Ja cilat janë sëmundjet e çuditshme, të cilave nuk u dihet shkaku
Lista paraqet sëmundje të çuditshme, shkaku i të cilave është ende i panjohur, ose për shkakun e të cilave nuk ka konsensus. Shumica janë të rralla, por të gjitha sëmundjet e renditura në listë kanë simptoma të pazakonta.
Sindroma e Luftës së Gjirit
Sindroma e Luftës së Gjirit është sëmundje e raportuar nga veteranët e Luftës së Gjirit Persik (1991), të cilët patën simptoma që përfshinin çrregullime të sistemit imunitar dhe defekte të lindjes. Nuk është qartësuar asnjëherë nëse këto simptoma lidhen me shërbimin në Luftën e Gjirit, apo nëse sëmundja gjendet në raporte më të shpeshta në veteranët e Luftës së Gjirit krahasuar me popullsinë e atjeshme. Simptomat që i atribuohen kësaj sëmundjeje janë të shumta: lodhje kronike, humbje e kontrollit të muskujve, dhimbje koke, konfuzion dhe humbje balance, probleme të kujtesës, dhimbje të muskujve, vështirësi me tretjen, probleme me lëkurën dhe frymëmarrjen, madje edhe rezistencë insuline. Ndërsa shkaku i sindromës është i panjohur, disa teori supozojnë se ajo shkaktohet nga vaksinat që i janë bërë ushtarëve, nga uraniumi i gjetur në armë apo ekspozimi ndaj kimikateve të çliruara nga bombardimet e shumta. Ka spekulime që kjo sëmundje mund të jetë shkaktuar edhe nga një baktere e panjohur.
Sëmundje e shekullit XX
E njohur gjithashtu si ndjeshmëria ndaj kimikateve të shumta (MCS), sëmundja e shekullit XX përshkruhet si gjendje kronike, e karakterizuar nga efektet negative, që vijnë për shkak të ekspozimit në nivele të ulëta të kimikateve apo substancave të tjera, që gjenden në mjediset e njerëzve modernë. Substancat e dyshuara përfshijnë duhanin, pesticidet, plastikën, pëlhurat sintetike, produktet aromatikë dhe produktet e naftës. Këtu vjen pjesa e çuditshme: pacientët e MCS-së nuk reagojnë ndaj kimikateve, por ata reagojnë atëherë kur besojnë se janë duke u ekspozuar ndaj këtyre të fundit. Shkaku i sëmundjes është i panjohur. Ky ka qenë fokusi i filmit të çuditshëm, “Safe” (1995), ku luan Julianne Moore.
Sindroma e personit të tendosur
Sindroma e personit të tendosur është një sëmundje e çuditshme dhe e rrallë, e cila i shkakton të prekurit spazma të çrregullta muskulore, të cilat mund të jenë kaq të forta sa të detyrojnë personin të rrëzohet, çfarë mund të sjellë edhe thyerje kockash. SPS karakterizohet nga luhatshmëria e muskujve të trungut dhe të gjymtyrëve dhe ndjeshmëri të lartë ndaj stimujve të tillë si zhurma, prekja dhe stresi emocional, të cilët mund të shkaktojnë spazma muskulore. Pozicionet jo normale, si për shembull përkulja apo rëndesa janë karakteristika të këtij çrregullimi. Njerëzit me SPS mund të jenë të paaftë të ecin apo të lëvizin, ose mund të kenë frikë të dalin nga shtëpia, pasi zhurmat e rrugës, si për shembull tingulli i burive, mund të shkaktojnë spazma dhe rrëzime. SPS prek dy herë më shumë gratë sesa burrat.
