Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth dha përditësime nga Pentagoni mbi konfliktin midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Ai tha se regjimi iranian po nxiton drejt ndërtimit të një bombe bërthamore, por Presidenti Donald Trump “nuk do ta lejojë këtë”.
Hegseth, deklaroi se sot pritet të jetë “dita më intensive e sulmeve” në luftën kundër Iran, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po intensifikojnë operacionet ushtarake.
Sipas tij, gjatë 24 orëve të fundit Irani ka lëshuar numrin më të ulët të armëve që nga fillimi i përplasjes.
Hegseth akuzoi Iranin se synon qëllimisht civilë të pafajshëm, ndërsa forcat e tij po shkatërrohen “në mënyrë sistematike”. “Irani qëndron i vetëm dhe po humbet keq,” shtoi ai.
Sekretari theksoi se SHBA po vepron me dominim total ajror dhe efikasitet ushtarak për të arritur objektivat e Presidentit dhe se sulmet e intensifikuara do të vazhdojnë edhe sot.
“Qëllimet e Operacionit “Epic Fury” janë shkatërrimi i rezervave të raketave, lançuesve dhe bazave ushtarake iraniane, shkatërrimi i marinës së Iranit dhe parandalimi i përhershëm i armëve bërthamore iraniane”, tha ai.
Hegseth theksoi gjithashtu se sulmet janë duke u zhvilluar brenda afatit kohor dhe sipas zgjedhjes së SHBA-së, duke përdorur inteligjencën më të sofistikuar dhe avionët luftarakë më të avancuar. Ai raportoi se në 24 orët e fundit, Irani ka qëlluar numrin më të ulët të raketave që nga fillimi i konfliktit.
I pyetur se çfarë masash po merr Pentagoni për të minimizuar viktimat civile në Iran, Hegseth tha se “asnjë vend nuk merr më shumë masa paraprake për të mos goditur civilët sesa SHBA”.
“Nëse ndodhin raste që kërkojnë hetim, ne do t’i hetojmë”, shtoi ai, duke theksuar se informacionet nga burime të hapura nuk janë mënyra e duhur për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur realisht.
Ai akuzoi gjithashtu Iranin se vendos infrastrukturën ushtarake pranë zonave civile dhe se regjimi iranian ka në shënjestër civilët.
I pyetur për deklaratat e qeverisë iraniane se është e përgatitur për një “luftë të gjatë”, Hegseth tha se SHBA po i siguron të gjitha burimet e nevojshme trupave të saj në vijën e frontit për t’u siguruar që ato janë “të mbrojtura siç duhet”.
Ndërkohë, gjenerali Dan Caine e nisi deklaratën e tij duke bërë homazhe për ushtarët amerikanë që kanë humbur jetën si pasojë e luftës së nisur nga presidenti Donald Trump kundër Iranit. Caine shtoi se sulmet me raketa balistike nga Irani janë ulur ndjeshëm. “Sulmet me raketa balistike kanë rënë me 90% që nga momenti kur nisëm operacionet,” tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se SHBA po godet raketat iraniane të vendosjes së minave detare, duke e përshkruar operacionin si “punë të vështirë dhe të pandërprerë”. Gjenerali shprehu krenari për performancën e forcave të përbashkëta gjatë gjithë fushatës ushtarake.











