Irani kërkon njohjen e sovranitetit mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.
Kjo është kërkesa e re e Teheranit në negociatat për përfundimin e luftës. Irani ka përdorur Ngushticën si një mjet presioni, duke tronditur tregjet globale të energjisë. Sipas analistëve, Irani synon ta kthejë këtë ndikim në burim të qëndrueshëm të ardhurash, përmes vendosjes së tarifave për kalimin e anijeve.
Dina Esfandiary, drejtuese e Lindjes së Mesme në “Bloomberg Economics”, shprehet: “Irani është pak i habitur nga sa e suksesshme ka qenë strategjia e tij (e Hormuzit) – nga sa e lirë dhe sa relativisht e lehtë është të mbajë peng ekonominë globale. Një nga mësimet e nxjerra në luftë është se ai ka zbuluar këtë levë të re dhe ka të ngjarë ta përdorë përsëri në të ardhmen. Dhe mendoj se monetizimi i saj është pjesë e zbulimit se ai e ka këtë levë”.
Kërkesa e Iranit përballet me kundërshtim të fortë nga e drejta ndërkombëtare. Ekspertët theksojnë se Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një rrugë ujore ndërkombëtare, ku zbatohet parimi i “kalimit tranzit”, që garanton lëvizje të lirë dhe pa pengesa për të gjitha shtetet.
James Kraska, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Detare në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA-së, thotë: “Ngushtica e Hormuzit është një ngushticë e përdorur për lundrim ndërkombëtar, me dete territoriale të Iranit dhe Omanit që mbivendosen. Brenda këtyre ujërave, zbatohet ligji iranian dhe i Omanit. Megjithatë, për shkak se është një ngushticë ndërkombëtare, e drejta e kalimit tranzit zbatohet për të gjitha shtetet, gjë që lejon tranzit të papenguar sipërfaqësor, mbikalim dhe nënujor”.
Edhe zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për rrezikun. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e quajti një skenar të tillë të paligjshëm dhe të papranueshëm, duke theksuar nevojën që komuniteti ndërkombëtar të sigurojë “lirinë e sigurt dhe pa pagesë të lundrimit”.











