Kryetari i SHISH Visho Ajazi Lika i çon informacion ish shefit tij, Sali Berisha krahas institucioneve për të cilat ka detyrim ligjor. Deklarata ka ardhur nga anëtari i Komisionit të Sigurisë Arben Çuko në emisionin “45 minuta” në Report Tv.
Çuko ka shtuar se kontrolli i nisur disa muaj më parë nga ky komision ndaj SHISH nuk ka përfunduar ende. Duke folur për vendimin e Gjykatës së Lartë për 21 janarin Çuko theksoi se nuk ka drejtësi sepse sistemi është kapur prej kohësh nga Berisha. Sipas Arben Cukos vetëm me miratimin e reformës në drejtësi do të merrte zgjidhje ligjore çështja e 21 janarit.
Z.Çuko, cili është reagimi juaj për vendimin e Gjykatës së Lartë për 21 janarin e vitit 2011-ë?
21 janari është një terrorizëm i pastër shtetëror i qeverisë së asaj kohe, nga Sali Berisha kryeministër i asaj kohe, te Lulzim Basha ministër i Brendshëm. Dy të akuzuarit konkret ishin thjesht zbatues qorra, injorantë, të atij urdhri që dhanë dy personat që përmenda më lart. Ndonjëherë më shkon në mendje si baba, si prind, pastaj si politikan, lus zotin të mos u ndodhë ndonjë gjë atyre 5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, siç u ndodhi atyre katër. Ky është një krim masiv qeveritar i urdhëruar direkt nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
Qeveria Rama nuk ka gjetur prova. Ju keni shërbyer për disa vite si komandat i Gardës. Si funksionon marrëdhënia mes Ministrisë së Brendshme dhe Gardës së Republikës?
Unë kam shërbyer për 7 vjet si Komandant i Gardës, në periudhat më të vështira, 1998-2005. Gjatë asaj kohe ka patur ngjarje të ngjashme po aq sa të 21-janarit por as unë e as ndonjë pjesëtar tjetër, as u mendua që të hapej zjarr drejt e në mish shqiptarëve. Ligji ta ndalon në mënyrë të prerë të hapësh zjarr jashtë juridiksionit dhe kundër turmave. Dhe ligji kur përcakton hapjen e zjarrit nuk ka asgjëkundi termin asgjësim, por thotë neutralizim. Pasi janë përdorur gazi lotsjellës, përballja fizike pastaj fillon hapja e zjarrit brenda rrethimit të institucionit dhe duhet neutralizuar, pra qëllohet në mes e poshtë. Asgjësimi është vetëm në rastin e një sulmi të armatosur, të drejtpërdrejtë dhe të momentit. Pra, nëse disa persona me armë tentojnë të futen brenda, tentojnë të asgjësojnë rojet dhe objektin, atëherë gjuhet për asgjësim. Në rastin e një demonstrate nuk mund të asgjësohet një njeri i cili gjuan me gurë.
Në vitin 2004, është qëlluar me armë në ajër…Ju kishit urdhër nga ministri i asaj kohe?
Veprimi është shumë i qartë në këtë lloj rastesh. Misioni i Gardës është ligjor, i përcaktuar me ligj. Misioni është të ruajë personalitetin e personave të rëndësisë së veçantë dhe objektet e rëndësisë së veçantë, institucionet. Jam i bindur që ka patur urdhër detyrues.
Urdhri është verbal apo i shkruar?
Ta gjejë Prokuroria. Ligji nuk lejon të vrasësh njerëz në Bulevard. U vranë në Bulevard, me duar në xhepa. Nuk ka ligj që të thotë të vrasësh një person të paarmatosur paqësor në Bulevard.
Pak ditë më parë kur ishte çështja e Shullazit dhe Rektorit të UT, ish kryeministri ia rikujtoi këtë histori z.Rama, duke i thënë se nëse nuk e do kishim kërcënuar z.Rama, ai të nesërmen do të kishte marrë Kryeministrinë. Çfarë ndodhi pas 21 janarit?
Nuk mund të shkëputësh 21 janarin nga gjithë konteksti i asaj që ndodhi në atë kohë. Asnjë nuk ka patur për qëllim që njerëzit të futeshin brenda, të digjnim Kryeministrinë, apo të bënin puçin e famshëm të shtetit. Këto janë rrëshqitje mentale të Sali Berishës. Kur filloi përplasja mes protestuesve dhe policisë, kam marrë urdhër nga Edi Rama që të shkoja të vendosesha si trup mes protestuesve dhe policisë.
