William Kremer, BBC
Përgjatë dy dekadave të fundit, dhjetëra kërkime shkencore janë publikuar mbi origjinën biologjike të homoseksualitetit. Tashmë kjo po bëhet teori shkencore e gjithëpranuar. Por a është kjo e përputhshme me teorinë e evolucionit të Darvinit?
Kënga e famshme Same Love (Njësoj Dashuri) nga Meklemor (Macklemore) dhe Rajën Leuis (Ryan Lewis) e cila është bërë himni jozyrtar i aktivistëve pro martesave mes të njëjtit seks në SHBA, reflekton mënyrën se si ndihen njerëzit gej mbi seksualitetin e tyre.
Ajo tallet me ata që “e konsiderojnë atë si vendim, dhe që mund të kurohesh me pak trajtim dhe religjion”. Një minorancë mes njerëzve gej nuk janë dakord, duke besuar se seksualiteti i tyre është një konstrukt social dhe se ata kanë bërë një zgjedhje të vetëdijshme dhe krenare për të pasur partnerë të të njëjtit seks.
Por opinioni i shkencëtarëve është me Meklemorin. Që nga fillimi i viteve 1990, shkencëtarët kanë demonstruar se homoseksualiteti është më i pranishëm mes vëllezërve dhe kushërinjve me të njëjtën linjë nga nëna dhe se një faktor gjenetik konsiderohet se është shkaku. Gjithashtu e rëndësishme – por jo tërësisht e vërtetuar – është se kërkuesit kanë identifikuar dallime fizike në trurin e maxhorenëve gej apo hetero
Por për shkak se njerëzit gej apo lesbike kanë më pak fëmijë sesa të tjerët, këtu del një problem.
“Kjo është një paradigmë nga pikëpamja evolucionare”, thotë Pol Vasej (Paul Vasey) një profesor në Kanada. “Si mundet që një linjë homoseksualiteti mashkullor, i cili ka një komponent gjenetik të ketë mbijetuar përgjatë kohës sonë evolucionare në rast se individët që e kanë këtë gjen nuk riprodhohen?”
Shkencëtarët nuk e dinë përgjigjen e kësaj dileme darviniane, por ka shumë teori mbi këtë. Është e mundur që mekanizma të ndryshëm mund të jenë duke funksionuar në njerëz të ndryshëm. Shumica e teorive janë përqendruar te kërkimet e kryera mbi homoseksualitetin mes meshkujve.
Evolucioni i lesbikeve është relativisht i pastudiuar dhe përgjithësisht i panjohur.
Alelet – ose grupi i gjeneve – që në disa raste i japin jetë orientimit homoseksual mundet që në kohë të tjera të japin edhe përfitime të forta gjenetike. Kjo mund të mjaftojë për të kompensuar mungesën e riprodhimit të homoseksualëve, ndërkohë që gjeni përkatës vijon të transmetohet përmes njerëzve që nuk janë gej.
Ka edhe dy mënyra të tjera se si mund të ndodhë kjo. Një mundësi është që alelet japin një tipar psikologjik që i bën burrat hetero më tërheqëse për gratë ose gratë hetero më tërheqëse për burrat.
“Ne e dimë se gratë kanë tendencën të pëlqejnë më shumë tipare femërore në sjellje apo pamje te meshkujt e tyre dhe kjo mund të jetë e lidhur me gjëra të tilla si prindërim i mirë apo më shumë ndjeshmëri”, thotë Qazi Rahman, bashkautor i librit I lindur Gej; Psikologjia e orientimit seksual. Për rrjedhojë, vijon teoria, “një dozë e vogël” e këtyre aleleve rrit shanset për sukses riprodhues. Herë pas here ndonjë anëtar i familjes me këtë gjen merr një dozë më të lartë që prek orientimin e tij apo seksual, por alelet sërish kanë një avantazh të përgjithshëm riprodhues.