Sëmundja Morgellons
Sëmundja Morgellons karakterizohet nga simptoma që përfshijnë ndjesi zvarritjeje, kafshimi apo djegieje, duke prekur fibrat mbi ose nën lëkurë dhe duke shkaktuar dëmtime të vazhdueshme të lëkurës. Shkenca aktuale bie dakord që Morgellons nuk është çrregullim i ri, por një emër i ri dhe i pasaktë për një sëmundje tashmë të njohur. Shumica e doktorëve, duke përfshirë dermatologët dhe psikiatrit, i referohen Morgellons-it si manifestim të kushteve mjekësore të njohura, që përfshijnë një lloj të caktuar paraziti, ndërsa profesionistë të tjerë të shëndetit besojnë se kjo është një gjendje specifike, e cila do të konfirmohet nga kërkimet e ardhshme. Kërkuesit kanë zbuluar se lëkura e prekur, kur studiohet me një mikroskop, mund të mbartë mijëra qime të vogla, të cilat mund të jenë duke u prodhuar nga trupi (ndonëse ato nuk janë qime tipike njeriu), por nuk janë të krijuara nga njerëzit apo të ardhura nga bimët. Një doktor në Nju Meksiko raporton se një ish-agjent i CIA-s i ka thënë atij se sëmundja është shkaktuar nga francezët. “Një eksperiment i dështuar nga qeveria ndoti ujin. Të gjithë ata që kanë pirë ose që pinë nga ai ujë janë në rrezik”.
Sindroma e vjelljes ciklike
Sindroma e vjelljes ciklike është një gjendje, simptomat e së cilës janë sulme të përsëritura, të përziera, të vjella dhe ndonjëherë dhimbje të stomakut ose/dhe të kokës, ose migrenë. Vjellja ciklike zakonisht zhvillohet përgjatë fëmijërisë; ndërsa shpesh përfundon gjatë adoleshencës, ka raste kur ajo vazhdon edhe në moshën e rritur. Fillimi i kësaj gjendjeje megjithatë është i mundshëm në çdo moshë, por shihet të ndodhë më shpesh në moshat e reja. Të prekurit mund të vjellin ose të kenë përzierje nga 6 deri në 12 herë në orë dhe ky episod mund të zgjasë nga të paktën disa orë, deri në 3 javë. Disa njerëz e kanë të vështirë të perceptojnë se si dikush mund të vjellë aq shpesh dhe në një kohë aq të gjatë, pasi stomaku do të jetë boshatisur pas herëve të para. Acidi, madje edhe gjaku (nëse e vjella është e rëndë) mund të nxirren jashtë. Pasojat janë mungesa e gjumit, e ushqyerjes normale dhe e përqendrimit. Shkaku i CVC-së nuk është përcaktuar, pasi nuk ka teste diagnostikuese për të.
Hiper-ndjeshmëria elektromagnetike
Hiper-ndjeshmëria elektromagnetike është një gjendje në të cilën njerëzit provojnë simptoma, të cilat besohet se shkaktohen nga ekspozimi ndaj fushave magnetike. Ndonëse efektet e fushave elektromagnetike në trup janë stabilizuar, të prekurit nga hiper-ndjeshmëria elektromagnetike reagojnë edhe kur rrezatimi elektromagnetik është në intensitet shumë më të ulët sesa ai i lejuari nga standardet ndërkombëtare të sigurisë. Ndonëse individët e prekur nga hiper-ndjeshmëria elektromagnetike besojnë se fushat elektromagnetike të pajisjeve të zakonta elektrike shkaktojnë ose përkeqësojnë simptomat e tyre, nuk është vërtetuar ende nëse këto fusha luajnë ndonjë rol në shkaktimin e simptomave. Në vitin 2005, Organizata Botërore e Shëndetësisë doli në përfundimin se nuk ka bazë të njohur shkencore për besimin se hiper-ndjeshmëria elektromagnetike shkaktohet nga ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike.
Sëmundja e lëkundjes
Simptomat e sëmundjes të lëkundjes janë të pazakonta. Kur një fëmijë preket nga kjo sëmundje, rritja e tij/saj ndalon tërësisht dhe për gjithmonë. Zhvillimi i trurit gjithashtu ndalon, çka shkakton vonesë mendore të viktimës. Sëmundja quhet sëmundja e lëkundjes, sepse ajo shkakton lëkundje patologjike. Kjo ndodh kryesisht kur viktima fillon të hajë ose kur ai/ajo ka ftohtë. Sapo ndodh njëra nga këto dy gjendje, i prekuri fillon menjëherë të lëkundet. Lëkundjet janë të shkurtra dhe ndalojnë kur fëmija ndalon së ngrëni ose kur ndjen ngrohtësi. Megjithatë, kjo simptomë është e pazakontë, sepse duket se viktimat nuk vuajnë nga lëkundjet, kur atyre u jepet ushqim jo familjar, për shembull çokollatë. Lëkundjet mund të jenë të ashpra dhe kësisoj mund të shkaktojnë shembjen e fëmijës, gjë që shkakton dëmtime të mëtejshme.
