Ish- kreu i Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri, Zef Brozi ka reaguar për veprimin e prokurores së SPAK, Manjola Kajana që apelon vendimin e GJKKO dhe detyron Prokurorinë e Posaçme të nisë çështje penale për hetimin e burimit të pasurive të Sali Berishës dhe Ilir Metës, nëse kanë përfituar nga vjedhja e thesarit të shtetit gjatë trazirave të ’97-ës.
Brozi thotë se tregon që kjo situatë në SPAK minon zbatimin e parimit “drejtësi e barabartë për të gjithë sipas ligjit” dhe ka pasoja për Shqipërinë. Në një reagim në Facebook, Brozi thotë se duhet të përgjigjen para ligjit të gjithë prokurorët që po abuzojnë me pushtetin duke mbrojtur korrupsionin dhe ish pushtetarët e lartë.
“E pabesueshme por e vertete: nje prokurore e SPAK apelon vendimin e Gjykates se Posacme Kunder Korrupsionit qe detyron SPAK te filloje nje ceshtje penale per verifikimin e pasurise se dy ish presidenteve e ish kryeministrave Berisha-Meta. A nuk eshte kjo nje deshmi tjeter se ne SPAK kane vasalet dhe mbrojtesit e tyre keta dy ish pushtetare te larte, prandaj krimet dhe korrupsioni i tyre vazhdon te jete i pandeshkueshem?
Kjo situate ne SPAK minon zbatimin e parimit Drejtesi e Barabarte per te Gjithe sipas Ligjit dhe ka pasoja tragjike per Shqiperine. Une besoj se duhet te pergjigjen para ligjit ata/ato prokurore te SPAK qe po abuzojne me pushtetin qe u eshte dhene duke mbrojtur korrupsionin dhe krimet e disa pushtetareve e ish pushtetareve te larte. Pra edhe vete prokuroret e SPAK nuk mund e as duhet te jene mbi ligjin”, shkruan Brozi.
Ky reagim i Brozit vjen pasi prokurorja e SPAK-ut Manjola Kajana ka ankimuar në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë që urdhëron SPAK-un të hetojë pasurinë e Metës dhe Berishës, nëse është deklaruar sipas ligjit dhe nëse ka apo jo lidhje me vjedhjen e 280 kg ar në tunelet e sigurisë së lartë në Krrabë.
Në shtator të vitit 2022, avokati Idajet Beqiri referoi në SPAK një kallëzim penal ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës si organizatorë dhe përfitues të vjedhjes së floririt të shtetit. Më 7 tetor 2022, prokuroja Manjola Kajana, vendosi të mos fillojë hetimet me argumentin vepra penale është parashkruar pasi kanë kaluar më shumë se 20 vite. Prokurorja Kajana thekson se për këtë ngjarje janë dënuar 5 persona në vitin 2001, me vendim të formës së prerë të Gjykatës Ushtarake.
Ky vendim i saj për të mos nisur hetimet u ankimua në gjykatë nga kallëzuesi, avokati Beqiri, dhe më tej në nëntor 2022, gjyqtarja Flojera Davidhi, rrëzoi vendimin e prokurores Kajana duke arsyetuar se prokuroria nuk mund të dalë në konkluzione se nuk ka vepër penale dhe se janë parashkruar veprat penale, pa kryer hetime shteruese pasi mund të jemi para vazhdimësisë së veprës penale. Gjyqtarja argumenton gjithashtu se i takon SPAK të provojë pretendimet e kallëzuesit nëse Meta dhe Berisha i kanë krijuar pasuritë me floririn e vjedhur, pikërisht duke nisur me verifikimin e pasurive të politikanëve.
/e.d
Sa te quajtur gjyqtare e prokurore ka lene pase dy monstrat,ai i vicidolit e liri cepanit,pore tani me edhe fundi i ktyre te quajtur gjyqtare e prokuror po ju vjen.Edhe kta ndytsira do te kene fatin e dy monstrave,do ju merren parate pasurite se fundi do shkojne atje ku i kane bere hysmetin,ne qelite e ftofta.