Përveç konfliktit politik, SHBA dhe Irani janë përfshirë edhe në konflikt sportiv. Presidenti Donald Trump ka komentuar në rrjetin social Truth lajmet nga Irani për refuzimin e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror.
“Komëbtarja e Iranit është e mirëpritur në Botëror, por mendoj se nuk do të vijë. Do të ishte më mirë për sigurinë e tyre”.
Por kjo deklaratë e shefit të Shtëpisë së Bardhë nuk është pritur aspak mirë nga federata iraniane, që ka reaguar menjëherë duke kërkuar përjashtimin e Amerikës.
Federata iraniane e futbollit:
“Askush nuk mund ta përjashtojë kombëtaren e Iranit nga Kupa e Botës. Botërori është një ngjarje historike dhe ndërkombëtare dhe organi drejtues i tij është FIFA, jo një individ apo një vend. Kombëtarja e Iranit ka qenë ndër ekipet e para që është kualifikuar. I vetmi vend që duhet të përjashtohet është ai që thjesht mban titullin ‘mikpritës’, por nuk ka aftësinë të garantojë sigurinë e ekipeve që marrin pjesë në këtë ngjarje botërore”.
Por, pavarësisht polemikave dhe dyshimeve, ky Botëror pritet që të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë e tre vendeve organizatore, kryesisht në SHBA. Nga një raport i hartuar, Airbnb do të gjenerojë afro 3.6 miliardë dollarë prej tifozëve që do të udhëtojnë në tre shtetet dhe do të hapen 35 mijë vende të reja pune. Rritja ekonomike do të ketë impakt edhe për 5 vitet e ardhshme. Kampionati Botëror do të luhet në periudhën qershor-korrik të këtij viti.











