SHBA-Iran, është fillimi i një konflikti e cila mund të marrë përmasa më galopante në rastin e përfshirjes dhe të aktorëve të tjerë politikë.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë acaruar së tepërmi pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani nga ushtria amerikane, në kohën kur ky i fundit ishte duke udhëtuar me makinë.
Kundërpërgjigja e Iranit nuk vonoi dhe lëshoi disa ditë më pas në drejtim të dy bazave të ushtrisë amerikane në Irak, disa raketa balistike.
Por sulmi i ideuar prej tyre nuk e kaloi kërcënimin, pasi nga kjo tentativë e forcave iraniane nuk u lëndua askush në radhët e amerikanëve. Fill pas këtyre zhvillimeve, ditën e djeshme një shtetas i Iranit është arrestuar nga policia amerikane në Palm Beach të Floridas, pasi pas kontrollit të kryer ndaj tij, rezultoi se ishte i pajisur me disa thika.
I dyshuari, Masoud Yareioeill Zoleh, u identifikua nga pasaporta e tij ndërsa u mbajt në paraburgim të premten në mëngjes.
Përveç një hanxhari dhe një sëpatë dhe disa thikave, ai kishte me vete edhe 22 mijë dollarë kesh që i mbante me vete,njoftoi Daily News Palm Beach.
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet, ndërsa policia lokale është duke bashkëpunuar me autoritetet federale.
Arrestimi i këtij shtetasi ka ndodhur vetëm disa ditë pasi zyrtarët iranianë kanë ofruar një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për vrasjen e presidentit amerikan, Donald Trump, në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, nga SHBA-ja. Ura ku u arrestua iraniani ndodhet pak më shumë se 6 kilometra larg pushimores dhe klubit të Trumpit, Mar-a-Lago, por presidenti nuk ndodhej aty. Ai aktualisht gjendet në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.
Pas këtij operacioni, policia u drejtua në drejtim të aeroportit ndërkombëtar të Pal Beach, për të kontrolluar makinën e iranianit, duke aluduar se në të ndodhej një sasi bombash plasëse. Pas kontrollit të kryer nga njësia kundër bombave rezultoi se në makinën e tij nuk ndodhej asgjë e rrezikshme. Policia lokale aktualisht ndodhet në terren dhe po përpiqet që të zbardhë dinamikën e plotë të ngjarjes.
g.kosovari