojmë asgjë të manipulueshme më në procesin zgjedhor”, tha ai.
KQZ thotë se do të mbajë në konsideratë opinionet e shprehura në tryezë. Edhe më parë Komisioneri Celibashi ka qenë pro idesë së përdorimit më të gjerë të teknologjisë në zgjedhje, por refuzimi i demokratëve e ka bërë që të frenojë.

