Kryeministri Edi Rama nënvizoi se Shqipëria po bëhet një destinacion serioz për investime të huaja.
Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga një model ekonomik i bazuar në koston e ulët të punës në një model që krijon vlerë të shtuar, cilësi dhe bashkëpunime afatgjata.
Më tej, Rama ndaloi tek sektori i turizmit, i cili siç tha ai ka arritur 12 milionë vizitorë në vit dhe investimet e huaja kanë kaluar 1.5 miliardë euro, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet me transformimin më të madh në rajon.
“Këtë javë u zhvillua edicioni i dytë i MatchMaker Albania, një aktivitet që mbledh rreth 1200 pjesëmarrës, afro 500 investitorë ndërkombëtarë nga më shumë se 40 shtete dhe krijon kësisoj një mundësi reale në një hapësirë konkrete, ku idetë, projektet dhe synimet për të krijuar sinergji në funksion të bashkëpunimit për të investuar në Shqipëri marrin formë përmes qindra e qindra takimeve të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të sipërmarrjeve të ndryshme, që pikërisht ky aktivitet u mundëson të njihen konkretisht me projektet e njëri-tjetrit apo me projekte të cilat presin partneritete të reja, si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat.
Dhe ajo që u ndje e qartë edhe në këtë edicion të dytë ishte rritja e interesit, rritja e mundësive reale të konkretizueshme në bazë të interesit reciprok, që kthehet pastaj në angazhim dhe prania e plotë e kompanive të njohura ndërkombëtare, që nuk janë në Shqipëri më thjesht për një prezencë simbolike apo të rastësishme, por që janë në Shqipëri sepse Shqipëria shihet gjithnjë e më seriozisht si destinacion për investitorët.
Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me çka unë theksova në fjalën time në hapjen e këtij edicioni të dytë të MatchMaker Albania, se Shqipëria nuk është më në fazën ku prezantohet si një vend me potencial për të ardhmen, por është në një fazë të re ku e ardhmja është sot.
Dhe ajo çka mund të thuhet me plot gojën është se tanimë modeli që ne trashëguam kur erdhëm në qeveri, një ekonomi e bazuar në koston e ulët të krahut të punës, i ka lënë vendin një modeli që krijon vlerë të shtuar, që krijon cilësi dhe partneritete afatgjata të qëndrueshme.
Modeli i dikurshëm, që ishte modeli i një vendi me dy-tre milionë turistë, ku për turistë numëroheshim edhe ne shqiptarët sa herë hynim dhe dilnim, dhe me 300-400 milionë euro investime të huaja në vit mesatarisht, i ka lënë vendin një tjetër modeli në një vend që ka 12 milionë turistë në vit dhe ka kapërcyer shifrën e 1.5 miliardë eurove investime të huaja në vit, duke u renditur qartësisht në klasifikimin e vendeve të këtij rajoni si vendi me transformimin më të madh dhe më të thellë të dekadës së fundit.”, tha Rama.