Në një mënyrë tjetër, “alelet gej” mund të jenë në gjendje të kompensojnë për deficitin riprodhues duke pasur një efekt të kundërt mbi seksin tjetër. Për shembull, një alele që e bën mbajtësin të tërhequr ndaj burrave ka një avantazh të dukshëm riprodhues për gratë. Nëse ai shfaqet në kodin gjenetik të një mashkulli, ai do të shtyjë për tërheqje brenda të njëjtës gjini, por për sa kohë kjo ndodh rrallë, sërish alele ka një përfitim evolucionar neto.
Ka deri diku prova për këtë teori të dytë. Andrea Camperio-Ciani, Në Universitetin e Padovës në Itali, ka zbuluar se familjarët femra të njerëzve gej kanë më shumë fëmijë sesa familjarët femra të meshkujve hetero. Kjo sugjeron se duhet të ketë një mekanizëm të panjohur në kromozomin x të kodit gjenetik të meshkujve që ndihmon gratë e familjes të kenë më shumë fëmijë, por që mund në të njëjtën kohë të krijojë homoseksualitet mes burrave. Këto rezultate nuk kanë dalë të vërteta mes grupeve të tjera etnike – por kjo nuk do të thotë se janë të gabuara për popullatën italiane që u analizua në studimin e Camperio-Ciani.
Disa kërkues besojnë se për të kuptuar evolucionin e njerëzve gej ne duhet të shohim se çfarë pozicioni kanë ata në kulturën më të gjerë.
Studimi i Pol Vasej në ishujt Samoa është përqendruar në një teori të quajtur “selektimi i përafërt” apo “ndihmuesi në çerdhe”. Ideja është se njerëzit gej kompensojnë mungesën e fëmijëve prej tyre duke promovuar riprodhimin e vëllezërve dhe motrave, duke kontribuar me para apo duke kryer aktivitete të tjera prej xhaxhai si përkujdesje për fëmijën apo edukim.
Një pjesë e kodit gjenetik të personit gej është i ndarë me nipërit dhe mbesat dhe kështu, thotë teoria, gjenet me kode për orientim seksual vijojnë të transferohen brez pas brezi.
Skeptikët kanë nënvijëzuar faktin se për shkak se mesatarisht njerëzit ndajnë vetëm 25 për qind të kodit të tyre gjenetik me këto të afërm, ata duhet të kompensojnë çdo fëmijë që nuk kanë vetë me dy nipër apo mbesa.
Vasej nuk e ka matur ende se sa mund të nxitet riprodhimi i vëllezërve dhe motrave nga prania e një homoseksuali në familje, por ka dalë në konkluzionin se burrat gej në Samoa kalojnë më shumë kohë në aktivitete të ngjashme me ato të xhaxhait sesa burrat hetero.
“Askush nuk është habitur më shumë se unë”, thotë Vasej në lidhje me gjetjet e tij. Laboratori i tij pati demonstruar më herët se burrat gej në Japoni qenë më të vëmendshëm dhe më bujarë përkundrejt nipërve dhe mbesave sesa heterot pa fëmijë, qofshin burra apo gra. Të njëjtat rezultate janë marrë në studime të kryera në Britani, SHBA dhe Kanada.
Vasej beson se rezultatet e tij nga ishujt Samoa qenë të ndryshme për shkak se burrat e studiuar qenë të ndryshëm. Ai studioi Fa’afafinet, të cilët identifikohen si gjini e tretë, vishen si gra dhe bëjnë seks me burra që e konsiderojnë veten si “hetero”. Ata janë një grup transgjinor që nuk pëlqejnë që të tjerët t’i thonë se janë “gej” apo “homoseksualë”.
Vasej spekulon se një pjesë e arsyes se pse ky grupim njerëzish janë më të kujdesur për nipërit dhe mbesat është pranimi i tyre në kulturën e vendit në krahasim me refuzimin e tyre në kulturat e Perëndimit dhe Japonisë.