Ju doli situata jashtë kontrollit atë ditë?
I doli Policisë jashtë kontrollit. Garda tregoi se ishte një grup banditësh dhe vrasësish të veshur me petkun shtetëror. Vendimi i Gjykatës së Lartë s’kishte ndonjë gjë të madhe surprize. Kjo ishte një gur në të gjithë atë mur që po përpiqemi tu tregojmë shqiptarëve për sistemin e drejtësisë. Nuk vlejnë ato reforma për të zhvilluar ekonominë, rritur nivelin e zbatueshmërisë së ligjit, modernizuar shoqërinë shqiptare, pa realizuar reformën në drejtësi. Dhe drejtësia këtu mungon në të gjitha fushat.
Kjo çështje mund të shqyrtohej dhe pasi të miratohej reforma. Ky nxitim lidhet me reformën?
Mund të ketë ndodhur. Ka të bëjë me atë frikën e madhe që ka kapur Sali Berishën personalisht dhe një pjesë të mirë të lidershipit të PD-së, lidhur me perspektivën e miratimit të reformës në drejtësi. Shqiptarët u bindën që nëse flitet për drejtësi të kapur në këtë vend, flitet për drejtësi të kapur nga Sali Berisha. Edhe vendimi që nxorën 5 gjykatësit, shkon në këtë drejtim.
Si është e mundur që Berisha ka aktualisht në kontroll drejtësinë, dhe pse prej 3 vitesh ndodhet në opozitë?
Po ti analizosh faktet me qetësi dhe korrektësi del shumë e qartë skema. Berisha ka kapur Presidentin, KLD-në, Gjykatën e Lartë dhe gjithë sistemin e Gjykatës. Kush e ka vendosur Prokurorin? PS-ja? Apo mazhoranca e asaj kohe që ishte kryeministër Sali Berisha? Me këto fakte, sistemi i drejtësisë, që nga Presidenti e deri në fund është i kapur nga Sali Berisha.
Si e shihni procesin e reformës në drejtësi? PD ka braktisur edhe komisionin e reformës…
Nëse kjo reformë nuk miratohet, atëherë është opsioni që PD nuk ka rrugë tjetër veçse të shkatërrohet tek votuesit. Vetë votuesit e saj do ta shkatërrojnë. Janë matur dy herë, në 2013-ën dhe 2015-ën dhe nuk besoj se do të bëjë këtë gabim të madh politik lidershipi i PD. Pasi vetë elektorati i tyre do t’i ndëshkojë shumë rëndë. Do të shikoni rezultatin e zgjedhjeve të vitit që vjen, nëse nuk miratojnë reformën në drejtësi. Po përpiqen që të fitojnë kohë, kjo është e gjitha.
Nëse reforma s’miratohet s’duhet të ketë zgjedhje të parakohshme? S’do të ketë sens parlamenti pa reformën në drejtësi…
Kjo mazhorancë ka për të detyrë të bëjë misionin e vet. Për këtë katër vjet mazhoranca ka mbështetur reformat që ka ndërmarrë qeveria.
Ka filluar t’iu trembë Berisha, se disa deputetë kanë kërkuar ndjekje penale pas deklaratave të tij në parlament për armatosjen?
Unë kam bindjen time si qytetar, ish ushtarak dhe si deputet dhe bindja ime është se Sali Berisha me këtë thirrje antikushtetuese, po të kujtojmë historinë e tij që e ka shkatërruar këtë shtet dy herë, me qindra të vrarë, duhet të ishte përgjigjur dhe duhet të përgjigjet para drejtësisë. Duhet të përgjigjet për të gjitha dëmet e mëdha që i bëri Shqipërisë dhe popullit të vet.
Keni prova për Berishën për këto vite?
Ata qindra e mijëra të vrarë të 97-ës, nuk janë prova? Katër të vrarët në Bulevard nuk janë prova? Të marrësh të rendisësh me radhë bëmat dhe tmerret që i ka shkaktuar këtij populli nuk mjaftojnë 45 minuta…Ka një dallim shumë të qartë, po t’i marrim udhëheqësit e mazhorancave, nuk besoj se Nano vrau për të ardhur në pushtet, Majko e Meta vranë për të ardhur në pushtet. Në këto 3 vjet ju s’po shikojini nga Edi Rama të ketë dhënë shenja për shtypjen e popullit të vet.
