Ditën e djeshme, si pasojë e një investigimi të gjatë, ju depozituat në Prokurori një kallzim penal për 7 persona emrat e të cilëve ishin ish-kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha, Kastriot Ismailaj, Bujar Nepravishta, Martin Roman, Tomas Pleskash dhe Jozef Hejsek për veprat korrupsion, shpërdorim të detyrës dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm të kryer përgjatë lidhjes së zbatimit të kontratës CEZ-DIA.
Në dijeninë tonë ky nuk është kallëzimi i parë që ju bënë për llogari të përsonave të lartpërmendur, ku shpeshherë keni denoncuar publikisht në media, e jo vetëm, përfshirjen e tyre në aferën që u kushtoi xhepave të shqiptarëve miliona dollarë, shkruan Zathur.net
Nga Anri Bala
A mund të na thoni diçka rreth këtij kallëzimi?
KARA: Ky kallëzim penal vjen natyrshëm, në vazhdën e një trajtimi të plotë dhe shumëplanësh të aferës DIA. Është e pranuar nga vetë ish drejtuesit çek të CEZ-it, se kjo kontratë e kishte targetin jo më pak se 460 mil euro, nga të cilat 50% do t’i kalonin DIA-s. Unë kam investiguar fillimisht vetë dhe më vonë së bashku me avokatët e Clifford Chance, të gjitha momentet e kësaj afere.
Ajo që të bën përshtypje është dëshmia e ish drejtorit të CEZ-Shpërndarje, Jozef Hejsek, i cili ka deklaruar përpara avokatëve të Clifford Chance, se Kastriot Ismailaj u servir në vjeshtë të vitit 2009 nga ish ambasadori Tepshi, në emër të qeverisë shqiptare, Berishës dhe Metës, si njeriu i duhur për t’u marrë me mbledhjen e këtij borxhi gjigand. Vetë Hejsek në dëshminë e tij, shprehet pa ekuivok, se Ismailaj rezultoi në një mashtrues në të gjitha drejtimet.
Po kështu, persona të ndryshëm si dhe media janë në dijeni të vizitës së përbashkët Meta-Ismailaj në Pragë, më datë 29 Nëntor 2010. Përgjatë kësaj vizite ish-ambasadori Tepshi, u aksidentua me makinë, për të mos qenë pjesëmarrës në takimin e zullumit me Martin Roman, Tomas Pleskash, Ilir Metën dhe Kastriot Ismailajn. Në këtë takim, Meta ka prezantuar Ismailajn me superlativa, duke shprehurë dhe pa ekuivoke mbështetjen e tij për të, duke lënë të kuptohet, se Ismailaj ishte njeriu i tij në këtë aferë.
Pak ditë pas kthimit nga Praga, Meta ndikon në nxjerrjen e një Vendimi të ERE-s, i cili favorizonte CEZ-in dhe disfavorizonte shtetin Shqiptar, me së paku 30 milion euro në vit. Ky fakt bëhet akoma më i besueshëm, kur lexon edhe intervistën e gruas së Ismailajt dhe gazetarit Fatos Mahmutaj, ku ajo evidenton kërcënimin e përsëritur të Metës drejtuar Ismailajt, që ky i fundit t’i bëj presion palës çeke, për t’u marrë para atyre, pasi Meta donte të shpërblehej për ndikimin që ai kishte pasur në nxjerrjen e vendimit kriminal të ERE-s, më 7 Dhjetor 2010.
Tre ditë përpara kësaj vizite, Ismailaj është paguar paradhënie, për një punë që nuk e kreu asnjëherë, plot 1.485.000 euro. Pra, pa u zgjatur më tepër, janë të gjitha faktet, që provojnë veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, për personat e kallëzuar nga unë.
Për të sqaruar opinionin publik, fillimisht do doja të bëja një pyetje: A keni besim tek drejtësia shqiptare, e nëse po, a keni shpresë se ky kallëzim të cilit i bashkëngjiten dosja me fakte e prova, do t’i çoj personat e lartëpërmendur përpara drejtësisë?
KARA: Pyetja juaj bën shumë sens për mua dhe realitetin. Unë besoj absolutisht tek drejtësia! Si besimtar, as që e vë në dyshim këtë gjë. Drejtësia buron nga lart dhe është atribut i vetë Zotit. Në të vërtetë unë nuk besoj tek sistemi i drejtësisë që ne kemi, dhe ky mosbesim nuk ka të bëj me besimin që unë kam tek Zoti dhe tek e drejtësia e Tij.
Pikërisht këtë sistem të padrejtë drejtësie që ne kemi, unë e marrë si sfidë të dhënë nga Ai, për tu provuar, se sa ne e meritojmë drejtësinë. Drejtësia absolutisht nuk është lëmoshë dhe nuk duhet pritur, që atë të t’a servirin të tjerët, sidomos zullumqarët.
Çdo njeri e ka për obligim përkrahjen dhe vendosjen e drejtësisë, duke e kërkuar atë për veten, mikun dhe armikun, të mirin e të ligun. Në këtë këndvështrim, unë kam bindjen se kërkesa ime për drejtësi do ta marrë përgjigjen e saj. Unë bëj timen, dhe Zoti të tijën.
Besoni se zgjidhja e kësaj çështje do jetë e një të ardhme të largët apo të afërt, e nëse jo, pse po vonon ky proces?
Për shumë njerëz, lufta ime konsiderohet e pakuptimtë, apo luftë me mullinjtë e erës. E gjitha kjo shpjegohet me instalimin këmbëkryq të padrejtësisë dhe molepsjen e shtetit dhe strukturave të drejtësisë nga krimi e padrejtësia.