Por ai beson gjithashtu se ka diçka te grupimi fa’a’afine dhe mënyra e tyre e jetesës që i bën më të prirur t’u kushtojnë përkujdesje nipërve dhe mbesave dhe spekulon se ai mund të gjejë rezultate të ngjashme në grupime të tjera të “gjinisë së tretë” nëpër botë.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ndihmuesi në teorinë e folesë mund të shpjegojë pjesërisht se si gjurma gjenetike për atraksion brenda një seksi nuk është selektuar jashtë njerëzimit.
Kjo hipotezë e ka shtyrë Vasej të spekulojë se burrat gej që identifikojnë veten si meshkuj kanë gjurmën gjenetike mashkullore – që do të thotë, shumica e burrave gej në Perëndim – janë pasardhës të burrave që kishin seksualitet transgjinor.
Në SHBA, rreth 37 për qind e njerëzve lesbike, gej, biseksualë dhe transeksualë kanë fëmijë, rreth 60 për qind e fëmijëve janë biologjikë. Sipas institutit Williams, çiftet gej që kanë fëmijë, kanë mesatarisht dy.
Këto shifra mund të mos jenë të mjaftueshme për të ruajtur një kod gjenetik specifik për këtë grup, por biologu evolucionar Xheremi Joder (Jeremy Yoder) nënvijëzon në një blog se për shumicën e historisë moderne, njerëzit gej nuk kanë jetuar haptazi si të tillë. Të detyruar nga shoqëria për t’u martuar dhe bërë fëmijë, normat e tyre të riprodhimit mund të kenë qenë më të larta nga ato të sotmet.
Se sa shumë njerëz gej kanë fëmijë kjo varet gjithashtu mënyra se si e përkufizon të qenët “gej”. Shumë nga njerëzit “hetero” që bëjnë seks me fa’fafinët në Samoa martohen dhe kanë fëmijë.
“Në kategorinë e seksit brenda gjinisë kjo bëhet shumë e përhapur kur merr parasysh perspektivën multikulturore”, thotë Joan Roughgarden, një biolog evolucionar në Universitetin e Hauait.
“Nëse shkon në Indi dhe gjen dikë që thotë se është ‘gej’ apo ‘homoseksual’ atëherë kjo gjë e identifikon menjëherë automatikisht si Perëndimor. Por kjo nuk do të thotë se atje nuk ka homoseksualitet”.
Në mënyrë të ngjashme në Perëndim, ka prova se shumë njerëz kalojnë përmes një faze aktiviteti homoseksual. Në vitet 1940, kërkuesi amerikan i seksit Alfred Kinsej (Kinsey) zbuloi se megjithëse 4 për qind e burrave të bardhë qenë ekskluzivisht gej pas adoleshencës, 10 për qind kanë pasur një periudhë trevjeçare aktiviteti homoseksual dhe 37 për qind kanë pasur së paku një marrëdhënie homoseksuale në jetë.
Një vëzhgim kombëtar i sjelljeve seksuale në Britaninë e Madhe vitin e kaluar nxori shifra më të ulëta. Rreth 16 për qind e grave thanë se kanë pasur një eksperiencë seksuale me gra të tjera (8 për qind patën kontakt gjenital) dhe 7 për qind e burrave thanë se kishin pasur një eksperiencë seksuale me një burrë tjetër, (5 për qind kishin pasur kontakt gjenital).
Por shumica e shkencëtarëve që po kryejnë studime mbi evolucionin gej janë të interesuar në tiparet e dëshirës së brendshme sesa me faktin nëse njerëzit identifikojnë veten si gej apo hetero apo sesa shpesh njerëzit bëjnë seks brenda gjinisë.
“Identiteti seksual dhe sjellja seksuale nuk janë matje të mira të orientimit seksual”, thotë Pol Vasej. “Ndjenjat seksuale janë”.
Qazi Rahman thotë se kodet alele për tërheqje brenda të njëjtit seks shpjegojnë vetëm një pjesë të varietetit të seksualitetit njerëzor. Të tjera, natyrisht faktorë biologjikë të ndryshëm hyjnë në lojë ku rreth një në çdo shtatë burra gej, thotë ai, ia detyron seksualitetin e vet “efektit të Vëllait të Madh”.
