Në vitin 1993, gjatë ditëve më të errëta të luftës në Bosnje, ushtari holandez Olaf Meijer shërbente në Sarajevë si pjesë e kontingjentit holandez V7. I stacionuar për gjashtë muaj në ndërtesën e PTT-së, ai duhej të kalonte shpesh nëpër zonën e njohur si “Rruga e Snajperëve” me automjet të blinduar.
Gruaja e tij kujton se motivimi kryesor i Olafit nuk ishte vetëm detyra ushtarake, por dëshira për të ndihmuar njerëzit e zënë në rrethim.
Gjatë qëndrimit në Sarajevë, Olafi takoi një grua shtatzënë me emrin Vildana, e cila vinte rregullisht pranë ndërtesës së PTT-së.
Ajo kishte pak ose aspak gjëra themelore për fëmijën që priste.
Me iniciativën e tij, ushtarët holandezë arritën të sillnin pako nga Holanda, ndërsa Olafi iu kërkoi familjes dhe miqve të dërgonin furnizime për foshnje.
Pakot mbërritën tek Vildana, e cila shprehu mirënjohje të thellë.
Si shenjë falënderimi, ajo i dërgoi një letër nënës së Olafit, duke shprehur dëshirën që fëmija i saj një ditë të bëhej si ushtari holandez që e ndihmoi.
Kjo letër e thjeshtë ka mbijetuar për më shumë se tre dekada në familjen Meijer.
Sot, gruaja e Olafit po përpiqet të gjejë Vildanën dhe, nëse është e mundur, fëmijën e saj.
Ata kanë kërkuar ndihmë nga organizata lokale “Funky Tours” në Sarajevë, por deri tani përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.
Ndërkohë, Olaf ka vendosur të rikthehet në Sarajevë në një mënyrë të veçantë.
Më 1 gusht ai u nis me biçikletë nga Valkenburg aan de Geul në Holandë, në një udhëtim prej mbi 2,000 kilometrash drejt Sarajevës.
Sfida e tij është ta përfundojë brenda 27 ditëve, me pak ditë pushim, duke mbledhur edhe fonde për bamirësi.
Në Sarajevë, ai planifikon të vizitojë muzeun e luftës dhe të marrë me vete letrën e Vildanës, duke shpresuar se kthimi i saj në qytet do të mbyllë më në fund historinë e nisur në vitin 1993.
Por shpresa më e madhe e Olafit është të gjejë Vildanën. Dhe ndoshta, pas 33 vitesh, të takojë fëmijën që lindi gjatë rrethimit të Sarajevës, për të cilin nëna dikur uroi që të rritej si ushtari holandez që i dha ndihmë.
Familja Meijer u bën thirrje banorëve të Sarajevës dhe kujtdo që mund ta kujtojë Vildanën nga viti 1993.
Sipas të dhënave, ajo ishte disa muajshe shtatzënë dhe merrte furnizime për foshnje nga ushtarët holandezë në ndërtesën e PTT-së.
Ai shpreson se, letra mund të bëhet çelësi për ribashkimin e dy njerëzve, jetët e të cilëve u kryqëzuan për pak kohë në Sarajevë në vitin 1993.











