Fitorja e Serbisë 2-0 në “Elbasan Arena” e ka entuziazmuar pa masë median serbe, pavarësisht se kjo ishte një fitore që nuk ka shumë rëndësi për ta për sa i përket kualifikimit.
“Kolarov dhe Ljajic ishin ata që i dhanë këtë sukses Serbisë me golat e shënuar në minutat shtesë në sfidën që po shkonte në barazim”. “Serbia hedh në nokaut Shqipërinë në minutat shtesë”, theksohet në portalin “B92”. “Skuadra e Serbisë mundi Shqipërinë në Elbasan në ndeshjen e parafundit të këtyre eliminatoreve”.
Ndërsa, “Alo.rs” shkruan: “Shqiponjat serbe dominuan në ‘Elbasan Arena’. Urime shqiponjë! Pas një pjese të parë monotone pa shanse shënimi, përveç golit të anuluar të Ljajic, në 45 minutat e dyta bëmë një lojë dinamike, sidomos në minutat e fundit”.
“Kurir” publikon artikullin me titull: “Golat e Kolarov dhe Ljajic godasin Shqipërinë”. Ndërsa “Blic” shkruan: “Shqiponjat serbe fituan në zemër të Shqipërisë 2-0”.
Kryetitujt e mediave janë kryesisht me fokus tek fitorja pas gjithë debateve të krijuara, ndërsa thonë se situate është e qetë.
Branisllav Ivanoviç, kapiten i kombëtares serbe, tha se në pjesën e dytë futbollistët serb dominuan.
“Kjo është një fitore e madhe për ne dhe shpresoj kjo të jetë një kthesë për rezultatet dhe ekipin nga ana e publikut”, tha ai gjatë një lidhje direkte për televizionin publik serb.
Shënuesi i golit të dytë, Adem Ljajiç, tha se ekipi serb ka lënë shpirtin në terren pasi Shqipëria është mbrojtur gjatë tërë kohës.
“Kemi pasur një vullnet të madh para ndeshjes pasi presioni ka qenë i madh dhe jemi përgatitur mirë”, theksoi Ljajiç, duke shtuar se kjo është e rëndësishme për Serbinë për shkak të përgatitjeve për kampionatin botërorë.