Çfarë ndodh më tej? Ju u keni bërë një betim familjeve të viktimave…
Kyçi i zgjidhjes së këtyre dhe atyre mijëra e mijëra rasteve të tjera, është reforma në drejtësi. Ju e keni parë që është një paketë e plotë e reformës në sistemin e drejtësisë. Ky sistem i kalbur i drejtësisë tregoi se nuk është për të dhënë drejtësi. Reforma në drejtësi mund t’i japë zgjidhje kësaj çështje.
Keni një akuzë të madhe nga PD e Berisha që lidhet me ministrin tuaj dhe Emiliano Shullazin. Pse vjen kjo akuzë?
Është qëllimi i PD për të tërhequr vëmendjen nga gjërat themelore. Ata janë përpjekur të ngrenë furtunë në gotë. Rastin e Shullazit e fryjnë si tullumbace dhe iu plasi në dorë. Ju i keni deklarimet e ministrit të Brendshëm në parlament, më nxirrni një fakt dhe unë jap dorëheqjen. E kundërta, do jepni dorëheqjen ju. Pavarësisht që çështja i është referuar Prokurorisë që në datën 3 shkurt, i është ri-referuar në datën 16 mars me dokumente të sakta, pra policia e shtetit e ka bërë pjesën e vet të punës dhe rasti që “denoncoi” Berisha për Rektorin, ishin krejt ndryshe nga ato që kishte referuar në dosjen penale Policia e Prokuroria. Ku qëndron lidhja e Tahirit këtu?
Çfarë ndodhi me akuzat ndaj SHISH për përgjimin e opozitës?
Kontrolli për këtë nuk ka mbaruar ende. E kemi thërritur disa herë kreun e SHISH, ka raportuar për çështje të rendit dhe sigurisë, besoj se në këtë drejtim gjendja është nën kontroll dhe SHISH ka investuar në këtë drejtim. Vetë qeveria e ka mbështetur shërbimin informativ me resurse, duke rritur buxhetin, vetëm me synimin që SHISH të jetë në operacion të plotë për të zbatuar misionin e tij.
S’keni më pakënaqësi ndaj SHISH?
Kontrolli nuk ka mbaruar akoma. Pakënaqësia është e tillë që unë besoj se, materialet që përgatit SHISH ndahet në më tepër degëzime sesa degëzimet ligjore që ka për detyrë ai, krahas institucioneve ligjore, pra Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, ka edhe një degëzim tjetër të rrjedhjes së informacioneve, për tek ish shefi i tij.
Ka disa vrasje të bujshme por të pazbuluara, si bankieri Santo, ka ndonjë informacion se çfarë po ndodh realisht?
Unë nuk kam ndonjë informacion zyrtar për të ndjerin Santo dhe ish deputetin Xhindi, por po iu them një kundër pyetje, a mund të më thuash kush e ka vrarë Kennedin? Këto janë gjëra që, edhe nëse dihen nga Policia, në momentin që nuk ke prova, bëhesh pjesë e baltës së përditshme mediatike e politike…
Kthehemi te PS, mesa duket i hoqët telashet e fundit, si Blushi p.sh?
S’besoj se ishte telash. Ai është deputet siç jam unë dhe shumë të tjerë. PS ka treguar se aktualisht në tregun e partive politike nga 92-shi ne jemi partia më demokratike, ka debat, kritika, por kufiri i lejueshëm moralisht dhe të qenurit pjesë e një ideologjie, grupimi e programi e ka në dorë secili prej nesh.
Aleati juaj, z.Meta ka qenë shumë i qetë, duke mos u përzier fare në çështjen Berisha…Çfarë do të thotë për ju ky qëndrim? Është shenjë krisje e mazhorancës?
Jo. kryetari i parlamentit ka treguar se është i linjës së demokratizimit sa më të thellë dhe sa më të gjerë të strukturës së parlamentit. Duke patur parasysh gjithë ato vuajtje kur ishte Jozefina kryetare e Parlamentit, ai ka dhënë liri. Mund të ketë dhënë minuta më tepër se u takojnë, por le t’ia japë Saliut se Saliu broçkulla nxjerr nga goja. Mazhoranca jonë është solide, e qëndrueshme dhe e fortë. Besoj se do ta tregojmë edhe në 2017-ën, edhe më thellë.