Banesa e një familje të komunitetit rom në fshatin Moravë të Beratit u përfshi nga flakët në orët e mëngjesit të së dielës. Banesa rezulton në pronësi të Skënder Rrënja dhe nga mbikëqyrjet e para të vendit të ngjarjes policia dyshon se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme.
Vetë anëtarët e familjes Rrënja nuk ndodheshin në banesë në momentin e zjarrit, pas janë në Gjermani për të kuruar një prej fëmijëve të sëmurë. Mësohet se 14-vjeçari po lufton me vdekjen në spital për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Nikolin Rrënja, vëllai i kryefamiljarit, ka deklaruar se djegia e banesës vjen pas vjedhjes së pompës së ujit që ndodhej në oborrin e shtëpisë.
Ai ka apeluar për ndihmë, pasi jeta e nipit të tij të sëmurë është në rrezik dhe kthimi i familjarëve në Moravë do t’i gjejë ata edhe pa çati mbi kokë.