Izraeli ka sulmuar Iranin në vendet apo lokalitetet ku dyshohej se zhvillohej energjia bërthamore,por edhe ku ndodheshin komandantët më të lartë ushtarak dhe që përbënin rrezik për Tel Avivin.
Gazetari Ben Andoni, analist i çështjeve ndërkombëtare, vuri në dukje se ky sulm ka treguar edhe çekuilibrimin e forcave, kurse OKB ka dalë jashtë loje. Ai ngriti edhe shqetësimin se me këtë sulm Izraeli mund t’i hapë probleme vetes në të ardhmen.
“Është përfundimisht çekuilibrimi i forcave. Nuk ka më grup shtetesh që kanë siguri dhe forcë për të drejtuar, OKB dhe Këshilli i Sigurimit ka dalë jashtë loje. Nuk ka më rregulla. OKB kishte evidentuar përpjekjen e Iranit për energjinë bërthamore, por pamundësinë e tij për të shkuar atje. Izraeli ka 60 koka bërthamore, kurse Irani asnjë. Lufta tokësore është e pamundur pothuajse për shkak të largësisë, pasi Izraeli do kishte probleme në të kundërtën. Por dyshimi është se si ka mundësi që një vend i sofistikuar si izraeli në sulmin e fundit, të mos zbulonte sulmin e Hamasit ku kishte edhe mjete primitive, brenda Izraelit, i 7 tetorit?”, u shpreh analisti për Repot Tv.
Andoni foli edhe për pasigurinë që përcjell përshkallëzimi i konflikteve në botë dhe rasti Izrael-Iran për të ardhmen e njerëzimit.
“Ka një lloj politike aktualisht që nuk pyet për asgjë. Askush nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë më tej. Izraeli duhet t’ia kursente njerëzimit këtë sulm ndaj Iranit, sepse bombardimi e ka bashkuar edhe më shumë popullin iranian dhe regjimin e Ajatollahut që po shkërmoqej këto kohë. Mendoj se Izraeli do vazhdojë me luftën e tij hibride dhe Irani do përpiqet të përgjigjet dhe rrisë sofistikimin e sulmeve. Por nga ana tjetër mendoj edhe se do ketë një lloj uljeje të fuqisë së sulmit në vijim dhe reagime nga ndërkombëtarët. Pasi Izraeli mund të ketë edhe probleme nëse kjo zgjat”, përfundoi gazetari.