Kriminelët qeveritarë, sidomos ata që unë kallëzoj, kanë qenë deri më tani të plotëfuqishëm dhe të pashqetësuar në zullumqarinë e tyre. Duke kontrolluar çdo institucion shtetëror, kriminelët qeveritarë, mendojnë se i kanë të gjitha garancitë për një qëndrim të qetë e të patrazuar në fronin e krimit.
Megjithatë zullumi ka një veti të ndryshme nga litari: ndërsa litari këputet duke u holluar, krimi këputet duke u trashur, kështu që është vetë zullumi i tyre që po i zë përfund zullumqarët.
Sipas jush drejtësia shqiptare dhe vettingu që po vonon, i japin siguri apo i shkaktojnë frikë ish-kryeministrit Berisha, ish-kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë aferë?
Të jeni të bindur, se ata nuk janë më të sigurtë tani, por janë absolutisht në panik, pasi po shohin përballë, të vetmin që i mund ata dhe sojin e atyre që hiqen sikur nuk kanë frikë.
Unë dhe të gjithë ata si unë, do të fitojmë në këtë betejë morale, se ne nuk kemi frikë të përballemi me fundërrinat e këtij vendi. Revolta jonë për vendosjen e drejtësisë, shumë shpejt do të bëhet shumë më e fortë se përpjekjet e hajdutëve për të ruajtur me çdo kusht pozitat e tyre.
Padrejtësia do të sundojë në këtë vend, për aq kohë sa ne nuk e dëshirojmë drejtësinë, nuk çohemi, nuk e meritojmë atë, apo shohim si zgjidhje braktisjen e vendit dhe të fushë-betejës.
Disa zëra ju akuzuan se kallëzimi penal i bërë nga ju ditën e djeshme, erdhi në kohën kur në media “ziente” lajmi për përfshirjen e ministrit Saimir Tahiri në trafikun e drogës për të bërë “zhurmë”, dhe pse nuk e kishit bërë diçka të tillë më parë?
Në të vërtetë, unë e kam vonuar kallëzimin tim vetëm për një ditë, për arsye të mospasjes së një zarfi të veçantë me kapacitet disa qindra faqe. Në vetë logjikën e ngjarjeve, lidhur me aferën DIA, unë nuk mund të gjeja tjetër kohë për të bërë këtë kallëzim.
Unë jam në vijueshmërine time normale të punës, në luftë kundër personave të përfshirë në aferat në lidhje me CEZ-in, dhe ky nuk është gjë tjetër, përveçse kallëzimi logjik i radhës, i bërë pikërisht në kohën dhe mënyrën e duhur.
Manipulatorët përballë, nuk merren me faktet tronditëse që ofroj unë, të cilat për faqen tonë të zezë, e nxijnë edhe më shumë presidentin shqiptar, por merren me kohën e kallëzimit.
Unë jam në të drejtën time dhe nuk ma ndjen për këta manipulatorë, e as që kam ndërmend të pyes ata, apo kërrkënd tjetër lidhur me punën time. Koha do ta tregojë, se unë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromise të tilla.
Në optikën tuaj si e gjykoni çështjen Tahiri?
Që të gjykoj çështjen Tahiri, unë duhet të kem fakte e prova, si dhe të pyes palët paraprakisht. Megjithatë në opinionin tim, ky është një rast shumë i rëndë, sidomos kur aludohet se një ministër rendi paska qenë i përfshirë në trafik narkotikësh.
Në qoftë e vërtet përfshirja e tij në këtë trafik, unë si qytetar shqiptar, e ndjej veten të ngrënë në besë në mënyrën më të keqe. Unë nuk dua kurrsesi që të jem i qeverisur nga shtetarë të korruptuar, hajdut, abuziv apo trafikant. Në mënyrë absolute, gjykoj se Tahiri duhet t’i nënshtrohet drejtësisë.
A mendoni se në rast arrestimi të ish-ministrit të Brendshëm, kjo ngjarje do ishte precedent për nisjen e një hetimi për gjithë zyrtarët e lartë të shtetit të përfshirë në afera korruptive apo veprimtarive kriminale?
Çdo rast si rasti “Tahiri”, duhet trajtuar si një sfidë për menaxhim dhe jo si falimentim. Nëse qeveria dhe drejtësia do ta trajtojnë kështu, patjetër që “Tahirëve” të tjerë, do t’ju vijë shumë shpejt radha. Sa më shpejt, aq më mirë. Kjo është një kërkesë urgjente e vetë kohës.
Mostrajtimi si duhet i rastit Tahiri, do të përdoret me sukses nga llumi i politikës për tu “ricikluar”. Kjo gjë nuk duhet lejuar që të ndodh. Konstatoj, se kur Prokuroria ka dëshirë, i përshpejton procedurat për të arrestuar një deputet. Prokuroria së bashku me Tahirin, duhej të arrestonte kohë më parë Sali Berishën, Ilir Metën, Genc Rulin, etj.
Vepra kriminale e tyre është akoma më e rëndë se ajo që dyshohet për Tahirin, dhe dosja e tyre ka shumë më tepër muaj që pret radhën për trajtim. Është mizori e madhe të tregohesh i mëshirshëm me politikanët hajdutë, të korruptuar, e trafikantë të Shqipërisë.
Për mendimin tim, qeveria duhet t’i drejtohet popullit, të marrë mbështjen direkte prej tij, për të patur sukses të vërtetë në luftën kundër krimit. Populli është i lodhur nga kjo gjendje dhe patjetër do të reagojë pozitivisht, për çdo iniciativë ligjore apo kushtetuese, ku duhet vullneti referendar i tij.
Vendimmarrja duhet patjetër t’i kaloj popullit. Politika e ka humbur të drejtën dhe luftën lidhur me vetëgjenerimin e saj.