Ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku reagoi për herë të parë në lidhje me akuzat nga SPAK. Ajo tha se ka vendosur të heshtë pasi beson se çështjet juridike duhet të kenë rrjedhën që i parashikon ligji.
Balluku tha se nuk ka pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe deklaroi se nuk e ka penguar kurrë drejtësinë. Përkundrazi ajo theksoi se nxit prokurorinë që të hetojë për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën.
“Do desha të thosha shkurt për herë të parë disa fjalë për atë që ka ndodhur dhe atë që është thënë në muajt e fundit. Kam marrë vendim personal me vullnet të lirë që të hesht për një çështje juridike pasi besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në mediat sociale, as në banaqet mediatike, por duhet të ketë rrjedhën e saj siç e parashikon ligji. Kam vendosur ndryshe nga shumë të tjerë të mos analizoj, të mos shaj, anatemoj dhe të jem konsistente, në qëndrimin tim sa i përket drejtësisë. Nëse do i ktheheni deklaratave të mia publike nuk do gjeni asnjë deklaratë të kundërshtojë tjetrën. Besoj që drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Drejtësia e re si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Edi Ramës dhe PS, si produkt i një Shqipërie europiane duhet të vazhdojë të jetë frymëzimi i këtij vendi pasi u krye për t’i kthyer besimin qytetarëve te një drejtësi e drejtë dhe e pavarur. Nuk do më dëgjoni kurrë as ta lëvdoj kur godet kundërshtarët e mi politikë, as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mi personalë. Nuk do më dëgjoni të përmend prokurorë e gjyqtarë dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjyqet publike, nga gjysmë të vërtetat, nga të pavërtetat apo gënjeshtrat. Nuk kam pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe nxis që hetimi që ka nisur prej muajsh dhe që nuk e kam penguar kurrë as në pozicionin tim si ministre apo zv/kryeministre të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. Nuk kam as 300, as 20 dhe as 3 apartamente. Nuk kam as jahte, as limuzina, as helikopterë as avionë. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, që bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend, por për të thënë të drejtën unë jam rritur me gjyqet publike dhe ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër gjyqin publik pasi jam trajnuar dhe kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time. Secili ka mënyrën e tij, jam munduar të bëj më të mirën. Por as nuk e kam penguar drejtësinë dhe as nuk do ta pengoj kurrë drejtësinë tek e cila besoj dhe e kam mbështetur si një pjesë integrale e një Shqipërie europiane”, tha Balluku.











