Bekim Agolli dhe Rubin Murrja, janë vënë nën hetim penal pasi dyshohet se kanë plagosur me dashje ish-shefin e Komisariatit në Dibër, Robert Agën. Goditja dyshohet se ka ndodhru për shkak të detyrës që ka mbajtur Robert Aga, pasi kur ishte shef i Qarkullimit kishte gjobitur Bekim Agollin e Rubin Murrjan.
‘Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për shtetasit B.A., 30 vjeç; R.M., 40 vjeç, banues në Dibër.
Këta shtetas me datë 17.11.2022, rreth orës 12.⁰⁰, në qytetin e Peshkopisë , për motive të dobëta kanë goditur me grusht shtetasin R.A., 59 vjeç, banues në Tiranë.
Ngjarja e pazakontë është regjistruar të enjten në Peshkopi. Teksa pritej të zhvillohej seanca e radhës për të pandehurit e dosjes 184 të cilët akuzohen për tjetërsim të votës në zgjedhjet e pjesshme lokale në Bashkine Dibër në vitin 2016, njëri prej të pandehurve ish shefi komisariatit Robert Aga nuk është paraqitur.
Ndërkohë mësohet se në sallë ka hyrë i pandehuri Hasan Hoti ish administrator i Njësisë Lurë, dhe ka deklaruar se ishte vonuar në seancë për shkak se i ishte dashur të transportonte në spital Robert Agën pasi ishte dhunuar në hyrje të gjykatës nga disa persona.
Deklarata e Hotit ka bërë që gjyqtarja të shtyjë sërisht zhvillimin e seancës. Nuk dihet nëse kjo është një lojë e Agës dhe Hotit, pasi Policia e Dibrës thotë se nuk ka një denoncim nga ish kryepolici Robert Aga. Megjithatë, Aga ka qëndruar në urgjencën e spitalit përreth 3 orë, nga ora 12:00 deri në orën 15:00.
Kush është Robert Aga?
Ai është një nga personazhet kryesor të përgjimeve të BILD dhe ka qenë një prej drejtuesve të policisë që në dhjetor të vitit 2017, ishte pjesë e një raporti që Shërbimi Informativ i dërgoi Prokurorisë për Krimet e Rënda, por edhe ministrisë së Brendshme, për përfshirjen e policisë në kultivimin e kanabisit.
Në një prej përgjimeve, Aga i thotë Saimir Tahirit: “Unë jam ushtari jot i bindur”, ndërkohë që në raportin e SHISH emri i tij, ishte krah Renato Avdylajt, Gjergji Kohilës, Alban Hoxhës, e Jaeld Celës.
Robert Aga, që në audio-përgjime flet me Damian Gjiknurin, Ulsi Manjën e Saimir Tahirin për të marrë një pozicion më të mirë pune pas ndihmës që i ka dhënë PS-së në zgjedhjet vendore, deri në momentin e zgjedhjeve, ishte Drejtori i Policisë Dibër. Më pas, duke kërkuar favore nga kryeministri Rama dhe ministrat Gjiknuri, Tahiri dhe deputetët Manja e Qefalia, Aga u emërua shefi i Qarkullimit Rrugor në Kukës., e jo në Dibër, megjithatë asnjëherë ai nuk u hetua.
Vëllai i tij, Pajtim Aga është arrestuar si pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë. Me statusin e një biznesmeni dhe jo të një trafikanti, i vëllai njihej në Dibër edhe si pronar i një televizioni kabllor që shpërndan sinjal të disa stacioneve në vendlindje. Në shtator 2016, Pajtim Aga u arrestua nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë.
/s.f