Kjo nuk ka fare të bëjë me Xhorxh Oruell (George Orwell), por përshkruan vëzhgimin se djemtë me vëllezërit më të mëdhenj kanë shumë më tepër shanse të bëhen gej – dhe me çdo vëlla më të madh rritet shansi i vëllait të tretë për të qenë homoseksual. Askush nuk e di pse ndodh kjo, por një teori është se me çdo shtatzëni me djalë, trupi i gruas formon reaksion imunitar ndaj proteinave që kanë një rol në zhvillimin e trurit të meshkujve. Për shkak se kjo vjen në lojë vetëm pasi kanë lindur shumë vëllezër, – shumica e të cilëve janë heteroseksualë dhe do të shkojnë të bëjnë fëmijë – ky fenomen i çuditshëm i paralindjes nuk është përballur me selektimin evolucionar.
Ekspozimi ndaj niveleve të pazakonta të hormoneve para lindjes mundet gjithashtu të prekë seksualitetin. Për shembull, fetuset femërorë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të testosteronit para lindjes japin norma më të larta të lesbizmit më vonë.
Studimet tregojnë se gratë lesbike aktive dhe burrat kanë një dallim më të vogël në gjatësinë mes gishtit të vet tregues dhe gishtit të unazës – një gjurmë kjo e ekspozimit para lindjes ndaj testosteronit. Te lesbiket pasive diferenca është zbuluar të jetë më e vogël.
Vëllezërit e një lloji të ndryshëm – binjakë identikë – paraqesin gjithashtu një pyetje të vështirë. Kërkimet kanë zbuluar se nëse njëri prej binjakëve identikë është gej, ka rreth 20 për qind shans që i vëllai të ketë të njëjtin orientim seksual. Megjithëse ky është një probabilitet më i lartë sesa i zakonshmi, është gjithsesi shumë më i ulët nga sa mund të pritet për dy njerëz që kanë të njëjtin kod gjenetik.
Uilliam Rajs (William Rice), nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara, thotë se mund të shpjegohet kjo duke parë jo te kodi ynë gjenetik, por te mënyra se si ai procedohet. Rajs dhe kolegët e tij i referohen një disipline shkencore të re, epigjenetika, e cila studion “epigjurmët” që përcaktojnë se cilat pjesë të ADN-së tonë fiken apo ndizen. Epigjurmët kalohen te fëmijët, por vetëm me raste. Rajs beson se fetuset femërorë përdorin një epigjurmë që i bën ato më pak sensitivë ndaj testosteronit. Zakonisht kjo nuk është e trashëgueshme, por me raste është, duke shtyrë parapëlqime brenda të njëjtit seks mes djemve.
Dr Uilliam Bine (Dr William Byne), kryeredaktor i gazetës LGBT Health, beson se seksualiteti mund të jetë i lindur, por mendon se shkaqet mund të jenë më të komplikuara nga sa besojnë shkencëtarët. Ai vëren se trashëgueshmëria e homoseksualitetit është e ngjashme me atë të divorcit, por “kërkuesit e shkencave shoqërore nuk kanë kërkuar ndonjë ‘gjen për divorcin’. Në të vërtetë ata janë përqendruar te personaliteti i trashëgueshëm dhe gjurmët e temperamentit që mund të kenë ndikuar në probabilitetin e divorcit”.
Për Qazi Rahman, është media ajo që e thjeshtëzon me tepri teorinë gjenetike mbi seksualitetin, me raportet e tyre për zbulimin e “gjenit gej”. Ai beson se seksualiteti përfshin dhjetëra apo ndoshta qindra alele që ndoshta do të kërkojnë shumë dekada për t’u identifikuar. Dhe megjithëse seksi heteroseksual është më avantazhues në kuptimin evolucionar sesa seksi gej, nuk janë vetëm njerëzit gej, seksualiteti i të cilëve përcaktohet nga gjenet, por edhe janë edhe njerëzit hetero.