Departamenti Amerikan i Drejtësisë të enjten lajmëroi se ka dërguar dy të burgosur nga kampi i Guantanamos në Bosnje dhe Mal të Zi pasi nuk kishin ku të shkonin. Një prej tyre kishte shtetësi boshnjake, pasi kishte luftuar atje në vitet 1990.
Tariq Al-Sawah dhe Abd al-Aziz Abduh Abdallah Ali Al-Suwaydi janë dërguar në Bosnje dhe Mal të Zi, sipas autoriteteve amerikane, për shkak se nuk mund të ktheheshin të sigurt në vendin e origjinës, Egjipt dhe Jemen.
Al Sawah u transferua në Bosnje.
“Autoritetet amerikane nuk e konsiderojnë të nevojshme zgjatjen e burgimit të Al Sawah në mënyrë që të mbrohet siguria e SHBA,” shkruan Pentagoni në një deklaratë.
Al Sawah u burgos në Guantanamo në maj 2002, ku ai u transferua pasi u kap në Afganistan.
Autoritetet e SHBA-së dyshonin se ai ka kryer krime lufte ndërsa ishte anëtar i Al Kaedës.
Teksa Al Sawah posedon shtetësinë egjiptiane, Egjipti ka kërkuar vazhdimisht lirimin e tij. Ai gjithashtu fitoi shtetësinë boshnjake pasi luftoi për boshnjakët [myslimanë] në vitet ’90.
“Autoritetet amerikane janë mirënjohëse ndaj qeverisë së Bosnje-Hercegovinës për gjestin humanitar dhe gatishmërinë për të ndihmuar në përpjekjet e mbylljes së burgut Guantanamo. Autoritetet amerikane janë koordinuar me qeverinë e Bosnjës për kthimin e sigurt dhe trajtimin njerëzor të Al Sëah”, tha Pentagoni.
Një tjetër ish i burgosur i Guantanamos, Abd al-Aziz Abduh Abdallah Ali Al-Suwaydi, u lirua për në Mal të Zi.
Sipas New York Times, Suwaydi është një shtetas 41-vjeçar nga Jemeni, që është mbajtur në burg për 13 vjet e tetë muaj.
Ai ishte një anëtar i Al Kaedës që është identifikuar si stërvitës eksplozivash. Pasi u largua nga Afganistani, ai u kap teksa kthehej në Jemen. AI mbërriti në Guantanamo në maj 2002.
Qeveria në Podgoricë tha të enjten se brenda programit humanitar të ndihmës për mbylljen e Guantanamos, Mali i Zi ka rënë dakord të pranojë risocializimin e një shtetasi nga Jemeni.
Gjithashtu shtoi se shumica e vendeve europiane dhe fqinje po marrin pjesë në program, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Rusinë, Hungarinë dhe Sllovakinë.
SHBA koordinoi me Malin e Zi për sigurimin e transferimit dhe tha se ishte mirënjohëse ndaj Malit të Zi për gjestin humanitar dhe gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet e mbylljes së burgut në Guantanamo.
Sipas autoriteteve amerikane, 91 persona janë ende në burg në Guantanamo.
BIRN