Nga Ardit Rada/ Revista JAVA sjell një përmbledhje të shkurtër të përgjimeve më të forta që kreu i socialdemokratëve maqedonas ka publikuar deri më sot
Tronditjet e fundit të skenës politike dhe shoqërisë Maqedonase nuk bëjnë më përshtypje për faktorin ndërkombëtar, përkundrazi ato priten nga momenti në moment të ndodhin në vendin e vogël ballkanik. Jo vetëm luftimet spontane mes shqiptarëve dhe qeverisë maqedonase nuk ishin diçka e re, por edhe lideri i opozitës Zoran Zaev ka bërë të paktën 10 denoncime publike të bisedave të regjistruara mes zyrtarëve të lartë maqedonas.
Ndërkohë që udhëheqësi i LSDM (Bashkimi Social Demokrat i Maqedonisë) vazhdon të ushtrojë presion ndaj VRMNO-DPMNE dhe BDI-së së Ali Ahmetit, duket se këta të fundit nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga qeveria. Kryeministri Nikola Gruevski nuk është tërhequr nga presionit të Zaev dhe aq më pak Ahmeti, por përkundrazi; Në këndvështrimin e shumë analistëve vendas dhe të huaj, dyshja qeverisëse po sajon lloj lloj skenaresh për të larguar vëmendjen nga “bombat” që Zaev publikon. Ish-ushtarakë të lartë maqedonas, komentues të Ballkanit, vetë shqiptarët e të tjerë mendojnë se edhe konflikti i Kumanovës ka qenë i sponsorizuar nga qeveria për të shmangur protestën popullore të 12 majit të këtij viti. Por cilët janë përgjimet e Zoran Zaev që tronditën qeverinë dhe zgjuan zemëratën popullore në Shkup dhe më gjerë? Revista JAVA sjell për lexuesit një përmbledhje të shkurtër të 10 përgjimeve të prezantuara nga kryetar i Socialdemokratëve të vendit fqinj. Zaev ka publikuar gjer më sot mbi 30 përgjime dhe duket i vendosur të mos tërhiqet. Sipas tij, qëllimi i LSDM nuk është të ndezë një revolucion, por qeveria të largohet në mënyrë paqësore.
1 – Gruevski ka përgjuar Ali Ahmetin, Osmanin dhe Thaçin
Nga afera e përgjimeve, sipas Zaevit janë përgjuar të gjithë funksionarët, politikanët, gazetarët, aktivistë të ndryshëm, bashkësitë fetare, përveç Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallkovit. Zaev thotë se Sasho Mijallkovi dhe Nikolla Gruevski kanë përgjuar mbi 20 mijë njerëz dhe se LSDM-ja ka dorëzuar padi penale ndaj tyre. Gjatë një prezantimi, në sallën e konferencave në LSDM, para të pranishmëve gazetarë të shumtë është lëshuar audioja e përgjimit që i është bërë Ali Ahmetit, Menduh Thaçit dhe Rufi Osmanit. Zaev njoftoi se përgjimet janë bërë nga vetë shteti dhe jo nga agjenci të jashtme.
Sipas Zoran Zaevit në mesin e funksionarëve që janë përgjuar nga Mijallkovi dhe Gruevski janë edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ai i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish lideri i RDK-së, Rufi Osmani deh Lubco Georgievski. Krahas politikanëve, gazetarëve dhe qytetarëve është përgjuar edhe BFI, shoqata joqeveritare, biznesmen, kisha, gjykata. LSDM-ja, ka ngritur padi penale ndaj Nikolla Gruevskit, Sasho Mijallkovit dhe Goran Gruevski drejtor në drejtorinë e pestë të MPB. Zaev deklaroi se ai është përgjuar 4 vite me radhë. Zaev tregon CD e përgjimit qe i është bërë atij, liderëve të opozitës dhe gazetarëve. Sipas tij bëhet fjalë për një përgjim masiv.