Sëmundja e meteoritit Carnacas
Sëmundja e meteoritit Carnacas u përhap kur u rrëzua meteoriti Carnacas më 15 shtator 2007. Meteoriti u përplas në fshatin Carnacas, Peru, afër kufirit me Bolivinë. Përplasja shkaktoi krijimin e një krateri dhe dogji tokën përreth. Një zyrtar vendas tha se “filloi të dilte ujë i përvëluar nga krateri dhe aty pranë u gjetën pjesë shkëmbi dhe zhuri“, ndërsa gaze “të dëmshme dhe me erë të keqe” dolën nga krateri. Pas përplasjes, fshatarët që iu afruan vendit të ngjarjes u sëmurën nga një sëmundje e pashpjegueshme në atë kohë, simptomat e së cilës ishin të shumta, duke përfshirë të vjellat. Ndërsa disa spekulojnë se sëmundja mund të jetë shkaktuar nga helmi i arsenikut, i cili avulloi nga uji i atjeshëm pas rrëzimit të meteoritit të nxehtë (e pazakontë pasi shumica e meteorëve janë të ftohtë në çastin e përplasjes), nuk ka të dhëna shkencore apo konsensus lidhur me çfarë shkaktoi këtë sëmundje misterioze.
Sëmundja e djersitjes
Sëmundja e djersitjes ka qenë një fakt misterioz dhe tepër virulent, kur mbërtheu fillimisht Anglinë dhe më vonë Evropën në serinë e epidemive që filluan në vitin 1485 dhe përfunduan në vitin 1551. Seria e simptomave ishte e menjëhershme dhe dramatike dhe vdekja ndodhte brenda pak orëve. Shkaku është aspekti më misterioz i kësaj sëmundjeje. Komentatorët e atëhershëm dhe të tanishëm fajësojnë papastërtinë e përgjithshme dhe derdhjen e ujërave të zeza, të cilat mund të kenë qenë burim i infeksionit. Djersa karakteristike fillonte pa ndonjë shkak të dukshëm. Sëmundja u shfaq në fund të Luftës të Trëndafilave, gjë që tregon se ajo mund të jetë sjellë nga Franca, nga mercenarët francezë, të cilët Henry VII i dërgoi në Angli për të marrë fronin e Anglisë, pjesërisht sepse ata dukeshin imunë. Fakti që sëmundja duket të ketë qenë më virulente mes të pasurve shpjegon se pse ajo është dalluar nga shumë sëmundje të tjera që qarkulloni aso kohe. Kjo sëmundje ka prekur edhe Charles Brandon, Dukën e Tretë të Suffolk-ut, i cili vdiq bashkë më vëllanë e tij për shkak të kësaj sëmundjeje.
Sindroma e shpërthimit të kokës
Sindroma e shpërthimit të kokës është një gjendje që shkakton tek i prekuri përjetime të një zhurme jashtëzakonisht të lartë, që duket sikur fillon nga brenda kokës së tij, shpesh e përshkruar si zhurmë shpërthimi, ulërimë, përplasje e dallgëve në shkëmbinj, zëra të lartë etje. Kjo zhurmë zakonisht ndodh brenda një ose dy orësh pasi i prekuri ka fjetur, por nuk është rezultat i ndonjë ëndrre, madje mund të ndodhë edhe kur ai është zgjuar. Zhurma ekstremisht e lartë, nuk shoqërohet me dhimbje. Sulmet duket se ndryshojnë frekuencën në kohë, ndërsa brenda disa ditësh ose javësh mund të ndodhin shumë sulme, të cilat kërkojnë muaj të tërë për t’u harruar. Të prekurit shpesh ndjejnë frikë ose ankth, si dhe kanë rrahje të shpeshta të zemrës. Shkaku i sindromës së shpërthimit të kokës nuk dihet, ndonëse disa fizikanë kanë raportuar se kjo sëmundje shkaktohet nga kombinimi i stresit dhe lodhjes së skajshme. Kjo gjendje mund të krijohet në çdo periudhë të jetës dhe gratë janë pak më të pritura për të vuajtur nga ajo. Këto sulme mund të ndodhin vetëm një herë, ose mund të përsëriten.









