Janë mbushur dy vjet që kur kjo përbërje parlamentare është në detyrë, pas zgjedhjeve të përgjihshme të 23 qershorit 2013.
Mes 140 deputetëve, 59 ishin të rinj në sallën e Kuvendit, ndërsa disa të tjera akoma “më të rinj”. Sepse kanë marrë mandatin akoma më vonë, pasi kanë zëvendësuar kolegët e tyre, përgjithësisht ministra që kanë lënë mandatin sipas një premtimi të koalicionit të majtë.
Ose kanë hyrë në Kuvend pasi disa deputetë kanë konkurruar në garën e fundit bashkiake.
Përgjatë këtyre dy viteve, nuk kanë qenë të pakta konstatimet, (nga njerëz publikë dhe akoma më shumë nga qytetarë të zakonshëm që rëndom i shprehin ankesat dhe vërejtjet në rrjetet sociale dhe mediat online), se cilësia e deputetëve të Kuvendit ka ardhur gjithnjë në rënie. Dhe kjo legjislaturë e ka ruajtur “trendin”. Janë bërë krahasime me përbërjen kuvendore të vitit 1991, madje janë shtyrë shumë të tutje në kohë, me parlamentin shqiptar të “pranverës së parë demokratike” 1920-1924.
Përtej nostalgjisë dhe “trukut” që bëjnë vitet që kalojnë, duke na lënë në mendje vetëm aspekte pozitive të kohëve të vjetra, duket se shqiptarët bien dakord që përshkrimi i mësipërm është i vërtetë: Ky parlament lë një shije të hidhur; është (me disa përjashtime, padyshim) një tubim kukullash anonime që ngrenë dorën vetëm për të votuar robotikisht. Ideja e një kuvendi njerëzish të zgjedhur si ujët e pakët që bëjnë ligje dhe diskutojnë mbarëvajtjen e punëve të këtij vendi është shumë romantike për të zënë vend në këtë rast. Ne e kemi zëvendësuar këtë ide, me kornizën tashmë të fiksuar të sherreve e replikave qesharake të ditës së enjte në sallën e Kuvendit, me protagonist kryesisht S.Berishën, të cilat pas kuriozitetit dhe gallatës fillestare, janë bërë të padurueshme.
Duke “hetuar” brenda mundësive tona aktivitetin dhe inaktivitetin e deputetëve të Kuvendit, redaksia e DITA-s ka hartuar një listë syresh që më shumë se kolegët e tyre, nuk e kanë justifikuar dot rolin dhe peshën që duhet të ketë një deputet në një republikë parlamentare. Qoftë dhe ajo shqiptare. Ata ose nuk kanë hapur ndonjëherë gojë, ose e kanë hapur se u flihej. Nuk kemi listuar përkatësinë e tyre partiake, sepse nuk është e rëndësishme. Shumë prej tyre nuk njihen fare nga publiku, shpesh edhe nga banorët e zonave apo lagjeve ku jetojnë.
Paraprakisht, duhet thënë se kriteri nuk ka qenë sa herë i kemi parë në televizor duke diskutuar në seancë plenare. Informacionet tona saktësojnë se ka mjaft deputetë që janë aktivë dhe diskutojë në komisione për projektligje të ndryshme, edhe pse nuk i shohim doemos live në “Kuvendin e së enjtes”. Por në përgjithësi, ky parlament ka qenë i ndarë qartazi: Në deputetë aktivë, të njohur dhe figura publike që i kanë dhënë tonin jetës parlamentare, dhe të tjerë anonimë.
Pse erdhëm deri këtu? Arsyeja kryesore duhet kërkuar tek sistemi zgjedhor proporcional aktual dhe lënia e ekskluzivitetit të hartimit të listave të kandidatëve për deputetë, në dorë të kryetarëve të partive. Kryetarët fatkeqësisht kanë dëshmuar se patjetër duan së pari njerëz të bindur që s’dalin nga rreshti. Duke i shndërruar grupet parlamentare në grupe merhumësh. Të paktën, ndoshta kjo listë ndikon për mirë në këtë histori.
Pak më në detaje
Nga 12 deputetë që ka qarku i Vlorës, tre prej tyre kanë diskutuar vetëm në raste të veçanta. Mira Shehu, rrallë herë ka folur, ndonëse është pjesëmarrëse në dy komisioni si ai për Veprimtarinë Prodhuese dhe zëvendësuese në Komisionin për Arsimin dhe Median. Liljana Elmazi ka mungesa të shumta në mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë ku ajo merr pjesë, ndërsa janë dy ose tre fjalime të saj në sallën e seancave plenare. Pak minuta llogariten dhe për Shkëlqim Selamin që është anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare.
Duke qenë se ka dhe numrin më të madh të deputetëve, qarku i Tiranës numëron dhe numrin e deputetëve më të “urtë”, të cilëve rrallë herë u është dëgjuar zëri. Deputeti Tahir Muhedini është anëtar i Komisionit të Ligjeve. Risia e vetme e deputetit Ylli Shehu për këtë vit është ndryshimi i partisë. Deputetët Rakip Suli e Parid Cara vështirë se kanë shënuar emrin si relatorë në ndonjë procesverbal të komisioneve parlamentare apo të seancave. Po ashtu, edhe Keltis Kruja, anëtar i Komisionit të Sigurisë. Për deputeten Erjeta Alhysa vështirë të thuhet diçka.
Deputetët e Shkodrës gjithashtu kanë zgjedhur të heshtin nëpër komisione ose në seanca plenare. Irma Kopliku, Helidon Bushati, Gjovalin Bzhetaj e Agron Çela kanë qenë shumë të tërhequr. Të njëjtën gjë, edhe dy deputetët e Kukësit Alban Zeneli e Mimoza Hajdarmataj.
Sa i përket deputetëve të Gjirokastrës, i vetmi që ka preferuar të mos jetë shumë aktiv, është deputeti Dashamir Kamberi.
Ndonëse Fieri është një nga qytetet më të mëdha pas Tiranës dhe problemet do të duhej të nxirreshin më shumë në pah për të marrë një zgjidhje, pesë deputetë të këtij qarku duket se kanë qenë dakord me problemet e nxjerra nga kolegët e tjerë dhe vetë kanë preferuar të mos flasin. Bujar Çela, Adelina Rista, Anduel Xhindi, Kozma Dashi dhe Omer Mamo kanë preferuar që këtë sesion të flenë, sikurse dhe në sesionet e mëparshme. Ndërsa deputetja Antoneta Dhima vetëm në maj e ka marrë detyrën./DITA/
LISTA
Eduart Bejko
Anila Agalliu
Gledjon Rehovica
Silva Caka
Bedri Hoxha
Përparim Spahiu
Roland Keta
Gentian Bejko
Esmeralda Shkjau
Bujar Derveni
Arbjola Halimi
Luljeta Arapi
Edlira Çekrezi
Luan Duzha
Bujar Çela
Adelina Rista
Anduel Xhindi
Kozma Dashi
Antoneta Dhima
Omer Mamo
Dashamir Kamberi
Alban Zeneli
Mimoza Hajdarmataj
Mhill Fufi
Agron Çela
Gjovalin Bzhetaj
Helidon Bushati
Irma Kopliku
Erjeta Alhysa
Keltis Kruja
Parid Cara
Rakip Suli
Tahir Muhedini
Ylli Shehu
Liljana Elmazi
Mira Shehu