2 – VMRO- DPMNE dhe BDI kanë montuar vendime gjyqësore
VMRO-DPMNE dhe BDI kanë montuar vendime gjyqësore, kanë koordinuar shkarkime dhe emërime të gjykatësve. Në bombën” e dytë dëgjohet sesi Sasho Mijallkov bisedon dhe urdhëron me Musa Xhaferin emërimin e kryetarit të Gjykatës Supreme. Zaev prezantoi bisedën e Gordana Jankullovskës se si ndërhyn te Mihajllo Manevski ish-ministri i Drejtësisë. Gjatë bisedës së Musa Xhaferit dhe Sasho Mijallkovit, dëgjohet biseda mes këtyre dy për njerëzit e parë të Gjykatës supreme. Fjalët e para të Musa Xhaferit janë: Ja po qortohem nga kolegët e mi të BDI-së, probleme në të gjitha anët. Ndërkohë Sasho Mijallkov thotë se Gjykata Supreme dhe Gjykata penale duhet të jetë punë e kryer. Mijallkov i thotë se ka biseduar edhe me Abdilaqim Ademin, ndërkohë Musa Xhaferi i thotë se këtë duhet ta bisedoj edhe me Ali Ahmetin. Mijallkov i thotë Musa Xhaferit se nëse nuk ndodh kjo me dy gjykatat mund të bëhet problemi i madh. Gordana Jankullovska në bisedë me prokurorin Zoran Zvrlevski. Jankullovska intervenon për një lëndë gjyqësore për të cilën kërkon që kjo lëndë të mbahet si e harruar dhe të bëhet lëndë e vjetruar. Gordana Jankullovska dëgjohet se si kërkon se cilët gjykatës mund të emërohen, duke pyetur nëse personat e caktuar janë të afërm me VMRO-DPMNE-në. Nga incizimet e prezantuara shihet se si gazetari i televizionit Sitell, bënë presion të drejtpërdrejtë në gjykata.
3 – Policia sajoi arrestimin e Boshkovskit
Zoran Zaev publikoi përgjimet të cilët tregojnë se si është montuar procesi gjyqësor kundër Lube Boshkovskit, ish-ministër i Brendshëm. Në audio inçizim dëgjohet biseda e kryeredaktorit Llatas me shefin e DBK-së, Mijallkov. Ky i fundit e ka ditur që në ditën e arrestimit se sa vite burg do t’i japin Lube Boshkovskit. Nga biseda dëgjohet Mijallkov duke thënë se do ta futim në burg Lube Boshkovskin dhe as Zoti nuk do ta nxjerr. Ndërkohë që Mijallkov dëgjohet duke i thënë Llatasit se Lube Boshkovski duhet të nënçmohet dhe jo vetëm të burgoset. Ministrja e Punëve të Brendshme, dëgjohet duke folur me shefin e kabinetit të kryeminstrit Gruevski, Martin Protugjeri, për planet se si do të dalin në media.
4 – Gazetarët nën tytën e qeverisë
Në mesin e bisedave të publikuara nga LSDM është edhe një bisedë mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ministrit për Transport dhe Lidhjet, Mile Janakievski, ku kryeministri Gruevski kërkon që nga Agjencia për Komunikime Elektronike 50 milionë denarë për dokumentarët “patriotikë” maqedonas. Mbi 100 gazetarë kanë qenë të përgjuar. Të gjitha materialet sipas Zaev do t’u dorëzohen çdo gazetari që ka qenë i përgjuar nga shefi i Sigurimit, Sasho Mijallkov. Më i përgjuar ka qenë Nikolla Mlladenov.
5 – Gruevski është hakmarrë ndaj Canoskit me prishje ndertimesh
Gruevski porosit orën e saktë kur do t’ia japin vendimin për rrëzimin e ndërtesës Cosmos. Gruevski porosit fontanë dhe park në vend në ndërtimin e tij. Ai merret vesh me Janakievskin si mos e lejojnë ndërtimin e ndërtesës dhe si dhe kur ta bëjnë rrëzimin e saj. Ai porosit duke ndryshuar planet urbanistike që asesi mos i lejohet më ndërtimi aty. Gruevski vendos më në fund kur do të rrëzohet dhe këtë ia thotë Janakievskit. Në bisedë Gruevski thotë që nuk është i kënaqur me mënyrën si rrëzohet ndërsa Janakievski thotë se gjykatësit i bëjnë problem. Gruevski e urdhëron që “po flet me më të madhin” atje. Në bisedë dëgjohet si Gruevski kënaqet duke dëgjuar nga ministri si i rrëzohet ndërtesa gjigande e Fiat Canoskit (Partia e të Ardhmes Evropiane). Gruevski pyet si shkon rendi me rrëzimin dhe thotë që duhet mbaruar procedura. Gruevski në bisedë në një mënyrë pranon se rrëzimi i ndërtesës është bërë për hakmarrje.
6 – Kryeministri shkel ligjin, harxhon paratë e shtetit dhe të kredive
Në mes të natës Gruevski ka dhënë direktiva për marrjen e kredisë së paligjshëm nga jashtë për përmendoret e projektit “Shkupi 2014”. Kjo është tema e bisedës në mes Jankullovskës dhe Stavreskit që tregojnë për kaosin në buxhetin, për harxhimet absurd të parave. Biseda në mes ministres së brendshme Jankullovska dhe ministrit të Financave, tregon për vështirësitë me mjetet buxhetore, vështirësitë në grumbullimin e tyre. Zoran Stavreski pranon se buxheti nuk ka para.
