Lufta e Iranit nuk do të reflektohet vetëm në çmimet e karburanteve dhe ushqimet. Ajo pritet të ndikojë në likuiditetin e ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar një reagim zinxhir me rënien e punësimit, rritjen e varfërisë dhe tkurrjen e aktivitetit ekonomik.
- “Superpozimi” i Buxhetit: Në fizikën kuantike, një grimcë mund të jetë në dy vende njëkohësisht. Në realitetin shqiptar, dhe aq më tepër në raste krizash, paratë e buxhetit të shtetit janë në një gjendje superpozimi: Ato janë aty kur duhet të investohet në fasada apo tendera urgjentë si rrugë, ura, etj., por nuk janë aty kur duhet të amortizohet rritja e çmimit të bukës apo naftës nga lufta.
- “Efekti i Vëzhguesit”: Buxheti ndryshon gjendjen vetëm kur vëzhgohet nga opozita ose mediat; sapo kamera fiket, ai kthehet në gjendjen e tij të errët e të papërcaktuar. Gjithashtu, ky buxhet vuan nga një fenomen i çuditshëm: ndonëse formohet me taksat e qytetarëve dhe bizneseve, ai sillet sikur t’i kishte harruar xhepat nga ku buroi, veçanërisht kur bëhet fjalë për të transferuar fonde drejt klientëve të caktuar, e më tej paratë për disa pagesa, ato dalin nga buxheti, por jo nga xhepat e qytetarëve.
- “Ndërlidhja” e Çmimeve: Ky është fenomeni ku dy grimca janë të lidhura në mënyrë të tillë që ndërveprojnë njëkohësisht, pavarësisht distancës. Nëse shpërthen një krizë në Iran mijëra kilometra larg, çmimi i domateve në tregun shqiptar reagon menjëherë. Është njëlloj si habia e një fermeri të vjetër shqiptar që pyeste pse një luftë në një kontinent tjetër ia rriti brenda ditës çmimin e plehrave kimike atje në fshatin pa rrugë. Por, paradoksi kuantik qëndron edhe diku tjetër: Ndërsa çmimet në rritje janë të “gërshetuara” me krizën globale, rrogat shqiptare mbeten në një “vakum absolut”, të palëvizshme, dhe ligjet e fizikës kuantike nuk japin efekt rritës mbi ato.
- “Efekti Tunel”: Në kuantikë, një grimcë mund të kalojë përmes një barriere që teorikisht është e pakalueshme. Qeveria e përdor këtë për të kaluar “barrierën e logjikës”. Edhe pse shifrat thonë se jemi në krizë, narrativa zyrtare bën një “tunneling” dhe del në anën tjetër të realitetit, duke prezantuar suksese turistike apo rritje të mirëqenies, sikur hendeku i krizës të mos ekzistonte fare. Kështu, qytetari fillon të dyshojë te sytë e tij: “A jam vërtet i varfër, apo thjesht nuk po e shoh mirë valën kuantike të progresit dhe faturën që kam përpara syve?”
Dhe ashtu është aktualisht dhe në realitet, ende 6 javë mbas fillimit të konfliktit në Iran, tregu dhe ekonomia shqiptare tregojnë stabilitet për ta pasur zili. Sektori i shërbimeve mbetet aktiv, konsumi vendas vazhdon qarkullimin, monedha kombëtare, Lek-u ka krijuar perceptimin e një imuniteti të fortë strukturor.
Por, a është ky një ekuilibër i qëndrueshëm? Rreziqet kryesore makroekonomike nuk po krijohen brenda vendit, ato po burojnë së pari nga gjeopolitika në Lindjen e Mesme.
Zgjatja e konfliktit në Iran, dëmtimi i infrastrukturës energjetike në vendet e Gjirit Persik dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit — nyje thelbësore e furnizimit global me energji dhe plehra kimike — po valëviten si premisa të një krize strukturore për një ekonomi të varur nga importet si Shqipëria.











