Ja si fitohet nënshtetësia italiane nga fëmijët e emigrantëve
Është prezantuar në Komisionin e Çështjeve Ligjore në Parlamentin italian teksti unik për reformën e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve me leje qëndrimi të rregullt në Itali. Prej më tepër se dy vitesh, 22 propozime ligjesh për këtë reformë janë depozituar në Parlament, pa u marrë në diskutim nga ligjvënësit italianë.
Relatorja e tekstit të këtij projektligji, deputetja e Partisë Demokratike, Marilena Fabri deklaroi se ka besim që ky propozim do të diskutohet në dhomën e deputetëve në muajin shtator dhe do të ketë një përfundim pozitiv. “Shoqëria italiane që jeton krah më krah çdo ditë me familjet e emigrantëve të rregullt në Itali, që dërgojnë fëmijët në shkolla e që jetojnë bashkarisht me ne shpresat e preokupimet e Italisë së sotme, e pra kjo shoqëri nuk ka frikë nga nënshtetësia e fëmijëve që rriten duke u ndjerë italianë”, tha për mediet Fabri.
Përfituesit e nënshtetësisë
Teksti i këtij projektligji parashikon që të marrin nënshtetësi italiane të gjithë fëmijët e emigrantëve të lindur në Itali, me prindër me leje të rregullt qëndrimi dhe qëndrim për të paktën 5 vjet në Itali. Po ashtu, bëhen nënshtetas italianë të gjithë ata fëmijë emigrantësh, me prindër që nuk i përmbushin këto kërkesa, por që kanë mbërritur në Itali në moshën minorene, pasi kanë frekuentuar sistemin shkollor italian të paktën për 5 vjet.
Do të jenë prindërit e fëmijëve që do të prezantojnë kërkesën e njohjes së nënshtetësisë me anë të një “deklarate dëshire”. Në rast se nuk e bëjnë, do të jenë fëmijët e emigrantëve që pasi mbushin moshën madhore kanë dy vjet kohë për të prezantuar kërkesën e tyre për tu bërë nënshtetas italianë. Nëse fëmijët e emigrantëve janë bërë nënshtetas italianë me dëshirën e prindërve, në moshën madhore mund të heqin dorë nga kjo nënshtetësi. Nënshtetësia italiane e fëmijëve nuk garanton nënshtesinë italiane për prindërit e tyre. Ky projektligj garanton një reformë në të drejtën e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve ndërsa për prindërit e tyre vazhdon të jetë në fuqi ligji aktual që kërkon të paktën 10 vjet rezidencë të rregullt në Itali.