7 – Zbardhen shantazhet e qeverisë për zgjedhjet
Zaev sot zbulon biseda mes ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe funksionarë të tjerë ku ajo pranon si kanë vendosur nga 40-50 persona nëpër shtëpi votues të VMRO-së.
Në bisedë dëgjohet si ato bëjnë plane kjo mos zbulohet nga mediat dhe OSBE. Në bisedë zbulohet plani si VMRO sjell votues nga jashtë nga Pusteci për të votuar për ata. Dëgjohet si Gruevski pranon: Këto të Prespës na mbarojmë punë. Dëgjohet si Jankullovska me përqeshje dhe nënçmim flet për votuesit e Pustecit si dorë për dore shkojnë të votojnë për VMRO-në. Në bisedën mes ministrit të transportit Mile Janakievski dhe drejtorit të DAP dëgjohet si ministri ka dërguar urdhër për aksion nga DAP dhe si ka pasur dënime të mëdha. “Ulërima dhe britma kishte, dënuam disa me mijëra denarë. Je i kënaqur?” – thotë Goran Trajkovski i DAP. Dëgjohet urdhër i qartë i ministrit për aksion në lagjen e Turqve në rrugën e Plastikave si dhe për mbyllje të një picerie. Dëgjohet si Janakievski dërgon urdhëra për aksion ndaj bujqve që nuk janë pro VMRO-së.
8 – Falsifikime për të fituar zgjedhjet
Zoran Zaev në Sallën Universale në Shkup në praninë e shumë gazetarëve dhe qytetarëve ka publikuar bombën e tetë me radhë. Fillojnë të zbardhen të dhënat si janë falsifikuar lejet e njoftimit. Ministrja e punëve të brendshme Jankullovska flet për atë si të bëhen lejet e njoftimit për zgjedhjet. Ministri i Transportit, Mile Janakievski, në bisedë me një person bëjnë plane për vjedhje të materialit votues nga KSHZ.
9 – Fiken ashensorët që të mos votojnë të moshuarit
Kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski, prezantoi para gazetarëve biseda mes ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe ministrit të shëndetësisë Nikolla Todorov. Në bisedë dëgjohet se çfarë planesh bëjnë ministrat e Gruevskit për ta bllokuar fitoren e Zhernovskit. Jankullovska tregon sesi i ka bllokuar dhe nuk ka lejuar takim me Zhernovskin për listën zgjedhore. Todorov tregon si “do e shkelin” Zhernovskin. Ministri i transportit Mile Janakievski pranon që VMRO ka dhënë urdhër për t’i fikur ashensorët në qendra votimi që ndodhen nëpër pallatë, që të mos votojnë të moshuarit.
10 – Lakmitë e Gruevskit për përfitime personale
Zaev ka treguar sesi Gruevski ka ndikuar të ndryshohen planet urbanistike, cili ka qenë roli i tij në dramën me këshilltarin e Komunës Qendër, Shipoviç, dhe shumë detaje tjera për “oreksin” e paskrupult të Gruevskit. Materiali i publikuar prej tij tregon sesi me urdhër të Gruevskit janë ndryshuar planet urbanistike në disa lagjie të Shkupit për ti uzurpuar Gruevski me djalin e xhaxhait, shefin e Inteligjencës Sasho Mijallkov si dhe njerëz tjerë. Këtë e kanë bërë përmes firmave “Of shore” të regjistruara në Belize.
Në bisedë me ministrin e transportit Mile Janakievski dëgjohet si Gruevski e urdhëron atë për ndërhyrje në planin urbanistik dhe të ketë kujdes këtë ta bëjë sa më shpejtë dhe padiktueshëm nga tjerët. Gruevski urdhëron që plani i ri të ketë hapsirë më të madhe trualli për të. Gruevski në bisedë me Janakievskin bëjnë plane madje për shitjen e këtyre parcelave që i porosit Gruevski. Ai kërkon parcelë sa më të madhe. “Mendoj që më e madhe është më mirë” thotë Gruevski duke i thënë Janakievskit të kujdeset për këtë punë “si me qenë e vetja”. Ata planifikojnë dhe bisedojnë për atë sa banesa mund të ndërtohen në një parcelë.
Gruevski e ka fshehur pasurinë personale dhe pronat e patundshme nuk i ka deklaruar.