Ish-Ministri i Jashtëm i Rusisë, i është bashkuar thirrjes së vendeve të tjera ndaj Moskës për të ndaluar luftën në Ukrainë dhe t’i drejtohen zgjidhjeve diplomatike.
Sipas The Guardian, apeli i bërë nga Prof Igor Ivanov, tani president i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, mund të jetë një shenjë se disa nga strukturat e politikës së jashtme ruse besojnë se ndjekja e një zgjidhjeje thjesht ushtarake në Ukrainë është një gabim strategjik.
Ivanov u emërua ministër i jashtëm nën Boris Jelcin në 1998 dhe dha dorëheqjen në 2004, katër vjet në presidencën e Vladimir Putin. Ai ka ruajtur një status në qarqet e politikës së jashtme ruse.
Ish-ministri u kërkoi të gjitha palëve të mbështesin një armëpushim dhe t’i japin fund humbjeve “të pajustifikueshme” të jetëve civile. Si një ministër i kohës së Jelcinit, Ivanov vështirë se është pjesë e rrethit të brendshëm të Putinit. Por pozicioni i tij mund të reflektojë shqetësim në ministrinë e jashtme të margjinalizuar të Rusisë.
Deklarata u publikua ndërsa negociatorët nga Rusia dhe Ukraina u takuan për një raund të tretë të bisedimeve dypalëshe të hënën. Para bisedimeve të dyja palët dukeshin më optimiste se më parë, por shkaku i optimizmit të tyre ishte i paqartë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, po bën presion për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin. Franca, Britania e Madhe dhe SHBA mbeten skeptike se Rusia është ende e gatshme të negociojë një zgjidhje që udhëheqja ukrainase do ta konsideronte të pranueshme./m.j











